“Alzheimer është një sëmundje e rëndë që lidhet me harresën. Nuk ka të bëjë shumë mosha, im shoq u diagnostikua me Alzheimer në moshën 58 vjeçare. Vura re prej ditësh që filloi të bënte veprime që nuk i bënte më parë. I linte gjërat vend e pa vend, kur ai ka qenë përherë i rregullt. Më vonë harronte se ku i kishte lënë.

Një mëngjes e zgjova për t’u bërë gati për punë dhe më pa i frikësuar duke më pyetur se kush isha. U zhvendos në cep të krevatit i trembur dhe për disa minuta u duk sikur nuk më njihte. Nga ai moment nisa të dyshoja për gjendjen e tij dhe i kërkova më vonë të shkonim për vizitë tek një mjeke neurologe. Ajo na konfirmoi diagnozën e Alzheimer duke më kërkuar t’i qëndroja sa më pranë. Persona të tillë kërkojnë shumë kujdes, në të kundërt sëmundja përparon akoma më shumë.

Mjekja më tha se kjo është një sëmundje që pavarësisht trajtimit, nuk ka kthim pas, vetëm avancon. Ajo çfarë mund të bëhet për ta ndaluar ecurinë e shpejtë, krahas mjekimit, është përkujdesja maksimale duke i mbajtur persona të tillë sa më pranë realitetit dhe duke vizituar shpesh të afërmit në mënyrë që të mos i harrojnë. Që nga ai moment, jam kujdesur maksimalisht për tim shoq. Sapo ai shkëputet me mendime në botën e tij, ose më shikon i habitur për diçka, filloj t’ia rikujtoj dhe e shoh që i rikthehen sërish kujtimet.

Ju pëlqen!

E di që e kam lënë veten time shumë pas dore. U shkëputa nga puna dhe mund ta mendoni sa e vështirë është të jetosh vetëm me pensionin e invaliditetit të bashkëshortit, por kjo është gjëja që më shqetëson më pak. Ajo që realisht më shqetëson, është se një ditë ai mund të zgjohet dhe të mos më njohë më, apo edhe të më lëndojë duke mos mbajtur mend se po kalojmë jetën bashkë. Nuk ka ushtruar kurrë dhunë ndaj meje, por kjo sëmundje është plot me të papritura dhe kam një frikë të madhe brenda vetes.

Tregohem shumë e kujdesshme që të mos e lë vetëm në shtëpi për një kohë të gjatë. Dal herët në mëngjes për të bërë pazarin dhe kthehem në shtëpi për ta zgjuar. Kjo rutinë më duket ndonjëherë e mërzitshme, ama ky është fati im dhe nuk pendohem. E di që edhe ai do të vepronte po njësoj, nëse do të gjendesha në të njëjtën situatë.

Dua të jap një mesazh për ata që kujdesen për personat me Alzheimer, apo me çdo lloj demence tjetër. Mos u mërzitni, nuk është fund ii botës. Unë lutem shumë që Zoti t’ju japë durim dhe ta përballoni gjithçka lehtë. E di që është e vështirë, do ta harroni veten tuaj duke u kujdesur për personin tjetër, ama mendoni gjithmonë se sa rëndësi ka ai person për jetën tuaj dhe se si përkujdesja juaj atij personi i shton jetesën cilësore”.

Cathy Hurd , bashkëshortja e Boz Hurd, i cili vuan nga demenca e Alzheimer

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.