E njohur si “përplasja e Wall Street”, kriza e 29 tetorit 1929 i tronditi të gjithë. Ajo shpërtheu në Shtetet e Bashkuara dhe zvogëloi krizat e mëparshme, duke shkaktuar Depresionin e Madh të viteve 1930. Siç shkruante ekonomisti John K. Galbraith, në ato ditë, të cilat më vonë u bënë vite, “më e keqja vazhdonte të përkeqësohej”. Çfarë ndodhi? Dhe pse?

Në vitet 1920, të njohura më mirë si vitet 1920 “të zhurmshme”, Shtetet e Bashkuara përjetuan një periudhë shpresash të mëdha dhe iluzionesh të rrezikshme. Ndërmjet viteve 1922 dhe 1928, PBB-ja u rrit me 40%, shkalla e papunësisë ra dhe indekset e prodhimit industrial u rritën. Autoritetet monetare, për të nxitur qarkullimin më të madh të parasë, ulën normat e interesit të kredive dhe filluan masivisht blerjet me këste.

Pajisjet shtëpiake, frigoriferët, lavatriçet, radiot, telefonat pushtuan shoqërinë amerikane. Në fund të dekadës, kishte 27 milionë makina, një për çdo pesë banorë: numra që Europa do t’i shihte vetëm 30, 40 vjet më vonë. Dhe rritja, pavarësisht se xhepat e mëdhenj të varfërisë vazhdonin (sidomos jashtë qyteteve të mëdha), dukej e pandalshme.

Ju pëlqen!

Tregu i brendshëm, natyrisht, nuk ishte në gjendje të thithte të gjithë prodhimin, prandaj ishte e nevojshme të eksportohej. Pas Luftës së Parë Botërore, Shtetet e Bashkuara u dhanë hua shuma të mëdha shteteve europiane që kishin nevojë për rindërtim mbi rrënojat e konfliktit. Nuk ishte ndihmë vetëmohuese. Në realitet, më shumë se për rindërtim, ato kredi u përdorën pothuajse tërësisht për blerjen masive të produkteve amerikane.

Në thelb, Shtetet e Bashkuara, të cilat nga ana e tyre nuk donin mallra të huaja, investuan në vende të tjera që të blinin mallra amerikane. Ishte një rreth vicioz, jo i virtytshëm. Megjithatë e nevojshme për të ushqyer mirëqenien kombëtare. Për më tepër, të gjithë, duke filluar nga presidentët në detyrë në ato vite (Warren Harding, Calvin Coolidge dhe Herbert Hoover), besonin në biznes dhe në një treg pa kufizime që ata e gjykonin të aftë për vetërregullim.

Optimizmi i shfrenuar i bëri spekulimet financiare një perspektivë joshëse. Përveç investitorëve të mëdhenj, shumë qytetarë të zakonshëm (nga punonjës zyrash e deri tek pronarët e bizneseve të vogla) blenë aksione në kompani të tregtuara publikisht, shpesh duke marrë hua për ta bërë këtë. Deri në atë moment ata kishin blerë aksione për të mbledhur një “dividend”, pra një pjesë parash vjetore me të cilën gradualisht do të akumulohej më shumë kapital se ai i investuar.

Për të marrë dividentin, dhe përfundimisht për të fituar, duhej të mbante aksionet dhe të priste.

Megjithatë, ato vite u karakterizuan nga euforia: para të lehta në një kohë të shkurtër. Dhe për shkak se aksionet ishin shumë të kërkuara, vlera e tyre po rritej me shpejtësi. Pra, bliheshin aksione, duke pritur që vlera e tyre të rritet, pastaj t’i rishisnin ato menjëherë dhe të fitonin në diferencën midis çmimit të blerjes (më të ulët) dhe çmimit të shitjes (më të lartë). Në këtë mënyrë, shumë arritën të pasuroheshin shpejt, por vlera e aksioneve pushoi së pasqyruari shëndetin aktual ekonomik dhe financiar të kompanive.

Me fjalë të tjera, spekulimet vërshuan Shtetet e Bashkuara. Bursa e Nju Jorkut, në Wall Street, ishte simboli i kësaj spiraleje që rriti vlerën e aksioneve, por edhe borxhin e investitorëve të vegjël dhe spekulatorëve të mëdhenj. Me pak fjalë, ekonomia e bursës nuk përkonte me ekonominë reale. Nga janari 1922 deri në shtator 1929 (një muaj pas kolapsit) indeksi i tregut të aksioneve, i cili mati atë vlerë, ishte rritur me 500%: një përqindje sureale.

