GRENELL, PARTNERI STRATEGJIK DHE GOMERËT E BALAAMIT

Arjan Melonashi

Nuk ka më keq se të mbetesh i papërditësuar, në një kohë që mendon të kundërtën. Nga rrëzimi i murit të Berlinit, bota “ka ndrruar krejtësisht, për të mos ndrruar asfare”, për ta thënë me fjalët e Tomasi di Lampedusa në romanin e tij “Gatopardi”.

Ju pëlqen!

Globi yne në dy blloqe, nga një natë në ditën tjeter u ndodh veç me një: fituesin, kapitalizmin, si sistem ekonomiko-shoqëror, përfaqësuar  par excellence, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjysma e Europës u çlirua nga një sistem despotik, e kjo ishte një e mirë e madhe, e paçmueshme; veç botës i humbi ekulibri, e në këtë hepim, fuqi të reja u përpoqën të dalin e të kenë një vend më të mirë në diell, që nga katër tigrat aziatikë (Hong Kong, Singapori, Koreja e Jugut e Taivani) e deri tek Kina e sotme, duke mos harruar e kaluar edhe nëpërmjet përpjekjeve të armatosura të formacioneve të ndryshme ushtarake politike (mujaheddinët, talebanët, al-Qaida, shteti islamik) për të zënë të gjitha një vend, në hapësirën që la bosh Bashkimi Sovjetik.

Sot Kinës, superfuqi e padiskutueshme, duhet ti shtohet patjetër dhe Rusia, së cilës iu desh pak kohë të dilte nga knock down politik dhe ekonomik, në kohët e Presidentëve Reagan dhe Gorbaçov.

Ka ndrruar bota? Po, tërësisht.

Ka ndrruar bota? Jo edhe shumë. Për aq sa na takon e na intereson, Rusia vërtet ka humbur terren, por avampostin gjithsesi e ka në Serbi.

Njëzet vite më parë, çlirohej Kosova. Njëzet vite të shkuara, në këtë pjesë të Ballkaneve, ende pa formë, SHBA i thanë rusëve:

Jeni në Nish?

Ta dini, jemi në Podujevë.

E kuptuan të gjithë, diçka kuptuan edhe ata, të cilët prej asaj kohe, nuk kanë rreshtur së foluri për Shtetet e Bashkuara, si partneri ynë strategjik.

PARTNERI STRATEGJIK

Partner strategjik, një lesh, ta themi. Amerika është tepër e madhe, tepër e fuqishme për ta konsideruar veten partnere strategjike të një vendi me sipërfaqe më të vogël se sa Connecticut, dhe prodhim të përgjithshëm industrial sa buxheti i një lagjeje në New York ndoshta, mos e gënjejmë veten.

E vërteta është se ka pasur dy SHBA për Kosovën. E para ka qenë ajo e administratave Bush, Clinton, Obama. E dyta është ajo e Presidentit Trump.

Të parat kanë qenë administrata me rrënjë e taban thellësisht politik. Në drejtimin e vendit kanë qenë personazhe që politikën e kanë pasur në gjak, pasion e profesion. Në gjurmët e Kenedit që ëndërroi hënën, të Reaganit që zhduku komunizmin, me më tepër a më pak sukses, kanë qenë edhe të tjerët, që kishin një vizion global, që shihnin dhe përpiqeshin të mbanin një ekuilibër të përbotshëm.

Të mos mendojmë se sprapsjen e murtajës serbe në Kosovë, Clinton (mos harroni edhe Tony Blair, eh? Mos e harroni kurrë sa bëri britaniku për ne) e bëri eskluzivisht për dashuri ndaj popullit shqiptar, ndoshta nuk dinte as që ekzistonte një vendth i tillë si Kosova. E bëri sepse pa një interes gjeostrategjik, një linjë kufitare ndaj ekspansionit të ri që herët a vonë do të vinte nga Lindja. Ky ishte vizioni e Blairit dhe i Clintonit. Dhe patën të drejtë: ky vend u bë një avampost i NATO-s, i lirisë perëndimore, i demokracisë perëndimore. Veç kësaj, ata panë edhe diç tjeter, panë Kosovën si një shtet, çka nuk do të vononte të realizohej.

Sot në Shtëpinë e Bardhë, është krejt tjetër personazh. Në Washington D.C. është një businessman që do të drejtojë shtetin më të fuqishëm në botë, si ndërmarrjet e tij. Është një përsëritje e eksperimentit të Berlusconit në Itali. Ndoshta Trump ka sukses, i heqim kapelen. Veç duhet të kuptojmë se ai mbrriti në pushtet me “America first”, çfarë do të thotë: jo çfarë Amerika bën për të tjerët, por çfarë të tjerët bëjnë për Amerikën.

