Fillon zhdoganimi në Portin e Durrësit për mallrat që eksportohen dhe importohen nga Kosova.
Ekonomia jonë tashmë me qasje në det. Eksporti ynë në rritje me qasje në tregjet globale.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, bashkë me ministren e Financave nga Republika e Shqipërisë, znj. Delina Ibrahimaj, dhe Koordinatorin Ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë, z. Gentian Salaj, ishin në përurimin e kësaj ngjarje.

Ministri Murati tha se dogana e Kosovës që nga viti 2019 ka qenë prezente në Portin e Durrësit por ka bërë vetëm regjistrimin për hyrjen e mallrave që kanë pasur për destinacion Kosovën pa pasur ndonjë ndikim të theksuar në kursimin e kohës apo kostos. Ai tha se me përkushtimin, vendosmërinë dhe punën e vazhdueshme të të dyja ekipeve tash, është arritur që fillimisht nga data 1 shtator të pilotohet zhdoganimi i maunave ose karburanteve dhe nga data 1 tetor edhe zhdoganimi i plotë i të gjitha mallrave që kanë për destinacion Kosovën.

Murati thekosi se kjo ja mundëson Kosovës qasjen në det dhe ia lehtëson qasjen për në tregje globale eksportit që është në trend të rritjes së vazhdueshme.
“Marrë parasysh kohën që kursehet por edhe koston që arrinë diku në 2 milionë euro për biznese që bëjnë tregti konsiderojmë që kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Këtij procesi i shton vlerë edhe vendosja e kontrollit fito sanitar dhe veterinar përmes Agjencisë së Kosovës dhe Veterinës që janë vendosur këtu bashkë me Doganën e Kosovës”, tha ai.
“Operimi me pagesa dhe kosto minimale në terminalin që kemi hapur në Mitrovicë tashmë, në hapësirat e Trepçës, por edhe atij në Podujevë, si dhe me evitimin e tarifave për hyrjet e mallrave nga Porti i Durrësit, bizneseve po ju jetësohet kërkesa për t’i hequr shpenzimet e panevojshme në të bërit biznes.”

Ju pëlqen!

Për fund, ministri Murati tha se hapi tjetër do të jetë fillimi i zhdoganimit në terminalin Vërmicë-Morinë, në të cilin po punohet në rikthimin dhe zgjerimin e terminalit shtetëror dhe me të përfunduar punimet të gjitha shkëmbimet mes vendeve tona do të bëhen në një kohë më të shkurtër dhe pa kosto.
Duke falënderuar ministren e Financave, znj. Delina Ibrahimaj, dhe Koordinatorin e Sekretariatit Ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë, z. Gentian Sala, ministri Murati tha se grupet tona punuese po shikojnë mundësitë që të hiqen të gjitha barrierat dhe të gjitha burokracitë mes dy vendeve tona që të mos ketë më kurrfarë pengese doganore.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën me 1 Euro!