ZIA E MORTIT PANDEMIK DHE PUÇI BARBAR
Rushit Ramabaja

Njerëzimi, gjatë ecjes së vet nëpër kohë, krijoi dhe sofistikoi ligjet e sjelljes në ditë të lumtura gjallimi e në ditë të përzishme morti. Këto ishin shenjat dalluese të qytetësisë së tij.

Edhe ne, shqiptarët, i vumë këto shenja si emblemë të qytetërimit qysh në antikitet. Dhe i bartëm nga brezi në brez. Prandaj në kohë morti ose lufte, sipas këtij ligji të lashtë, pushonin të gjitha armiqësitë në mes rivalëve, së toku i mbanin vëngjillën të vdekurit dhe pastaj, kur të kish mbaruar koha e zisë, jetën e kthenin në rrjedhën e zakonshme.

Ju pëlqen!

Por, Kuvendi i Kosovës, duke shkelur mbi këtë ligj të lashtë, të mërkurën e 25 marsit 2020, me shumicë votash, bëri atë që asnjëherë në kohë të tilla zie nuk kishte bërë asnjë parlament i botës: kreu grusht shtet mbi qeverinë e ligjshme, pra përdhosi ligjin mijëra vjet të vjetër, i cili është i kodifikuar edhe në të drejtën dokesore të shqiptarëve (Kanuni i Lekë Dukagjinit).Hajdutët e mëdhenj

Hajdutët e mëdhenj, servilët qyqarë dhe rrugaçët provincialë
Këtë e bëri përkundër këmbëngujes së ekspertëve shëndetësorë se s’do të duhej të rrezikonin shëndetin e vet e të shumicës për të nisur një betejë të palavdishme politike pa kaluar ky mort zie (mijëra të vdekur anembanë botës, sa mezi po gjenin varrtarë t’i varrosnin dhe aq më pak vajtojca t’i qanin, madje një deputet i parlamentin italian me lot në sy po thoshte se më s’kishin vend as ku t’i kallnin të vdekurit), pra, përkundër përgjërimit të nënave, të etërve, të motrave, të intelektualëve, të shoqërisë civile, të diasporës dhe të gjitha shtresave popullore, puçistët u turrën me një zhgan vërtet barbar dhe m 82 vota rrëzuan Qeverisë Kurti.Thashë zhgan barbar, sepse në ditën kur nëpër botë mijëra varrtarë po hapnin varre pa pushim, deputetët tanë, si ujqër të shndërruar në hënë të plotë, po harronin misionin e tyre dhe po shndëroheshin sakaq në varrtarë, aq sa të linin përshtypjen se ishin në gjendje, jo vetëm ta rrëzonin, por dhe ta varrosnin të gjallë Qeverinë Kurti.

Kaq të egër dhe të panjerëzishëm ishin. U bashkuan partitë e PAN-it me LDK-në e minoritet, pra gjithsej 82 puçistë egëshanë kundër të vetmuarës Lëvizje Vetëvendosje e kundër Albin Kurtit. Në atë çaste të vështira, që do të jetonin përgjithmonë në kujtesën tonë kolektive, LVV-së i ndenjën në krah vetëm Vjosa Osmani, Haxhi Abdyli dhe një deputet tjetër nga parteri i koalcionit. Në ato çaste ligësie të neveritshme, kur të pashpirtët po e hidhnin Albinin në mugën e pusit si Jozefin biblik vëllezërit smirëzinj, vetëm motër Vjosa po përpiqej ta mbronte si luaneshë. Pra, të gjithë të tjeret u bënë bashkë – hajdutë e haxhiqamilë, që nga servilët qyqarë të LDK-së (që siç u pa, qenë më shumë të nxitur nga instikti i deles së plagosur për ta ndjekur ujkun e për t’i sherbyer derisa t’i hante përfundimisht kokën) , e deri te hajdutët e mëdhenj të PDK-së, huriharaçët e AAK-së dhe rrugaçët provincialë të NISMËS.

