Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar zërat se Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar shtatë ministri në koalicionin e ardhshëm qeverisës, teksa kanë theksuar se ata asnjëherë nuk do të bien pre e kushtëzimeve në negociatat mes tyre, pasi sipas tyre nëse ka kërkesa të papranueshme, vendi duhet të shkojë sërish në zgjedhje.

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një intervistë për , thotë se përkundër faktit që kanë caktuar grupet punuese për të negociuar me LDK, takime të tilla ende nuk kanë ndodhur.

“Nuk qëndron ajo që sot ka dalë në disa portale. Pra, janë spekulime për faktin se menjëherë pas atij takimi ne kemi mbajtur mbledhjen e kryesisë, ku kryetari dhe nënkryetari na kanë njoftuar si ka shkuar takimi. Nuk ka pasur asnjë kërkesë nga ana e LDK-së për ndonjë numër të caktuar të ministrive. Nuk ka pasur ndonjë kërkesë tjetër, apo kushtëzim. Unë besoj që kjo do t’i takoj diskutimeve të grupit punues dhe kryetarëve. Unë besoj sa i përket mandatarit për kryeministër e ka vendosur qytetari dhe kjo nuk vjen në diskutim. Pra, kandidati ynë do të jetë Albin Kurti, sepse kështu ka kërkuar sovrani. Sa i përket ministrive do të ishte mirë që ndarja të jetë në mënyrë të barabartë. Prandaj Lëvizja Vetëvendosje, unë nuk mundem të paragjykoj se çka do të ndodhë tutje, por ne nuk biem pre e çfarëdo kushtëzime në këto negociata. VV nuk e ka problem nëse vendi shkon në prapë në zgjedhje, nëse ka kërkesa që VV nuk mund t’i pranojë është alternativa tjetër”, pohon Haxhiu.