Këtë në Prishtinë, nuk e kuptuan; nuk kuptuan se Amerika e sotme po rriste dozën e indiferencës ndaj problemit politik të Kosovës: njohjes përfundimtare nga komuniteti botëror si shtet më vete, çka Serbia e pengon. Jo më kot tërheqja e njohjeve ndaj Republikës së Kosovës u intensifikua pafundësisht, pikërisht nën administratën Trump.

Në se flitet për partnerë strategjikë pra, ata duhen kërkuar në kontinentin tonë, ndër ata shtete që e dijnë më së miri se problemi i Kosovës duhet të marrë një zgjidhje përfundimtare, pasi ky gadishull këtej, ka qenë përherë një eshkë e thatë. E zjarri në prak të derës nuk është kurrë i mirë.

Ajo që SHBA bëri për Kosovën do të ketë mirënjohjen e përjetëshme të shqiptarëve, e kjo nuk duhet ngatërruar askurrë me politikën e sotme, me interesat e vendeve dhe popujve. Nuk ka as më të voglën lidhje. Të bindesh pa kushte, për hir të një të mire të shkuar, do të thotë të mos kesh dinjitet politik e ndoshta të rrezikosh interesa të vendit; të akuzosh se një politikë e ndryshme nga ajo e Washingtonit është anti amerikanizëm, do të thotë të jesh i pajisur me një dozë të konsiderueshme sharlatanizmi politik.

GRENELL

Grenell është një politikan tipik i erës Trump.  Nuk dij çfarë ka bërë në Berlin, di se kur Trump e lëshoi në këto anët tona, u sul si shigjetë. I ri, i bukur, i gjate, modern, pederast, ndjen se ka mbrritur ora e tij e ka të drejtë.

Me nuhatjen e diplomatit, di që Presidentit Trump i duhet një rezultat i shpejtë dhe i lehtë në planin ndërkombëtar, per tu paraqitur fitimtar në nëntor. Di që Trump ka tentuar me Korenë e Veriut, por bullafiqi i Phyonyangh-ut nuk është krejt budallë, përkundrazi. Trumpi provoi me Iranin, por shkëmbyen veç disa fishekzjarre e aq. Në konfliktin Izrael – Palestinë, veç një dekreti për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet e që ngjalli polemika e rriti tensionet në rajon, nuk ka qullosur gjë, asnjë rezultat në dialogun me Palestinën.

Grenell e di që “America first” është një parulle makiavelike, di që më lehtë mund ta ketë me Kosovën pra, se sa me Serbinë, shtet i madh e i konsoliduar. Rezultati mund të arrihet – mendon – duke bërë presion mbi vendin më të dobët. Dhe ai këtë presion ia bën Kosovës. Kërkon heqjen e taksës menjëherë. Pastaj, pas disa ecejakeve, shton: pa kushte.

Kjo është e rëndë. Pikërisht Republika e Kosovës që duhet ti diktojë kushtet Beogradit për cfarë ka pësuar nga ai, tash çarmatoset në këtë mënyrë nga”partneri strategjik”(!?)

Grenell nuk e njeh historinë, ose nuk i intereson aspak ajo. Në këtë gjendje, konflikti Kosovë –Serbi duket i lehte per tu zgjidhur. Si? Natyrisht është në dijeni se një tjetër i dërguar special është Mathew Palmer. Por Palmer punon ngadalë, pasi si diplomat i konsumuar, e kupton se çështja është tejet e vështirë, shkon tepër gjatë. Politikisht e vështirë.

Atherë Grenell ka intuitën të kuptojë se shumë më e lehtë është një marrveshje në rrafshin ekonomik. Në pak ditë harton e organizon ceremoninë e një marrveshjeje (të mundshme) mes Serbisë e Kosovës për një linjë ajrore midis kryeqyteteve. Është një bombë në plan mediatik. E nënshkruajnë në prani të tij, në ambasadën amerikane në Berlin. Ndërkohë një udhëtim flash në Prishtinë e Beograd.

Nuk kalojnë veç se pak ditë e Thaçi e Vuçiç gjenden pa ndonjë dëshirë të madhe e si në siklet – shihet nga filmimet – krah Grenellit ne Berlin. Para tyre, ulur, zyrtarë të ngrirë nga Ministria e Infrastrukturës së Kosovës dhe një lloj shefi i zyrës për Kosovën në Beograd, një farë Marko Gjuriç, që së bashku me mahmurët e Prishtines rrijnë si në gips, e nga vështrimet që hedhin, duket se janë jashtë çështjes si një ballkon në katin e shtatë.

