Drejt ligjit të ri për bujqësinë, drejt mekanizmit për dokumentim të krimeve të kryera gjatë luftës dhe mbështetje shtesë shëndetësisë
Nëpërmjet politikave afatgjate dhe shtimit të buxhetit, Qeveria e Republikës së Kosovës është duke u siguruar që të përkrahë sektorin e bujqësisë, si është më së miri e më sigurti.
Kjo përkrahje do të gjejë mbështetje edhe në legjislacionin të cilin ne po e konsolidojmë, duke filluar me Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, të cilin e miratuam në mbledhjen e 44-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Krahas këtij ligji, në mbledhjen e sotme miratuam edhe katër projektligje.
Miratuam Koncept Dokumentin që i hapë rrugë themelimit të një mekanizmi të veçantë për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky mekanizëm do t’i kontribuoj realizimit të së drejtës së viktimave dhe shoqërisë për të ditur të vërtetën, për drejtësi – si themel i qëndrueshëm për paqen, të drejtës për reparacion dhe për garantim të mospërsëritjes.
Në vazhdim të mbështetjes për shëndetësinë miratuam pagesën shtesë për muajt nëntor dhe dhjetor 2021, për punonjësit shëndetësorë të sektorit publik dhe ndamë 2.5 milionë euro shtesë për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për blerjen e barnave nga lista esenciale, kështu duke arritur në total mbi 30 milionë euro për këtë vit, që është pothuajse dyfishim nga buxheti fillestar që kemi gjetur.
Në përgatitje të mbledhjes së përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, iniciuam themelimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.
Në vazhdën e vendimeve tona për të kthyer ligjshmërinë brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, sot shfuqizuam vendimin për emërimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Sigurisë.
Emëruam anëtarë të rinj të Këshillit drejtues të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve dhe përmbushëm kontributin si shtet anëtar i Nismës Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë.
Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.