Rezultatet e hulumtimit të Institutit për Çështje Evropiane, organizatë kjo joqeveritare, tregojnë se numri i qytetarëve të Serbisë që do të votonin kundër pavarësisë së Kosovës, në krahasim me vitin e kaluar, është duke rënë. Kjo për arsyen se shumica e tyre konsiderojnë që Serbia nuk mundet sërish që të ketë kontroll të plotë mbi Kosovën, ndërkohë që shumica dërrmuese nuk e di se cili është plani i Qeverisë së Serbisë për Kosovën.
Hulumtimi i opinionit publik lidhur me marrëdhëniet e qytetarëve të Serbisë ndaj Kosovës është bërë gjatë periudhës nga 6 deri më 12 mars 2020, në një mostër përfaqësuese prej 1.203 të anketuarve në bashkëpunim me shtëpinë hulumtuese “Ninamedia”.
Gati se gjysma e të anketuarve (46 për qind) konsiderojnë që nuk është e mundur Serbia sërish të realizojë kontrollin dhe sovranitetin e plotë mbi Kosovën, ndërkaq 38 për qind e të anketuarve konsiderojnë që një gjë e tillë është e mundur. Se kjo është e mundur në masë të madhe këtë e konsiderojnë të anketuarit me moshë më të vjetër se 45 vjet dhe të anketuarit me nivel më të ulët të arsimimit, thuhet në hulumtim.
Se Kosova është e humbur këtë e konsiderojnë 42 për qind e qytetarëve, ndërkaq 46 për qind konsiderojnë që nuk është e humbur. Qëndrimi se Kosova është e humbur në masë më të madhe është shprehur nga të anketuarit e moshës 30 deri 44 vjeç, nga të anketuarit me nivelin më të lartë të arsimimit dhe nga popullata e qyteteve, tregojnë rezultatet e hulumtimit.
Nga numri i përgjithshëm i të anketuarve, 77 për qind i tyre nuk do ta mbështesnin pavarësinë e Kosovës në këmbim të anëtarësimit më të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian, ndërkaq 13 për qind e të anketuarve do ta mbështesnin. Të anketuarit mbi moshën 45 vjeç janë ata që janë në numër më të madh që kanë qëndrimin se nuk do të duhej të pranohej pavarësia e Kosovës.