Politika amerikane në rajonin e Ballkanit Perëndimor është vendosur së fundmi para sfidave që mund të çojnë në disa zhvillime. Së pari, SHBA nuk e kishte parashikuar këtë rezistencë nga qeveria e Kosovës për çështjen e tarfiës ndaj mallarave serbe, nisur nga investimi themelor amerikan në krijimin e këtij shteti. SHBA kanë folur hapur dhe troç, kanë ecur përpara madje duke i refuzuar kryeministrit Ramush Haradinaj vizën hyrëse, ndërkohë që sot bëhet e ditur se komandanti i Gardës Kombëtare për Ioëan, gjeneral majori Timothy Orr ka anulluar vizitën me arsyetimin absurd se nuk ka përparim në dialogun Kosovë-Serbi.

Paralel me këtë gjendje bllokazhi, në Serbi protestat kundër presidentit Aleksandër Vuçiç kanë hyrë në javën e dhjetë. Agjencia gjermane e lajmeve, Deutsche Welle bën me dije se protesta janë zhvilluar në 40 qendra të banuara dhe ato drejtohen kundër Partisë Progresiste Serbe të Vuçiç. Në to ka patur thirrje kundër presidentit që akuzohet për autoritarizëm.

Mirëpo demokracia është shqetësimi i fundit i SHBA-së sot, e cila po mësyn më shumë rreth mbylljes së disa marrëveshjeve që do të mundësonin mandej formalisht aderimin e vendeve të këtij rajoni në suazën e garancive të sigurisë së SHBA-së. kështu ndodhi me Maqedoninë dhe Greqinë, kështu po ndodh në rajonin e Qipros, kështu mesa duket edhe mes Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë arsye qasje ideologjike i ka mbetur në derë BE-së dhe Gjermanisë, që po investohet që kufijtë të mos preken. Është e qartë se rishikimi i tyre do të çonte në idenë e përshpejtimit të procesit të shtetit etnik në një rajon ku kjo është praktiksiht e pamundur, duke sterilizuar çdo ide që ka si premisë pajtimin.

Situata ndërkombëtare është e ndërlikuar dhe me incidentin e fundit mes Italisë dhe Francës, ajo priret që të pështjellohet edhe më shumë. Ngjan se kjo duhet të nxisë Prishtinën që të pranojë çdo marrëveshje, por në fakt nuk ka pse të jetë kështu. Protestat në Serbi udhëhiqen nga njerëz që janë kundër rishikimit të kufijve e ca më keq, shkëmbimit të territoreve. Por në çdo rast, Beogradi zyrtar ka shkuar larg tashmë, ai ka pranuar dialogun dypalësh, pra njohjen de facto. Çdo subjekt që do të vinte në pushtet mund të shtojë pretendimet, por kjo nuk e impresionon dot Kosovën dhe as e vë atë në kushtet e presionit. Sepse çdo ndryshim përmbajtësor nga Beogradi do të neutralizonte punën dhe autoritetin e deritanishëm të BE-së dhe sigurinë e SHBA-së se nga Serbia ka një aktor racional që luan për ta.

Për këtë arsye protestat në Serbi janë një faktor më shumë në dobi të Prishtinës, e cila ka të drejtën që të kërkojë kohë për të parë sesi do të evoluojë situate. Në varësi të çdo koniunkture të brendshme serbe, Kosova mund të luajë duke përcaktuar madje deri diku elektoralisht fituesit. Është kjo perspektivë që po shtyn amerikanët të presojnë për nxitim në arritjen e marrëveshjes me Serbinë, që duhet të mbyllet para zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Dhe duhet të jetë pikërisht ky fakt që duhet ta përforcojë pozitën e Haradinaj për ta kundërshtuar heqjen e tarifës dhe çdo ide për rishikim të kufirit. Struktura që ushqen autoritetin e Perëndimit në Ballkan po shpërbëhet me shpejtësi dhe çdo marrëveshje që lidhet në kohë tranzitore është e paqëndrueshme. Kjo nuk do të thotë që aleanca e shqiptarëve me Perëndimin të vihet në diskutim, por që Perëndimi të kuptojë se nuk mund të sillet me shqiptarët siç është sjellë 100 vjetët e fundit.

Në bilanc të fundit, sot që flasim, faktori serb në rajon as është më i dobët se faktori shqiptar, por nuk është as esencialisht më i fortë. Ai nuk mund të ditkojë asnjë zgjidhje që nuk miratohet nga shqiptarët, kjo është shumë e qartë. Thjesht shqiptarët duhet të zgjidhin brenda vetes që të mos lejojnë tregëtarët të vendosin për ta, të tjerat koha do t’i çojë në vendin e vet.

Respublika

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët. Askush nuk e kontrollon gazetarinë dhe kritikën tonë. Ndihmojeni MekuliPress të paktën me 1 euro. Mbështete sot median e pavarur kombëtare.