Nëse lexon këto ditë “Rilindjen Demokratike”, gazetën zyrtare të Partisë Demokratike, mund të marrësh shijen e një realiteti të mbyllur prej kulle ku kjo forcë po fortifikon veten.

Përfaqësues të saj po thonë se PD-ja nuk i njeh zgjedhjet, sepse zgjedhje nuk pati. Mirëpo të njëjtët vazhdojnë duke pranuar se mosnjohja e zgjedhjeve nuk do të thotë mospjesëmarrje në Parlament. Ky lloj qëndrimi nuk dihet se çfarë kuptimi ka, pasi nëse zgjedhjet nuk ishin zgjedhje, prej nga buron mandati i përfaqësuesve të PD-së.

Nuk kemi të bëjmë me një gabim logjik që nuk kuptohet, por me një logjikë kokfortë të shtënë në punë për të mbrojtur pozocione absurde dhe që nuk përputhen me interesin publik. Ajo që po na ndodh para syve është një lloj legalizimi i PD-së në pronësi të pak njerëzve, tanimë formalisht, përderisa narrativa postzgjedhore e adoptuar në fakt shkon në vijë vetëm me interesin privat të drejtuesve të kësaj partie.

Nuk ka në këtë narrativë asnjë pikë takimi jo me interesin publik, por me perceptimin e përgjithshëm mbi atë që ndodhi më 25 prill. PD-ja nuk fitoi, edhe nëse zgjedhjet u manipuluan, sepse nuk është fitore vetëm diferenca numerike. PD-ja nuk fitoi sepse nuk arriti të ishte as alternativë dhe as shpresë, por më e mira një mundësi numerike në fletë votimi, një shans për dëshpërimin dhe një dritare për përçmimin ndaj kësaj shumice.

Por që ajo të bëhet shumicë duhet të bëhet bërthamë e besimit publik, çka nuk arrihet me beteja donkishoteske të inskenuara më tepër sesa reale, prej atyre që e shpërdoruan besimin publik në tetë vjet me radhë. PD-ja po bën atë që di të bëjë më mirë, për të cilën e specializoi Lulzim Basha: hilenë politike. Ajo po shkel syrin teksa përbetohet për misione e revolucione. Po bën palaçon që të nxjerr gjuhën sapo kthen shpinën, pasi siç e shohim askush nuk po e merr seriozisht këtë revolucion të ri të saj. As ajo vetë veten. Jo sepse pretendimet e saj nuk qëndrojnë apo nuk kanë bazë, por sepse vetë kjo parti e dëshiron betejën politike, e shpik atë thjesht dhe vetëm për të mbijetuar jo sepse na paska një angazhim për interesin publik.

s.zaimi