Ajo që ndodhi në Kosovë me mocionin kundër qeverisë Kurti, po zbulohet dita-ditës se ishte një pazar i pastër i skalionit të vjetër të politikës kosovare për të hequr nga drejtimi një njeri dhe forcë jo komode.

Katër letrat formale të Presidentit Hashim Thaçi për Vetëvendosjen dhe Kurtin provuan një inskenim grotesk zgjidhjes juridike për situata që kërkojnë vetëm zgjidhje politike.

Kërkesa për zgjedhje e Kurtit është e vetmja logjike pasi në kushtet e një mocioni të motivuar nga gjoja antiamerikanizmi, pra një aspekt retorik I politikës së jashtme, nuk i qëndron asnjë arsyetimi shtetformues.

Ju pëlqen!

E ndërkohë që Thaçi ka njoftuar se do të nisë konsultimet javën që vjen pa Vetëvendosjen, Isa Mustafa i LDK-së del në skenë me rolin e tij më të arrirë: atë të hienës politike. Sot z. Mustafa ka deklaruar se nuk përjashton që të jetë kandidat për kryeministër, duke sinjalizuar se çfarë lloj kryeministri do të jetë.

Pas takimit dyorësh të Kryesisë, Mustafa ka theksuar se nëse LDK-ja vjen në pushtet hapi i parë i saj do të jetë heqja e reciprocitetit, ashtu siç ka kërkuar i dërguari i posaçëm amerikan për dialogun, Richard Grenell.

Ndërkohë në stilin tipik shqiptar, në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së nuk është ftuar fare nënkryetarja e kësaj partie Vjosa Osmani, zëri kundërshtues brenda partisë për koalicionin me AAK-në e Nismën.
Mustafa vepron në duet me Thaçin, teksa një prej drejtueve të PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar se nuk mund të ketë qeveri pa partinë e tij.

Çfarëpo ndodh duket në dritën e diellit: Richard Grenell është kryeministri i ri i Kosovës, në mëkëmbje të të cilit janë dorasët politikë të Kosovës.

Vetë Kurti ka akuzuar të Dërguarin amerikan se qëndron pas rrëzimit të qeverisë së tij dhe se po ashtu qëndron pas idesë së ndarjes së Kosovës, diçka të cilën Grenell e mohon vazhdimisht.

Ajo që implikon keq punët është statusi i Grenell, si i Dërguar i Posaçëm i Presidentit Trump që po do me çdo kusht të imponojë marrëveshje akomoduese për Serbinë në mënyrë që ajo të japë njohjen. Trump nuk arriti ndonjë gjë të madhe me vrasjen e Kasem Soleimanit, thjesht ndërlikoi situatën në Lindjen e Mesme, tashmë ka prishur raportet me Kinën që e akuzon për koronavirusin dhe nuk ka asgjë në vijë me Europën. Atij i duhet një fitore në frontin e jashtëm dhe ka gjetur si pikë të dobët një vend si Kosova të cilës i ka hapur frontin e një debati të brendshëm.

Sigurisht që Trump i do njohur merita, apo fakti se nuk ka preferuar zgjidhjet ushtarake  në politikën e jashtme, por shndërrimi i saj në një koncept pazari më jep të jap, thjeshton në mënyrë të dëmshme disa raporte që kanë histori nga pas.

Sa për koalicionin e ri në Kosovë të gjithë e dimë se çfarë përfaqësojnë PDK dhe LDK, edhe pse kushtetueshmërisht janë të mbrojtur.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!