Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar sot në një intervistë televizive një bast personal mbi marrëveshjen e detit me Greqinë. I pyetur rreth kësaj çështjeje për të cilën z. Berisha nuk heziton asnjëherë të flasë, ai ka thënë se marrëveshja e vitit 2009 është më e mira që mund të arrinte vendi ynë.

Nuk ka një kufi detar të përcaktuar mes Greqisë dhe Shqipërisë. Të gjithë ata që thonë se ka një kufi, përfshi Gjykatën Kushtetuese, gënjejnë, gënjejnë, gënjejnë. Në këtë kontekst, qeveria e asaj kohe dhe qeveria greke ramë dakord të bëjmë përcaktimin e kufirit detar. U arrit marrëveshja, në të cilën u përdor metoda e barazlargësisë, metodë e cila është përdorur në 96 përqind të të gjitha rasteve të ndarjes së kufijve. Pra u përdor metoda kryesore.

Çfarë ndodhi? Filloi përpjekja kundër kësaj marrëveshje, të cilën historia do e provojë se është më e mira që mund të merrte Shqipëria. Në mënyrë absolute nuk kam falur asnjë metër, por jam i bindur se nuk kam marrë maksimumin. Marrëveshja dhe maksimumi nuk pajtohen. Ka një ekspertizë ndërkombëtare që thotë se është optimale është shprehur Berisha.

Nuk është e qartë se çfarë e mundon Berishën në këtë histori, por ngarkesa e madhe që iu krijua për këtë çështje, ndoshta është një shtysë për të kompensuar diçka te kundërshtari politik.

Nga ana tjetër, si një njeri që ka kohë në politikë, z. Berisha e ka të qartë se vonesat pa arsye në ndarjen e kufijve me fqinjët nuk janë të mira dhe është jashtë çdo diskutimi se koniunkturat nuk mbeten përherë të favorshme. Në këtë kuptim lufta a priori ndaj marrëveshjes eventuale me Greqinë tejkalon ndonjë brengë personale.

Një arsye për këtë do kërkuar tek angazhimi personal i z. Berisha për të bllokuar marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, e cila në fakt vuante nga defekti i rëndë i cedimit real në territor. Përveç kësaj lëshimet e presupozuara dhe të përfolura u prezantuan dhe mbrojtën aq keq saqë çliruan energji politike në Kosovës dhe nëse e shohim në një plan strikt politik, Berisha arriti një fitore qoftë edhe duke kapur rol protagonizmi.

Sot të njëjtën z. Berisha po e zhvendos në raport me Greqinë, duke provokuar një krizë të thellë besimi brenda vendit me fjalët triliona euro dhe falje e detit. Është e çuditshme të shohësh se përkundrejt këtij agresioni verbal të kurdisur mirë, qeveria e liderit të Ballkanit është zbythur në pozicionin absurd: Nuk ka Negociata.

Pra sot kryeministri i vendit po na thotë se as nuk flet me palën greke për këtë çështje, si e si që ta shmangë aktualizimin e këtij debati para zgjedhjeve. Mirëpo një qeveri serioze dhe që nuk ndjek politika të momentit nuk duhet t’i ikë negociatës, as edhe të mbajë heshtje për çështje që varen prej saj. Në këtë kuptim ecja përpara për arritjen e marrëveshjes është e vetmja rrugë serioze që mbetet qoftë edhe pse, siç tha kryeministri sot në Parlament, në demokraci ka instrumente kushtetuese kundërshtimi.

Në fund të fundit këtë bëri z. Berisha: firmosi një marrëveshje të cilën ja filtroi sistemi në fuqi. Zoti Rama, të cilit i pëlqen të bindë veten se luan politikë të madhe, thjesht ikën e lë tavolinën. Diçka që në finale hap rrugën që nesër të jetë qeveria tjetër ajo që përfundon marrëveshje të cilat duam apo nuk duam do të bëhen.