Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u është përgjigjur kritikave të kryetares së Kuvendit Vjosa Osmanit se ai (Hoti) nuk ka eksperiencë në drejtimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë.

“Kryetarja e Kuvendit nuk ka përvojë me udhëheqjen e Kuvendit dhe është detyra e saj e parë. Detyra ime është vetëm në mandatin e parë po ashtu”, ka thënë kryeministri Hoti.

Ai tutje ka thënë se secili duhet të koncentrohet në kryerjen e detyrës dhe punëve për të cilat është i thirrur.

Kreu i Qeverisë u është përgjigjur edhe kritikave të Lufti Hazirit për menaxhimin e pandemisë.

Hoti ka thënë se është e drejtë e secilit që të shfaqë kritikat e veta dhe se nuk mund të merret një nga një me secilin që shfaq pakënaqësi me situatën.

 

Ai ka thënë se pandemia është duke u menaxhuar si duhet dhe se situata po futet nën kontroll.

“Kritikave nuk mund t’u përgjigjem. Është e drejtë e secilit që të shfaqë kritikat e veta. Por situata është duke u menaxhuar mirë dhe situata po futet në kontroll. Kjo është përgjigjja ime për çdo kritikë, e cila mund të jetë legjitime”, ka thënë Hoti.