Po pse, po qysh? Çfarë ishte Qeveria Kurti dhe kryeminstri saj, pse puçistët nuk mundën ta duronin më shumë se 52 ditë dhe pse të gjitha shtresat popullore e kishin parë këtë qeveri si shpresë e si fytyrë të së nesërmes dhe pse e identifikonte aq fuqishëm me ëndrrën e vet? Pa dyshim nuk ishte ndërrim i zakonshëm i qeverisë se vjetër me qeverine e re. Përgjigjen kemi mundur ta lexonim në fytyrat e njerëzve pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019. Në ato fytyra për herë të parë pas njëzet vjetësh, po vizatohej shpresa e galduar për barazi, për shkollë më burbujtare, për shëndetësi më cilësore, për gjyqe e drejtsi të njëmendtë, për shtet të dinjitetshëm e për jetë me aureolë të vërtetë të lirisë. Për njëzet vjet na kishin sunduar halabakë të pagdhendur të fshatit, pa dije, pa traditë e pa kulture, që ishin hamës të pangopshëm dhe kishin prirje të lindur të bëheshin vetëm hajdutë të panginjur, atdhengrënës, hamës, huriharaçë, zhvatës, tuxharë të tokave, të tenderëve, të grave e të bagëtisë dhe matrapazë gjithfarësh, që na kishin kishin vjedhur edhe këmishën e trupit dhe na kishin hëngër atdheun deri në nënsqetulla.

Në luftën 20-vjeçare kundër batërdisësve që po na plaçkitnin atdheun dhe po rrënonin trupin e brishtë të shtetin, (pasi kishin zhvatur çdo gjë, ata kishin nisur t’u shisnin fqinjve dhe tokat stërgjyshore – Maqedonisë, Malit të Zi e Serbisë), Albini gjithmonë kish qenë në ballë, qoftë në protestat e shumta, qoftë në parlament. Fliste, gjykonte dhe vizatonte ëndrrën e shpirtin tonë. Kish mpehur oratorinë e qëndresën dhe kish sofistikuar modelin e filozofinëe re të shetndërtimit. Dhe me guxim, mençuri e stoicizëm kish mposhtur obskuratizmin e pushtetarëve atdhengrënës. Megjithatë, atdhengrënësit e kishin burgusur bashkë me aktivistët e LVV-së, e kishin torturuar, i kishn vënë hekurat në këmbë e në duar. Madje kishin trilluar gjoja sulmin e e armatosur të VV-së në objektin e Kuvendit dhe pak nga pak dhe ia kishin burgosur aktivistët e pafajshëm e ia kishin vrarë në burg Astrit Deharin.

Një çikë më vonë kishin sajuar organizatën e paqenë, “Syri i popullit”, që ia kishin vënë nofkën “terroriste”. Të gjitha i kishin bërë vetëm që Albin Kurtin ta shpallnin terrorist dhe në emër të kësaj LVV-së t’i vinin damkën e të jashtëligjshmes. Vetëm po përatiteshin ta ngjisnin në golgotë me kryqin në shpinë.

Por Albini, kish ngadhënjyer dhe pak nga pak, në sytë e njerëzit të të gjitha shtresave, kish nisur të ndriçohej me breroren e shpëtimtarit. Fjala e tij para turmave, rrezëllente nga urtësia solomoniane dhe kishte një dritë, që u kish munguar liderëve modernë, jo vetëm të rajonit. Diçka të ngjashme pohon dhe vetë filozofi slloven me famë botërore, Slavoj Zhozhek. Ai duke e quajtur këtë rrëzim “një grusht shteti të forcave obskurantiste”, shton se “qeveria e kryesuar nga Albin Kurti ishte ndër shenjat shumë të rralla të shpresës në rajonin e Ballkanit”, e cila qeveri, “frymëzohej nga një iluminizëm emancipues.” Madje filozofi Zhozhek jep një mësim jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë botën: “Ne pamë se si mund të përdoret politikisht epidemia e tmerrshme që po na shkatërron jetët – ajo përbën shembullin se si ata në pushtet do ta shfrytëzojnë pamëshirshëm pandeminë për të imponuar vizionin e tyre për rendin e ri botëror. Është detyra jonë e shenjtë ta sqarojmë këtë për publikun e iluminuar në të gjithë botën, pasi historia e Kosovës kërcënon të shndërrohet në historinë e të gjithë neve.”
Kryemëkatarët

