Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të klerikut dhe intelektualit të famshëm nga qyteti i Shkodrës, Hafiz Ali Tari i cili pasi ishte diplomuar për Filozofi dhe Jurisprudencë Islame në Universitetin “Al-Azhar” të Kajros, për shumë vite me rradhë shërbeu në vëndlindjen e tij në Shkodër, ku në periudhën e pushtimit të vëndit, ai mbajti një fjalim në Kinema “Rozafat” mbi rrezikun që vinte prej ideologjisë komuniste. Fjala e panjohur e Hafiz Aliut në varrimin e Padër Gjergj Fishtës më 31 dhjetor 1940 dhe dëshmitë e Nexhmi Bushatit, Caf Jonuzit e Konrad Gjolajt lidhur me jetën dhe persekutimin e Hafiz Aliut nga regjimi komunist i Enver Hoxhës ku ai vuajti 20 vjet burg.

Kundërshtar i ideologjisë komuniste

Ju pëlqen!

Kleriku i famshëm i besimit islam, Hafiz Ali Tari ka qenë mjaft i njohur edhe si një nga kundërshtarët më të papajtueshëm të ideologjisë komuniste. Lidhur me këtë, Bushati dëshmon: “Hafiz Aliu e njihte mjaft mirë ideologjinë komuniste, që veç të tjerash ishte dhe armiku më i madh i besimit islam. Ai dinte t’i parashikonte mjaft mirë pasojat dhe rreziqet që i vinin njerëzimit prej asaj ideologjie, jo vetëm si besim, por edhe në mbarë popullin. Prandaj për të mbrojtur fenë dhe idealet e larta të atdheut, Hafiz Aliu iu kundërvu hapur ideologjisë komuniste dhe thelbit të asaj filozofie, duke deklaruar me të madhe se të gjithë ata që ndiqnin atë ideologji të importuar nga stepat e Uraleve, ishin antifetarë dhe antikombëtarë. Ai nuk e luftoi atë ideologji me sharje dhe ofendime, por duke e shpjeguar islamin si një fe hyjnore që i sillte njërëzimit mirësi, dashuri, respekt, progres e prosperitet. Dhe e gjitha ajo nuk kishte asgjë të përbashkët me me ideologjitë ç’njerëzore siç ishte ajo komuniste, të shpikura dhe të trilluara nga njerëz të ndryshëm që ishin kundër besimit tek i madhi zot. Këtë propagandë dhe veprimtari bindëse, ai e bënte jo vetëm gjatë kontakteve me popullin në shërbesat e ndryshme fetare, por edhe në bisedat e lira në xhami, në shtëpia etj., ku fjala e tij depërtonte në të gjitha rrethet shoqërore. Në vitin 1934, Hafiz Aliu botoi studimin e tij “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, të cilin e botoi në shtypëshkronjën “Ora e Shkodrës”. Në parathënien e atij libri, në mes të tjerash Hafiz Ali Tari ka shkruar: “Me antë të këtij botimi, lus vëllaznit myslymanë të mos gënjehen nga fjalët e bukura të asaj pjese intelektualësh, pse qëllimi i tyre është me dobsue konviksionin dogmatik në shpirtin e fitoreve që nuk janë të bazueme si thamë ma sipër në shkencë e filozofi dhe përfundon duke thënë: ‘Këtë parathanie të shkurtër po e mbylli tye iu lutë të Madhit Perëndi me e ruajtë popullin shqiptar prej ateizmit që është një humnerë e rrezikëshme për komb e atdhe”. Krahas atij libri ai botoi edhe një sërë artikujsh të tjerë fetarë në shtypin islam të asaj kohe, si “Zani i Naltë” etj. Duke pasur parasysh kohën dhe momentet e daljes së atij libri, vëmë re se ai është prezantuar në si në mënyrën teologjike ashtu dhe atë filozofike. Në atë libër ai argumenton në mënyrë bindëse domosdoshmërinë e fesë, besimin tek i madhi zot dhe përcakton rolin absolut të fesë për bashkimin kombëtar. Ai mbasi bënte analiza të sakta mbi fatëkeqësitë e mëdha që sillte doktrina komuniste, jepte dhe konkluzionet e rrugët nëpër të cilat duhet kalohet për të shpëtuar nga ajo murtajë”, shprehet studjuesi Bushati lidhur me luftën që bënte Hafiz Ali Tari kundër ideologjisë komuniste. Përveç shumë klerikëve të njohur, Hafiz Aliu kishte miqësi të ngushtë dhe me shumë intelektualë të tjerë jashtë sferave fetare si Hamdi Bushati, Sheuqet Muka, Hamit Gjylbegu, etj., me të cilët ai kalonte orë të tëra në biseda intelektualësh që nuk u linin gjë mangut atyre të elitës europiane. Kështu në broshurën “Kunora e lumnis, caku i filozofis” (Shkodër 1931) Hamit Gjylbegu i kushtoi Hafiz Aliut, vjershën e shkurtër të titulluar: “Tingëllimi i mordës”, me kushtimin: “Teologut të ri dhe mikut të vjetër, të përndritshëmit Hafiz Ali Krajës”.

