Më 13 dhjetor 2019, Baton Haxhiu që thotë se është gazetar, shkruajti një artikull kritik ndaj ambasadorit amerikan në Kosovë, Kosnett. Arsyeja e kritikës ishte ato që Haxhiu i quante lëvdata të ambasadorit amerikan për Vetëvendosjen. Sot Haxhiu ka vënë në fokus të kritikës SHBA-të dhe Shtëpinë e Bardhë. Sipas tij me atë që i ndodhi Hashim Thaçit, u poshtërua Shtëpia e Bardhë, pasi asaj i doli nga kontrolli një proces negociimi i përgatitur me kujdes. Thotë ndër të tjera Haxhiu:

Prokuroria veproi në një moment krejtësisht brutal dhe kjo nuk mund të jetë e paqëllimshme. Prokuroria tregoi se është politike dhe ka mohuar që 2 milionë shqiptarë të përfaqësohen në fillimin e një misioni paqeje të udhëhequr nga vet Presidenti amerikan.

Ky moment drejtësie është i pashembullt dhe jo-proporcional në rrafshin e të drejtës dhe e bën këtë Gjykatë të pabesueshme.

Ju pëlqen!

Por, cilat janë implikimet për Kosovën në të ardhmen, dhe a është rrezikuar projekti i shtetësisë?

Natyrshëm vjen menjëherë dëmtimi i reputacionit dhe pozicionit të Kosovës në çfarëdo procesi negociues në të ardhmen.

Me përjashtimin efektiv të SHBA-ve nga lidershipi në Dialogun e ardhshëm, vështirë se do të ketë marrëveshje nën Administratën aktuale të Trump. Dialogu kthehet ne Bruksel.

Aktakuza rrezikon ta ndërrojë narracionin për luftën në Kosovë dhe paradoksalisht i vesh liderët serbë me petkun e paqebërësve, duke ua forcuar jashtëzakonisht shumë pozicionin në negociata.

Pavarësisht trumbetimeve që Administrata Biden do të krijojë rrethana më të mira për Kosovën, është e gabuar, sepse duhet sqaruar disa çështje që janë në kujtesën e veprimeve.

Nën Administratën Obama-Biden, Kosova përfundimisht ka rënë si çështje prioritare në SHBA. Në vend se të krijohej momentum i ri politik për forcimin e shtetësisë së Kosovës, pas vendimit të GJND-së, SHBA ka lejuar që çështja e Kosovës të zhvendoset në Bruksel.

Rezultatet e një dekade negociatash, të udhëhequra nga BE, më së miri shpjegohen me gjendjen në Urën e Ibrit, që pavarësisht propagandës, investimeve, vizitave, mbetet e mbyllur. Pra, në bllokadë…

Mandej Haxhiu vazhdon me renditjen e gjatë të ankesave të veta që në fakt janë qarje hallesh për ustain e tij, Hashim Thaçi. Por aq qëndrojnë këto argumente të zotërisë? Përgjigja është vetëm një: JO. Sepse vërtet që Kosova mori një goditje në imazh, por ajo ka instrumente ta shndërrojë këtë goditje në forcë duke kërkua të nxjerrë Thaçin nga implikimi personal i tij me punët e shtetit. Kosova ka institucione dhe jeta e saj nuk nis e mbaron me Hashim Thaçin.

Zoti Haxhiu thotë se prokuroria “ka mohuar që 2 milionë shqiptarë të përfaqësohen në fillimin e një misioni paqeje të udhëhequr nga vet Presidenti amerikan”. Absolutisht e pavërtetë. Pakkush në Kosovë ishte i përfaqësuar në një takim ku Hashim Thaçi mund të firmoste edhe ndarjen e vendit për të cilin hoqi nga pushteti edhe kryeministrin Albin Kurti.

Vërtet dialogu i udhëhequr nga BE-ja zgjati, por te kjo dobësi europiane ne duhet të shohim edhe faktin se BE-ja ndërmjetësoi mes palëve dhe nuk imponoi. Shtëpia e Bardhë e poshtëroi qeverinë e Kosovës duke kërkuar heqjen e tarifave dhe duke vendosur në tryezën e diskutimit idenë e shkëmbimit të territoreve. Çka do të thotë se SHBA nuk po ndërmjetësonte, por po urdhëronte një marrëveshje për të cilën gjeti tre ushtarë të gatshëm: Vuçiçin që nuk humbiste gjë përveç se merrte mbështetje dhe garanci për në BE, si dhe Ramën dhe Thaçin që do të shisnin një paqe strategjike që u vlen vetëm karrierave të tyre. Asgjë tjetër.

Ku përfaqësohet në këtë mekanizëm Kosova dhe shqiptarët siç përpiqet të na thotë Haxhiu? Asgjëundi. Dikush mund të thotë se Kosova marrëveshje më të mirë se kjo nuk mund të marrë. Këtë ne nuk e dimë. Sepse as Serbia nuk tërhiqet dot nga proceset ku është angazhuar. Dhe në fund siç na thotë strategu i shquar kombit shqiptar, Edi Rama, ne kemi humbur për shkak të përçarjes, jo forcës së Serbisë. Ndoshta ka dashur të lajë shpirtin e tij nga një mëkat që ia mvesh të tjerëve.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!