Ndarja nga jeta e “Mjeshtrit të Madh” të humorit, Gëzim Kruja është përcjellë me trishtim, jo vetëm për faktin se një artist i madh i humorit shkodran e la këtë botë, por edhe për kohën e vështirë që ka imponuar izolimin në vend. Janë fjalë të ndjera të emrave të artit, politikës e dashamirësve që qeshën me batutat e tij, të cilët me hidhërim përcjellin mirënjohjen për figurën e tij dhe trishtimin për pamundësinë për të qenë pjesë e ceremonisë mortore.

Zyliha Miloti, artiste

Po na ikin artistët me radhë. Gëzimi para deri një viti ka qenë shëndoshë, i fortë i komunikueshëm. Artist i mirë. Mirëpo humbje e madhe me thënë të drejtën humbje e madhe. Desha të ngushëlloj dhe shumë familje që kanë humbur të afërmit. Më vjen keq më tepër sepse nuk e meritonte të ikte kështu sepse duhet të ishte përcjellë me ceremoni të madhe. Më vjen shumë keq.

Ju pëlqen!

Bruno Shllaku, aktor dhe regjisor

Është një datë e keqe për humorin mbarë shqiptar. Ikën nga froni një perëndi, që për dekada me radhë dha atë që vështirë mund ta kishin dhënë të tjerët. Ai ngelet një shkollë e madhe, një virtyt, një dashuri për publikun dhe artin. Ai fron do të mbetet për shumë vite i pazëvendësueshëm për shumë vite. Ai ishte një personazh i dashur që nga fëmijët në kopshte deri te pensionistët që ishin në orët e fundit dhe që qeshnin me humorin e Gëzim Krujës. Unë kam pasur privilegj të punoj me Gëzimin në disa komedi. Gjithmonë merrja çmime kur Gëzim Kruja ishte në role”. Shllaku kujton edhe vitin 2018 kur me regji të tij Kruja u ngjit në skenë për herë të fundit. “Nuk më kishte shkuar në mendje kurrë, por jeta kjo është. Ai e mbylli, e finalizoi jetën. Ai e mbylli përballë shkodranëve si radhë herë me duartrokitje sikur donte të thoshte se….Por Teatri Migjeni sa të ketë një drejtoreshë aksidentale si Rita Gjeka, teatri do të jetë i diskriminuar, që janë larguar nga ai tetari, edhe Gëzimi është larguar. Jemi të dalluar si delet e zeza nga një gjol bretkosash.”

Ilir Meta, President

Ndarja nga jeta e Mjeshtrit të Madh të skenës dhe humorit, Gëzim Kruja është një lajm trishtues.
Me talentin e spikatur, Gëzim Kruja do të mbahet mend si një prej figurave më të dashura të artit shqiptar, që falë personazheve karakteristike të interpretuara mjeshtërisht u duartrokit nga shumë breza, duke lënë pas një trashëgimi të vyer artistike. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kruja, të afërmve, të gjithë artdashësve dhe qytetarëve të mrekullueshëm të Shkodrës, për këtë humbje të pazëvendësueshme.

Koço Kokëdhima, Kryetar i Partisë Zgjidhja

Gëzim Kruja, “Mjeshtri i Madh” i humorit u nda sot prej nesh. Në gati 60 vite jetë skenike la pas mbi një mijë role, 15 komedi dhe 2 libra me monologë gazmorë. I lehtë i qoftë dheu! Le ta mbajmë mend si në këto role ku dhuroi të qeshura dhe gëzim, siç e kishte emrin.

Elva Margariti, Ministre e Kulturës

Kur e pagëzuan me emrin Gëzim, prindërit me siguri, nuk e dinin se ai nuk do të ishte vetëm gëzimi i syve të tyre, por i çdo shtëpie shqiptare. E nisëm këtë ditë me një lajm të dhimbshëm, atë të ndarjes nga jeta të aktorit të madh të humorit, Gëzim Kruja. Me një humor të shëndetshëm dhe të kulturuar përcolli buzëqeshje gjatë gjithë jetës së tij. Sot, u jemi pranë familjarëve dhe publikut, teksa ngushëllohemi prej pavdekësisë, që të dhuron arti./Shekulli/

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!