Ishin orët e para të mëngjesit të 3 janarit të këtij viti kur një kuti e vogël metalike u dorëzua në Qendrën Klinike të Shëndetit Publik të Shangait e cila duhej t’i dorëzohej ekspertit të viruseve, Prof Zhang Yongzhen. Brenda, të mbuluara me akull të thatë, ishin mostrat e marra nga një pacient i cili vuante nga një sëmundje e re, herë pas here fatale për frymëmarrjen dhe që po përfshinte qytetin e Wuhan. Ajo po shkaktonte rritje të tmerrshme në numrin e të prekurve dhe autoritetet mjekësore donin të dinin, pse dhe si përhapej sëmundja.

Zhang dhe kolegët e tij u nisën punën. Në 48 orët e ardhshme, praktikisht pa ndërprerje, ai dhe ekipi i tij përdorën teknologji të avancuar për ndarjen e sekuencave për të zbuluar ARN-në (blloqet ndërtuese gjenetike) të virusit që ata besonin se ishte përgjegjës për shpërthimin. Dekodimi i 28 000 shkronjave të kësaj ARN-je, do të jepte një tregues të saktë të natyrës dhe sjelljes së patogjenit të ri.

Dhe në orët e para të 5 janarit, Zhang dhe ekipi i tij përfunduan detyrën e tyre. Virusi, zbuluan ata, ishte një koronavirus i panjohur më parë që ishte më i lidhur ngushtë me atë që kishte shkaktuar në Kinë shpërthime fatale të sindromës akute të frymëmarrjes (SARS) disa vjet më parë. Dhe ashtu si SARS, virusi i ri po përhapej qartë nga një njeri tek tjetri. “Kështu që sigurisht, është shumë i rrezikshëm”, – tha Zhang.

ST Asians of the Year: Top scientist’s decision to publish genome map made at some personal risk, East Asia News & Top Stories – The Straits Times
Prof Zhang Yongzhen
Brenda disa ditësh nga studimi, rezultatet e Zhang u postuan në faqen e internetit virological.org duke i dhënë botës botimin e parë të një patogjeni që ka vrarë deri tani më shumë se 1.5 milionë njerëz dhe ka shkaktuar bllokimin e shumë kombeve me kufizime në udhëtime dhe rrënim ekonomik. Sidoqoftë, zbulimi i Zhang ishte më shumë sesa thjesht identifikimi i një paralajmëruesi të kaosit dhe vdekjes.
Zbulimi i hershëm i ekipit të tij për strukturën e virusit përgjegjës për Covid-19 – siç u emërua sëmundja më vonë – i dha shkencës një mundësi për të luftuar. Rezultati ishte një përpjekje ndërkombëtare që këtë javë do të shohë një vaksinë të shpërndahet në publik për herë të parë.

Është një arritje e jashtëzakonshme. Të kalosh nga zbulimi i një virusi të ri vdekjeprurës në krijimin e një vaksine të testuar që mund të bllokojë efektet e saj në më pak se një vit është e pashembullt në historinë shkencore. Për disa, është thjesht një mrekulli mjekësore sepse tregon që bota mund të jetë në gjendje të heqë qafe më të keqen e shqetësimeve Covid-19, më shpejt sesa mendohej.

Stephen Griffin i shkollës mjekësore të Universitetit të Leeds thotë: “Përparimi i mahnitshëm në avancimin e një vaksine deri te përdorimi nga njerëzit sigurisht vendos një standard të ri”.

Virusi Covid-19, i njohur tani si Sars-CoV-2, është si një top me gjemba me material gjenetik i veshur me kimikate yndyrore të quajtura lipide dhe me diametër sa 1/80 miliarda e metrit. Ato thumba janë të përbërë nga një proteinë që kapet tek receptorët në sipërfaqet e qelizave dhe më pas lëshon ARN-në e virusit në to. Sapo të futet brenda, ajo ARN fut veten në makinerinë e shumimit te qelizat tona dhe bën kopje të shumta të virusit. Këto shpërthejnë nga qeliza dhe infeksioni përhapet.