Qyshdo që të jetë, kryemëkatarë të brendshëm për grushtin e shtetit të 25 marsit 2020 janë dy veta: Hashim Thaçi e Isa Mustafa. Meqë për Thaçin pothuaj të gjitha tashmë dihen dhe më duket e neveritshme të hyj në moçalin e prapësive plot errësirë e mister, do të përmend vetëm disa nga mëkatet e Mustafës. Ky Isa, ose Putini, siç i thotë populli (jo vetëm për tullën pa asnjë qime dhe jo vetëm për akullnimin e fytyres), ka fajni të moçme e të reja. Nuk do të ndalem në mëkatet e moçme të kohës së Rrahës e të Miloshit, por vetëm në këto të pasluftës. Dhe janë gjashtë mëkate sa bjeshka. I pari, ardhja me puç në krye të LDK-se dhe dëbimi i Fatmir Sejdiut; i dyti, tradhtia që ia bëri VLAN-it duke i shkuar natën Hashimit; i treti, zgjedhja e presidentit aktual nëpër zjarrin e kundërshtimit popullor; i katërti, shtrëngesa që iu bëri deputëve për ta votuar Gjykatën Speciale (një gjykatë raciste, që i gjykon vetëm shqiptarët pse kishin guxuar të ngriteshin kundër shkelësit serb); i pesti, lufta e paturpshme, prapaskenat dhe shantazhet për t’i bindur deputët të votonin demarkacionin me Malin e Zi dhe i gjashti –puçi i 25 marsit 2020, për të cilin zotin Putin nuk do të mund ta lajnë as të dy Drinat bashkë. Ky ishte puçi i dytë dhe mëkati i gjashtë.

Të ndalemi shkarazi te demarkacioni. Pa dyshim është episodi më tragjikomik në historinë e politikës prej tuxhari të Isës. Si shërbëtor i devotshëm i Hashimit, dy vjet bëri gjithçka për ta përligjur shitjen e 8230 hektarëve Mali të Zi. Përdori mashtrime, gënjeshtra, shantazhe e trillime gjithfarëshe kundër deputetëve të vet për t’i bindur se Çakorri kishte zbritur në Kuqishtë, sikur te mundohej të na bindte, për shembull, se Gërmia kish rrëshqitur e kish rënë ne Lipjan. Por nuk ia doli ta errësonte të vërtetën e zbardhur nga Shpejtim Bulliqi e Florim Isufi. Nuk e mbështetën As Vjosa Osmani, Adem Salihaj e plot deputetë të tjerë. Nuk bënë punë as ambasadori i atëheshëm amerikan, dhe madje as sharjet prej rrugaçi që u bëri kryetari i Akademise se Shkencave e te Arteve Hivzi Islami ish-studentëve të tij, Shpejtimit e Florimit. Prandaj Kadriu e Hasha mblodhën Kuvendin dhe pa humbur kohë e rrëzuan nga froni i kryemistrit. Ishte njëlloj e mërkurë, por një e mërkurë e 16 majit 2017. Përligjjen e shitjes do ta bënte vetë Haradinaj një vit më vonë.

Ai që më së shumti e kish kundërshtuar këtë shitje të neverishme të tokës së atdheut, tash, kur hipi në fronin e kryeministrit, çoi me ngut Fatmir dredharakun në Podgoricë, i cili trilloi njëfarë bisede të suksesshme dhe shpiku njëfarë dokumenti me presidentin malazias. Erdhi vrap me gjoja kumtin se demarkacioni duhej te votohej dhe pastaj te korrigjohej. Të gjithë e dinin se po gënjenin e po gënjeheshin, megjithatë, përveç LVV-së, të gjithë e votuan. Isa, ndonëse tash ishte në opozitë, sërish u tregua dele e plagosur: nuk mundi t’i thoshte Hashimit jo.
Dhe ky, protagonist i skenave të mistershme, nuk mund të dilte as tash kundër rrëzimit të qeverisë. Kish hyrë në koalicion pas dy muaj mbushur kurthe, intriga e shantazhe. Votuesit i kishin dhënë votën për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen, prandaj nuk mund të bënte ndryshe. Megjithatë shihet se i kish dhënë besën ujkut që e kish plagosur të mërkurën e 16 maj 2017 se do ta rrëzonte Kurtin shumë shpejt. Pra, siç po shihet, kish qenë një koalicion i shpifur. Një lojë dinake sa për ta mashtruar elekoratin e vet. Prandaj, si erdhi pandemia e Covid-19 dhe si kërkoi Thaçi shtetrrethimin, ky e kuptoj se kish ardhur koha e ritualit të tradhtisë dhe se duhej t’i shkonte pas.
Për mëkatarët e jashtëm do të flas njëherë tjetër.

Do të ndodhin lindje e morte, do të ndërrohen stinë e breza, por kurë s’do të shlyhet turpi i 25 marsit dhe kurrë s’do të falet pabesia e 82 deputetëve.
E megjithatë, pas çdo të premteje të zezë, vjen e diela e ringjalljes

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!