Në vitin 2014 piktori Gazmend Freitag ka vizituar armët e Skënderbeut në muzeun historik në Vjenë. Kur e pa helmetën dhe shpatën e Skënderbeut e përshkroi një rrëqethje e madhe dhe e gjatë në tërë trupin.

“Ishte një ndjenjë lumturie e pa përjetuar kurrë më parë, para ndonjë objekti apo elementi kombëtarë. M’u duk sikur e takova vet Skënderbeun! Ishte një takim imi me Skënderbeun pas 500 vjetësh”, pohon piktori.

Pas këtij takimi shpirtëror në të u pasqyrua një frymëzim i madh për t’i pikturuar armët e tij.

Ju pëlqen!

“Nga fotot e bëra, që i shikoja gjithmonë,  ku dy vjet më vonë, pra në janar të vitit 2017, fillova të pikturoj me vaj që edhe zgjati gjysmë viti. Përgjatë procesit të pikturimit të armëve të Skënderbeut kam qenë i përmbushur me atë energjinë pozitive që morra nga vizita që isha në muzeum, ku qëndrova me orë të tëra.

Më preokupon edhe sot për pasardhësit e tij, kush janë dhe kah janë të shpërndarë nëpër botë”, thotë artisti.

Ai tutje pohon se është shumë i lidhur shpirtërisht me heroin tonë legjendar Skënderbeun, po ashtu edhe me shumë figura tjera kombëtare e që janë inspirim për punën që ai bën.

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu është hero kombëtar i shqiptarëve, i këtij populli të lashtë dhe me histori shumë të veçantë, është figura më e madhe, është figura me të cilën identifikohen shqiptarët, është figura që i bën krenar, që i frymëzon në të gjitha fushat, pra edhe në art. Gjatë pesë shekujve, Skënderbeu ka qenë gjithmonë figura që i ka bërë bashkë shqiptarët, që i ka frymëzuar me atdhedashuri, me vullnet dhe me përkushtim për t’u bashkuar, sepse, siç thoshte edhe vetë Skënderbeu, të bashkuar bëhemi më të forte”, thotë për fund Gazmend Freitag.

 

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.