Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar Qeverinë aktuale për keqmenaxhimin e situatës me pandemi, duke kërkuar që sa më parë të miratohet ligji anti-Covid

Në një konferencë për media, deputeti i PDK’së Bekim Haxhiu, tha se Qeveria aktuale po i bën gabimet e ish qeverisë, duke mos marrë masa të duhura dhe menaxhuar më mirë këtë pandemi.

Haxhiu ka kërkuar që të mos paragjykohen rastet e vdekjeve, por të lejohen organet e hetuesisë të kryejnë punën e tyre.

Ju pëlqen!

“Po ashtu, kërkojmë që asnjë rast të mos paragjykohet dhe t’u japim mundësi dhe kohë hetimeve që ta thonë fjalën e tyre. Nuk duhet të humbasim më shumë kohë për ta miratuar Ligjin Anti-COVID-19, i cili, sipas PDK-së, do të duhej të fokusohej në tri masa kryesore”, ka thënë Haxhiu.

Ai ka shtuar se duhet të rregullohet vendosja e masave për çdo sektor dhe të penalizohen ata që nuk i respektojnë masat.

“Kjo nënkupton masa të rrepta që përfshin mobilizim dhe bashkërendim të aktiviteteve mes institucioneve qendrore, administratës, komunave, inspektorëve e policisë, në mënyrë të kontrolluar 24 orë në betejën kundër pandemisë”, ka thënë ai.

Haxhiu ka shtuar se nuk duhet të mbyllen bizneset e kufijtë, apo të kufizohet liria e lëvizjes.

“Assesi nuk do të thotë kthim në gjendjen e mbylljes totale të ekonomisë, të shoqërisë, bizneseve, kufijve apo kufizim të lirisë së lëvizjes. Por, respektim i rreptë i rregullave dhe gjobë për këdo që i thyen ato masa, sikurse po veprojnë të gjitha vendet e Evropës”, ka thënë ai.

Ai deklaroi se Qeveria Hoti po i vazhdon gabimet e Qeverisë Kurti, në menaxhimin e pandemisë.

“Së dyti, gabimet e ish Qeverisë Kurti në menaxhimin e pandemisë po vazhdojnë edhe nga Qeveria e re”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu deklaron se partia e tij propozon që të rritet numri i testimeve për COVID-19.

“Po ashtu, shumica e shteteve kanë hyrë me teste serologjike të cilat me gjithë të metat që kanë, po pasqyrojnë një ide të profilit të pacientëve të infektuar me këtë sëmundje dhe një përqindje reale që e kanë kaluar. Fatkeqësisht, Kosova as përafërsisht nuk e di dhe nuk ka një përqindje të përafërt. PDK propozon që me këto teste të përcaktohet një mostër prej 10 mijë personash në nivel të Kosovës dhe të shikohet ku qëndrojmë si popullatë në raport me këtë sëmundje”, ka thënë Haxhiu.

Ai ka kritikuar Qeverinë edhe për mungesë transparence rreth rasteve me COVID-19.

“Pra, krejt çka mësojnë qytetarët në fund të ditës janë numri i vdekjeve, i të infektuarve dhe të shëruarve. Por, mungojnë informata të tjera bazike mbi natyrën e sëmundjes te të sëmurët, rrethanat e infektimit dhe cilat janë momentalisht vatrat më të mëdha të infektimit në Kosovë”, ka thënë deputeti i PDK’së.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!