Duke ndarë gjenomën e virusit, Zhang siguroi informacion jetësor dhe që atëherë i ka lejuar shkencëtarët të izolojnë dhe kopjojnë pjesë individuale të virusit dhe të përdorin këto përbërës për të krijuar vaksina. “Ajo që bëri Zhang ishte absolutisht kritike për atë që pasoi”, thotë Prof Adam Finn i Universitetit të Bristolit. “Pa informacionin që ai dha, askush nuk mund të kishte filluar të punonte për vaksinat.”

Proteina “spike” e cila luan një rol kaq të rëndësishëm në lejimin e Sars-CoV-2 të shumohet shpejt u vu në fokus të vëmendjes e prodhuesve të vaksinave. Studiuesit arsyetuan se nëse një person mund të ndihmohet t’i japë një përgjigje të fuqishme imune duke bllokuar futjen e proteinave me thumba brenda qelizave tona, përparimi i virusit do të ndalej. Për ta bërë këtë, megjithatë, ata kishin nevojë për të gjetur mënyra si të vendosnin pjesë të proteinave spike në trup në mënyrë që të stimulonin krijimin e antitrupave, një taktikë që është miratuar nga shumica e projekteve të vaksinave Covid-19 – megjithëse në mënyra te ndryshme.

Një grup i gatshëm në vijën e parë të krijimit të vaksinës ishte i vendosur në Frankfurt ku Özlem Türeci dhe partneri i saj Uğur Şahin kishin ngritur kompaninë BioNTech në 2008-ën për të bërë vaksina që do të luftonin kancerin – përvojë që ata kuptuan se mund të transferohej shpejt në betejën kundër Covid-19.
Duke përdorur sekuencat gjenetike të siguruara nga Zhang, BioNTech – mbështetur nga gjiganti farmaceutik Pfizer – ishin në gjendje të paketonin pjesë të kodit RNA për proteinat me majë të virusit dhe t’i injektonin ato te njerëzit. Kur ato pikasen nga sistemi ynë imunitar, shkaktohet prodhimi i antitrupave. Një qasje e ngjashme u miratua edhe nga kompania bioteknike e SHBA, Moderna në prodhimin e vaksinës së saj.

“Është një teknologji e re, por është gjithashtu një teknologji shumë e thjeshtë,” – tha Prof. Peter Openshaw i Imperial College London. “Kjo është arsyeja kryesore që BioNTech dhe Moderna morën rezultate kaq të shpejta. Është gjithashtu një teknologji mjaft premtuese që mund të shfrytëzohet shumë në të ardhmen, – shtoi Openshaw.

“Është pothuajse si një vaksinë “gërmo dhe mbill”. Ju mund të zgjidhni pjesë të tjera të ARN-së dhe të krijoni vaksina të kombinuara me një lehtësi të jashtëzakonshme. Për shembull, ju mund të kombinoni ARN të gripit me ARN Covid dhe të bëni një vaksinë të kombinuar kundër të dyja sëmundjeve. Kjo teknologji është revolucionare. ”

Kjo qasje u miratua edhe nga shkencëtarët e udhëhequr nga Prof Sarah Gilbert i Institutit Jenner të Universitetit të Oksfordit. Pas shpërthimit të Ebola-s në 2014-2016, studiuesit kishin përgatitur plane për të krijuar një vaksinë për çdo sëmundje të re që mund të prekë botën – dhe në kohën më të shkurtër të mundshme.

Vaksinat Moderna, BioNTech dhe Oxford-AstraZeneca ishin të parat që e bënë atë në provat klinike – por ka 200 vaksina të tjera që po testohen në të gjithë botën. Pyetja është: a do të funksiononte ndonjë prej tyre? Për muaj me radhë, komuniteti ndërkombëtar ka parë dhe pritur ndërsa përparonin testimet klinike me shpresën se mund të prodhohej një vaksinë që ishte të paktën 50% efektive në bllokimin e Covid-19.

Nga ana e tij, Şahin ishte i bindur se vaksina BioNTech do të funksiononte, por ai nuk kishte prova se kishte të drejtë derisa mori një telefonatë, në orën 8 të së dielës së 8 nëntorit nga shefi ekzekutiv i Pfizer, Albert Bourla. Sapo i ishte thënë, nga bordi i pavarur i monitorimit që studion rezultatet e provave të fazës-3 të vaksinës, se kishte tejkaluar pritshmëritë dhe se ishte më shumë se 90% efektive në mbrojtjen e njerëzve nga sëmundja.

