“Të thonë të mos qash. Të thonë se është vetëm një qen, jo një njeri. Të thonë se do kalojë edhe kjo gjendje. Të thonë se kafshët nuk e kuptojnë se vjen një moment, kur duhet edhe të ngordhin; se e rëndësishme është të mos i bësh të vuajnë; se mund të marrësh një qen tjetër për ta zëvendësuar. Të thonë edhe se ka dhimbje akoma më të mëdha e të papërballueshme.

Njerëzit nuk e dinë se sa herë e ke parë qenin tënd në sy dhe ke kuptuar se ai ka qenë i vetmi që të është gjendur përherë pranë.
Nuk e dinë se i vetmi që s’të ka gjykuar asnjëherë, është qeni yt.
Njerëzit nuk e kuptojnë sa në ankth ke qenë gjithë netët kur ai ishte i sëmurë dhe mendoje se mund të ndërlikohej e të bëhej më keq.
Nuk e dinë se sa herë ka fjetur qeni yt me ty.
Nuk e dinë se sa shumë ke ndryshuar nga koha kur qeni u bë pjesë e jetës tënde.
Nuk e dinë se sa herë e ke përqafuar fort, kur ishte i sëmurë.
Nuk e dinë se sa herë ke bërë sikur nuk e ke vënë re, ndërsa qimet fillonin t’i zbardheshin.
Nuk e dinë se sa herë i ke folur qenit tënd sikur të ishte njeri, sepse ishte i vetmi që të dëgjonte me të vërtetë.

Njerëzit nuk e dinë se kishte raste kur vetëm qeni yt e kuptonte se ishe duke vuajtur.
Nuk e dinë se çfarë vuajtje ndjen kur e sheh se qeni yt është plakur dhe sërish, duke u munduar, vjen e të përshëndet kur hyn në shtëpi.
Nuk e dinë se kur gjithë gjërat shkonin keq, i vetmi që nuk largohej nga ty, ishte qeni yt.
Nuk e dinë se qeni beson tek ty, në çdo moment të jetës tënde, edhe në të fundit.
Nuk e dinë se qeni yt të ka daashur dhe i duhej shumë pak për të qenë i lumtur, i mjaftoje vetëm ti.

Njerëzit nuk e dinë se të qash për një qen, është një nga gjërat më të ndjeshme, më të vërteta dhe të sinqerta që mund të bësh. Nuk e dinë për herën e fundit kur e ke lëvizur me vështirësi, duke u kujdesur që të mos e lëndoje.

Nuk e dinë as se çfarë ke ndjerë kur e ke përkëdhelur në fytyrë në momentet e fundit të jetës së tij…”. – Emanuele Grandi