Ky mekanizëm, tashmë i njohur për ekonomistët, quhet “flluska spekulative”. Dhe kur flluska fryhet shumë, ajo shpërthen, ashtu si një flluskë sapuni. Shenjat e para të dështimit u injoruan dhe kur erdhi kolapsi, rrëzimi erdhi tmerroi gjithë botën.

Më 24 tetor 1929, ditë e enjte, vlera e aksioneve filloi të bjerë dhe befas u nxorën në shitje afro 13 milionë. Shpërtheu paniku. Pas ditëve të dëshpëruara, 33 milionë aksione të tjera u shitën më 29 tetor, të martën pasardhëse. Në thelb: ata u përpoqën t’i shisnin sepse humbën vlerën, por, për të njëjtën arsye, askush nuk i bleu dhe kështu çmimi i tyre ra. Vetë ligji i ofertës dhe kërkesës që kishte nxitur flluskën po fundoste Wall Street-in.

Nga mesi i nëntorit, indeksi i bursës kishte rënë me 50% dhe ky ishte vetëm fillimi. Ata që kishin investuar kursimet e tyre ose më keq akoma ata që kishin marrë para borxh për të investuar u shkatërruan. Bankat dhe kompanitë financiare, të cilat zotëronin aksione ose ishin kreditore të spekulatorëve të dështuar, gjithashtu pësuan humbje të mëdha ose u detyruan të mbylleshin.

Megjithatë, drama e Wall Street mund të ishte kapërcyer nëse struktura ekonomike e vendit do të kishte qenë solide por ky nuk ishte rasti. Prodhimi i pandërprerë i mallrave, në fakt, kishte bllokuar një makinë të papërsosur.

Edhe para tetorit 1929, prodhimi ishte rritur më shumë se fuqia blerëse e qytetarëve të thjeshtë. Kjo çoi në mbiprodhim kronik: amerikanët nuk kishin para të mjaftueshme për të blerë të gjitha produktet në shitje dhe duke mos i blerë ato shkaktuan një tkurrje të fitimeve të bizneseve dhe kompanive, të cilat, në pamundësi për të paguar më punonjësit e tyre, duhej t’i pushonin ata nga puna dhe, në rastin më të keq, të falimentonin.

Nuk është rastësi që vetëvrasjet ishin më të shumta në muajt para rënies së bursës sesa në ato në vijim. Rënia ishte pasojë e një krize sistematike. Tregu ndërkombëtar ishte gjithashtu i infektuar dhe nuk mund të thithte më prodhimin e tepërt. Në fund të vitit 1929, Shtetet e Bashkuara, në krizë, iu desh të shkurtonin kreditë e dhëna vendeve europiane. Rrjedhimisht, jo vetëm që nuk ishin më në gjendje të blinin mallra amerikane, por kur kriza u ndez edhe në Kontinentin e Vjetër, ata zgjodhën rrugën e proteksionizmit dhe frenuan importet. Në atë moment situata ishte jashtë kontrollit dhe do të kalonin vite të tmerrshme para se të dilnim prej saj.

Ishte pikërisht zhvillimi i viteve të njëzeta “të zhurmshme” që shkaktoi kolapsin e sistemit, i cili nuk e kishte zgjidhur problemin kyç: pabarazinë. Më shumë se brishtësia e sistemit financiar problemi kryesor ishte shpërndarja e pabarabartë e përfitimeve të rritjes së viteve 1920, një pengesë e shprehur mirë nga pabarazia e fortë në shpërndarjen e të ardhurat. Në prag të kolapsit, 0.1% e popullsisë kontrollonte 42% të të ardhurave totale të vendit, ndërsa rreth 60% e familjeve merrnin të ardhura vjetore më pak se dy mijë dollarë, shifër që konsiderohej si kufiri i varfërisë për familjet me katër persona.

Ata që jetonin në kufijtë e varfërisë i shteronin të ardhurat e tyre të pakta në blerjet e ushqimeve dhe pagesat e qirasë. Fermerët, minatorët, punëtorët e tekstilit dhe veshjeve, për shkak të të ardhurave të ulëta, nuk kishin akses në shoqërinë konsumatore. Prandaj, ata nuk mundën të jepnin kontributin e tyre për zgjerimin e mëtejshëm të tregut dhe mbështetjen e rritjes, e cila kishte gjetur forcën e saj lëvizëse pikërisht në konsum”. Pas përplasjes, fotografia vetëm u përkeqësua: Depresioni i Madh kishte filluar.

Edel Strazimiri

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!