“Ky ishte një çlirim i madh pasi na u hoq një peshë e madhe nga mendja” – tha Şahin. Şahin dhe Türeci festuan me filxhanë çaji të zi. Pjesa tjetër e botës reagoi më me entuziazëm. “Të kesh këtë lajm më pak se një vit që kur Covid-19 doli është një arritje e jashtëzakonshme dhe dëshmi e përgjigjes së jashtëzakonshme të kërkimit global,” tha Jeremy Farrar, drejtori i Wellcome Trust. “Vaksinat efektive do të ndryshojnë bazat e kësaj pandemie.”

Më shumë lajme të mira do të vinin më pas. Provat e vaksinave të Moderna gjithashtu konfirmuan se mund të siguronte imunitet të fortë ndërsa rezultatet e provave të Oxford – AstraZeneca – me gjithë disa konfuzione mbi nivelet fillestare të dozimit – sugjeruan gjithashtu se do të ishte një instrument i fuqishëm në betejën kundër Covid-19.

“Në një farë mënyre jam e befasuar që gjithçka ka shkuar kaq normalisht deri më tani,” tha Eleanor Riley, profesore e imunologjisë në Universitetin e Edinburgut. “Normalisht, kur je duke nisur një vaksinë të re, preti që diçka, në një moment, të mos dalë ashtu siç pritej. Sidoqoftë, gjërat kanë ecur përpara pa probleme – gjë që është e mrekullueshme. ”

Sidoqoftë, një numër shqetësimesh duhet ende të zgjidhen. Asnjë nga vaksinat e mëparshme nuk ka demonstruar aftësinë për të zvogëluar përhapjen e sëmundjes. Njerëzit e vaksinuar, edhe pse janë të mbrojtur nga simptomat e rënda, përsëri mund të transmetojnë infeksionin tek të tjerët dhe kjo është një çështje thelbësore, tha Riley.

“Nëse duam të kemi një të ardhme pa Covid, atëherë na duhet diçka që me të vërtetë që e ndalon transmetimin. Nëse jo, atëherë virusi do të qarkullojë pa ndërprerje dhe kushdo që nuk është vaksinuar do të jetë gjithmonë në rrezik. Në planin afatshkurtër nuk është problem. Thjesht duhet të shpëtojmë jetë. Por në planin afatgjatë do të jetë një çështje për t’u zgjidhur. “

Gjithsesi, një sugjerim inkurajues është dhënë nga vaksina Oxford – AstraZeneca. Gjatë provave të saj, pjesëmarrësit u testuan në mënyrë rutinore për të parë nëse ata që merrnin vaksinën kishin ngarkesa më të ulëta virale në fyt dhe hundë. Studimet zbuluan se ata kishin ngarkesa më të ulëta dhe për këtë arsye mund të kenë më pak gjasa të transmetojnë virusin.

Sidoqoftë, çështjet e tjera do të marrin më shumë kohë për t’u zgjidhur. Është e paqartë se sa do të zgjasë mbrojtja e vaksinës kundër Covid-19. Disa raporte kanë sugjeruar që nivelet e antitrupave fillojnë të bien ndjeshëm vetëm disa muaj pasi një person mund Covid-19, duke sugjeruar që nivelet e antitrupave të shkaktuara nga vaksina gjithashtu mund të zbehen shpejt.

“Nga analizat e Moderna dhe vaksinave të tjera, është e qartë se vaksinat nxisin përgjigje imune shumë më të forta – të paktën për sa i përket prodhimit të antitrupave – sesa shkaktohet nga një infeksion natyror i virusit. Pra, nivelet e antitrupave duhet të jenë mjaft afatgjata”.

Ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm, i cili, aktualisht, duket sikur ka një përfundim të lumtur – megjithëse shkencëtarët e kanë të qartë se do të ketë pengesa gjatë rrugës. Reagimet e padëshiruara ndaj vaksinës do të prekin disa individë. Çështja kryesore është që ne tani kemi vaksina për të trajtuar Covid-19 dhe duket se ato do të funksionojnë. Ky është një fillim. ©Marrë nga The Guardian, përktheu LAPSI.