Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në “Facebook”, ka ritheksuar se nuk do të ketë dialog teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ka dialog vetëm për marrëveshje finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, shkruan Hoti.

Kjo deklaratë e Hotit vjen pas asaj të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili, pas takimit me Hotin në Bruksel, tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës Avdullah Hotin nuk kanë qenë të lehta.

“Bisedimet për të zhdukurit dhe të zhvendosurit do të vazhdojnë të mërkurën tjetër në nivelin teknik”, tha Vuçiqi.

Ditë më parë kryeministri ka theksuar se qeveria “Hoti” për një muaj ka hequr nga diskutimi temën e integritetit territorial të Kosovës, “të cilën më nuk e përmend kush”.

“Kjo do të jetë një marrëveshje që Kosovës ia jep atë që i takon, të qenit e barabartë dhe e integruar në familjen e madhe euroatlantike. Për këtë ka nevojë populli i Kosovës”, pati shkruar Hoti.