Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar sqarim nga Qeveria e Kosovës në lidhje me planin e zbatimit të marrëveshjes së 4 shtatorit në Washington, ku në njërën prej pikave është edhe pezullimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Osmani ka kërkuar nga Qeveria që të sqarojë nëse në këtë plan zbatimi e ka futur edhe Kuvendin e Kosovës në mesin e institucioneve që obligohen të ndalin fushatën për anëtarësim pasi sipas saj, askush nga Qeveria nuk mund të detyrojë Kuvendin juridikisht ta bëjë një gjë të tillë, transmeton Zeri.info.

“E kam një pyetje, më shumë për sqarim. Para dy tri ditësh është miratuar në Qeverinë e Kosovës plani i zbatimit siç e quani ju marrëveshjen e Washingtonit për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë dhe pika e 15 e këtij plani të zbatimit thuhet se lëshohet qarkorja nga MPJ për të gjitha institucionet ku kërkohet të tërhiqen të gjitha aplikimet dhe për një periudhë një vjeçare Kosova nuk do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.

Ju pëlqen!

Pas kësaj kryeministri Avdullah Hoti, ka marrë fjalen, duke kërkuar nga Osmani të tregojë se kujt ja drejtoi pyetjen.

“Janë 40-50 deputetë, nuk e di kujt ju ke drejtuar me atë pyetje”, ka thënë Hoti.

Osmani e ka marrë sërish fjalën, duke ia kujtuar Hotit se është kryeministër dhe se pyetja ishte për Qeverinë.

“Dokumenti të cilin e lexova është dokument i Qeverisë së Kosovës, herën e fundit që kam kontrolluar ju jeni në ulësen e kryeministrit dhe kjo pyetje është për juve. Pyetja është a keni menduar që me këtë dokument ta obligoni edhe Kuvendin, natyrisht që s’mundeni juridikisht por nëse keni thënë ‘të gjitha institucionet’, është mirë që para këtij Kuvendi ta sqaroni pse keni përdorur një formulim të tillë”, ka qenë pyetja e Osmanit të cilën Hoti refuzoi t’i përgjigjej.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.