Nënshkruhet një tjetër marrveshje (e mundshme) për trasport tokësor dhe hekurudhor mes shteteve.

Grenellin, nuk duket se ka kush e ndal. Tash një fluturim i fundit në Washington, përcaktimi ndoshta, i një date kur Vuçiç e Thaçi mund të shtrëngojnë duart pas një marrveshje ekonomike – që nuk do të thotë asnjë gjë, e mundet të jetë e realizueshme për në kalendat greke – që duket si “pace fatta” (paqe e kryer)  një buzëqeshje nga “The Donald” e pikë plus, për zgjedhjet e nëntorit për këtë të fundit, dhe një hiç në substancë për Kosovën. Përse?

Thjesht. Për administratën Trump, Kosova është një territor, ku veç kampit Bondsteel, SHBA kanë edhe një ambasadë gjigante, krejt në sproporcion me ata disa mijra kilometra katrorë të vendit tonë; për ta, Republika e Kosovës apo thjesht Kosovë (jo Republikë pra) nuk ngre peshë në kandar. Kosova shtet, a jo shtet është një rebus që SHBA nuk dëshiron të harxhojë energji për ta zgjidhur. Gjendja aktuale për ta, nuk është keq. Ndoshta mendojnë të “kriposin” me pak ekonomi këta vende dhe voilà: pjata është gati.

Vend ne OKB? Njohje reciproke? Rregullim kufijsh? Per SHBA, Serbia e Kosova mund të bëjnë si të duan, ky është (mos)qëndrimi i tyre.

Dhe Grenell mendon se një akord, si ai që ka projektuar, nuk është një avantazh vetëm për Trump, por edhe për të: Sekretar Shteti në administratën e ardhshme? E pse jo. Mundet.

Kjo do të jetë marrveshja, Grenellin nuk duket se kush e ndal, vërtet.

E ndal Albin Kurti në fakt. Është kryeministri i ri i Kosovës dhe mendon se tarifa duhet hequr, ashtu si propozojnë amerikanet dhe europianët, dhe mes shteteve duhet të ketë reciprocitet. Është normale; është situata më normale e mundshme mes shteteve, asnjë çudi. Albin Kurti, propozon normalitetin.

Është mjaft interesant të vërehet fenomeni i inkoherencës, mungesa e logjikës dhe dyfytyrësia në personazhe të spikatur të politikës kosovare. Ndiqni skemën: SHBA kërkon largimin e taksës. Pro kësaj është vetëm Kurti dhe LDK, të tjerët cirren për mbajtjen e saj (krejt në kundërshtim me qëndrimin amerikan) dhe… dhe? Dhe pikërisht ata që janë për taksën, akuzojnë kryeministrin për anti amerikanizëm!?

Por Kurti ka idetë e tij të qarta, do të zbatojë normalitetin mes shtetesh, gjithsesi. Kjo i shtang te tjerët,.. veçanërisht Grenellin, jo Ameriken: Grenellin, ai e ka menduar “suksesin” të siguruar; shtang edhe Vuçiçin, për të cilin, një marrveshje të atij kallëpi, do ta shihte si një fitore për të, pikërisht në prak zgjedhjesh: mund të marrë shumë, (gjithë lehtësitë e mundshme të qarkullimit, rrjedhimisht edhe të prezencës shumëplanëshe në territorin kosovar) pa i dhënë asgjë Kosovës.

Më e keqja do të ishte një marrveshje, “tashmë e gatshme për firmë” – si shumë zëra thonë – në të cilën Kosova merr njohjen, duke e privuar veten nga burime të rëndësishme ujore, energjetike dhe minerare.

Në këtë pikë, pa resurse të domosdoshme për mbijetesë, ndoshta edhe vendi në OKB, nuk do të kishte më asnjë sens; do të ishte si vrapi i Maratonomakut:

E fituam – brohorite

E përtokë u përpëlite

Vdiq or vdiq

Vdiqe or Maratonomak

 

Ndërkohë, këtej, nga “nahija” jonë, shtangin edhe:

GOMERËT E BALAAMIT

  • që ende nuk kanë kuptuar se Amerika e sotme, ka dhe vepron kudo, në bazë të interesave të saj gjeostrategjikë (lexo: BONDSTEEL)
  • që Kosovën e konsideron një territor ne Ballkan e vagëllimthi
  • që shtetet e interesuara për të mirën e Republikës së Kosovës janë ata europianë, mbi të gjitha Anglia dhe Gjermania
  • mbi të gjitha: Gjermania
  • që Albin Kurti nuk eshte antiamerikan, eshte europian, modern
  • mbi te gjitha: modern
  • mbi te gjitha: europian
Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!