Në burgjet komuniste

Edhe pas ardhjes së komunistëve në pushtet, Hafiz Ali Tari nuk e pushoi luftën propagandistike kundër tyre. Kështu komunistët nuk ia harruan Hafiz Aliut fjalimet që ai kishte mbajtur në Kinemanë “Rozafat” kundër rrezikut që vinte prej ideologjisë komuniste dhe sidomos atë që ai kishte mbajtur në Besëlidhjen e krerëve të Shqipërisë së Veriut. Nisur nga ky fakt, që në vitet e para të pasluftës, ai u arrestua prej Sigurimit të Shtetit dhe përfundoi në burgun famëkeq të Burrelit. Lidhur me respektin e madh që gëzonte Hafiz Aliu nga të dënuarit politikë gjatë kohës së burgut, Caf Jonuzi, një nga bashkëvuajtësit e tij shkodranë, dëshmon: “Unë pata rastin apo fatin që me të përndritëshmin Hafiz Ali Kraja të jetoj si bashkëvuajtës në burgun Nr.5 në Tiranë në vitet 1955-‘56 që për mua ma shumë se burg, ato vite i konsideroj si universitet. Asokohet në atë burg skëterrë, kishte një kontigjent të madh intelektualësh, që ishin diplomuar në universitetet ma prestigjoze të Perëndimit, si në Kembrixh, Oksford etj. Në ato ambjente burgu, Hafiz Ali Kraja jo vetëm gëzonte një nderim dhe respekt apsolut, por vlerësohej si një ndër figurat ma të spikatuna të atdhetarizmit, fesë, dhe kulturës Shqiptare”, kujton Caf Jonuzi lidhur me respektin e madh që gëzonte Hafiz Aliu kur vunate dënimin në burgjet komuniste. Një nga të dënuarit e tjerë politikë, Padër Konrad Gjolaj, në librin e tij “Çinarët” lidhur me Hafiz Aliun në mes të tjerash ka shkruar: “Hafiz Ali Tari ishte një njeri i madh për kohën… ishte pa dyshim ndër hoxhët ma të kulturuem që kam pas rastin me njoftë, për mos me than ma i dijtuni. Studimet teologjike i kishte mbarue në Kajro të Egjyptit dhe kujtohej shpesh fjala e tij me rastin e vdekjes së Fishtës. Një fetar i mirë si Ali Tari kurrë nuk mundet me qenë fanatik”. Pas daljes nga burgu i parë, Hafiz Ali Tari, vazhdoi pasionin e tij të vjetër studimet dhe mbante kontakte me miqtë e tij të një rrethi të ngushtë, si me Hamit Bushatin e Sheuqet Mukën. Por ai nuk qëndroi shumë kohë jashtë hekurave, sepse në kuadrin e luftës që ndërrmorn komunistët kundër fesë, në shkurtin e vitit 1967, ai u arrestua përsëri. Lidhur me këtë, Nexhmi Bushati dëshmon: “6 shkurti i vitit 1967 i shkaktoi traumën dhe shkatërrimin e dytë Hafiz Ali Tarit, mbasi atij iu sekuestrua e gjithë biblioteka, ku kishte thesarin e diturisë hyjnore, filozofike dhe shkencore. Ajo bibliotekë që dispononte ai ishte blerë në Kajro me një vlerë prej 700 napolona ar, saqë kur ishte në burgun e parë, ai porosite shpesh të shoqen e tij, Zenepen duke i thënë që ta ruante fort atë që të mos dëmtohej nga mungesa e tij”. Pas daljes nga burgu ku ai vuajti për 20 vite, Hafiz Aliu nuk pati fatin të jetonte shumë gjatë dhe u nda nga jeta në vitin 1974, por emri, jeta dhe vepra e tij, ka mbetur e gjallë në kujtimin e qytetit të Shkodrës.

Fjala e Hafiz Ali Krajës mbi varrin e Fishtës

“Poet Kombëtar, Patër Gjergj! Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat Tueja, rrin shtag, hutohet, pse jan shum, janë të mëdhaja edhe të madhënueshme, aq sa është e vështirë me caktue se mbi të cilën aso veprash duhet të flitet. Vepra Yte o Poet, ka për të formue një faqe të të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit shqiptar, pse me aktivitetin, qi ke zhvillue ndër konferencat politike ndërkombëtare, nuk ke tjetër veçse me i sigurue kombit t’onë të drejta që ai ka jetike e si ma i vjetri komb në Ballkan. Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën politke tanden do ta gjykojnë në bazë të ”Lahutës së Malcisë” Kryevepra jote monumentale. Të jesh i bindun, o Poet i Madh se Shqyptari me “Lahutën e Malcisë” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë si janë Helenët me Iliadën e Persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshmet e popullit shqiptar. Sot, djelmnia intelektuale me Lahutën Tande në dorë të nep besën shqiptare, tue, t’u betues se idealin Tand të naltë që shprehe për kombësin shqyptar, do ta ruejm e do ta mbajnë si gja të shtrenjtë morale. Gjithashtu edhe populli mbarë, i fushavet e i malevet, anë e kand në Shqypni sot të nep besën se lahuta e jote në shpirtin e tyne do të sundojë sa të jenë stinë e mote. Trima, gra, djelm e varza me fjalën shqiptare të napin besën, se vëllaznimin kombëtar, qi Ti çfaqe në Lahutën, do ta mbajnë me forcën ma të madhe. Mbreti Perandor e Duçja i Fashizmit, e çmuene vlerën e madhe tanden, tue t’emnue anëtar të Akademis ma të naltë të Perandorisë romane. Me këtë rast ti u njofte një personalitet botnuer, u bane shoq me Markezin e vehtje tjera të botës kulturale, veçanërisht t’Evropës Oksidentale. Me ty, Patër Gjergj, Kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”./Memorie.al

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.