Po jetojnë me plagët që ua la e kaluara, derisa mbesin të tmerruara nga mundësia e ekspozimit në publik, tash e dy dekada mbi supet e tyre po mbajnë sfidën më të madhe në jetë. Me mijëra gra nga Kosova, po jetojnë me tmerrin që përjetuan gjatë luftës ’98-99.

Traumat nuk po mbesin vetëm nën ‘lëkurën’ e tyre. Fëmijët që lindin pas luftës, po bartin me vete traumat e nënës, të cilat u dhunuan nga kriminelët serbë të udhëhequr nga shteti i Serbisë.

Meqë fatkeqësisht shumë prej tyre humbën jetën, e disa vendosën të mos jetojnë më, ‘heroinat e gjalla’ të Kosovës po jetojnë me frikën që nuk po arrijnë të jenë nëna të mira.

Ju pëlqen!

E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila ishte 16 vjeçare kur u dhunua nga dy policë serbë, foli vështirësitë që ka pasur në rritjen e dy vajzave të saj, duke e fajësuar vetën për atë që i ka ndodhur.

“Ti e fajëson vetën se a ke mujt me arrit qëllimin për me i eduku fëmijët mirë, me i rrit mirë. Edhe unë kam mendu që me traumën time, që e kam përjetu çdo ditë do ta barti edhe tek fëmijët. Tash edhe shkenca e ka konfirmuar që gjatë shtatzënisë ajo traumë bartet. Nuk është diçka që unë kam faj, ose që kam mundur unë të bëj diçka më ndryshe prej vetës, por kjo ndodhë që gjatë shtatzënisë bartet trauma e nënës tek fëmija”, tregon ajo, për Kosovapress.

E njohur si ‘ambasadore e guximit’, Krasniqi-Goodman e cila tashmë është nënë e dy vajzave, thekson se tek të dyja vajzat e saj, ka vërejtur një dozë të ankthit, e cila është bartur gjatë shtatzënisë.

Marrë parasysh shqetësimin e nënave kosovare, muaj më parë është publikuar edhe një hulumtim i cili tregon afektimin e fëmijëve të nënave që kanë qenë pjesë e dhunës seksuale gjatë luftës. Studimi nuk ka të bëjë me fëmijët që kanë lindur nga dhuna seksuale gjatë luftës, por nga nënat viktima të dhunës seksuale.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti , thotë për KosovaPress, se së bashku me Institutin Danez kundër Torturës në Danimarkë dhe me mbështetje financiare të Ambasadës britanike në Kosovë, kanë hetuar mekanizmat e mundshëm që shpjegojnë se si mund të kalohen efektet e traumës nga një brez në tjetrin.

“Ka ndryshime tek fëmijët të cilët kanë qenë mostër reprezentative për këtë grup të ndjeshëm shoqëror. Kryesisht është marrë gjaku nga 120 fëmijë nga nënat të cilat kanë qenë të ekspozuara ndaj dhunës seksuale gjatë luftës që kanë manifestuar çrregullime ndaj stresit postraumatik, dhe nënat të cilat kanë manifestuar çrregullime dhe është parë që ka pasur bartje të traumës tek fëmijët e tyre. Traumë kjo e cila mund të manifestohet në forma të ndryshme tek fëmijët. Jo vetëm në fushën e shëndetit mendor por mund të manifestohet edhe me çrregullime metabolike, çrregullime të shëndetit, ulje të metabolitetit e pastaj edhe çrregullime të sjelljes”, thotë Rushiti.

Sipas studimit, fëmijët e lindur nga nënat me çrregullime të stresit post-tramuatik gjatë shtatzënisë, kishin më shumë gjasa të kenë nivele të larta të kortizolit në krahasim me nënat pa çrregullime të stresit post-tramatik gjatë shtatzënisë.

Sipas saj, në rast se ka ambient të shëndoshë edhe pse janë prezente këto raste, mund të sanohen dhe nuk kanë pse të shqetësohen nënat. Ajo ka kërkuar nga institucionet një qasje gjithëpërfshirëse, që këto shqetësime të pasluftës të sanohen në periudhë të hershme, në mënyrë që këta fëmijë të gëzojnë një jetë normale.

Sami Rexhepi, neuropsikiatër thotë se vetë dhunimi seksual është një traumë e madhe që përjeton nëna, e cila fatkeqësisht e përcjell gjatë tërë jetës.

“Po kthehemi 50-60 vite më herët, me siguru keni dëgjuar se si gjyshet tona kanë dashur t’i kursejnë shtatëzanat nga ndonjë informatë traumatike, ndonjë rast i vdekjes apo diçka tjetër, gjithmonë kanë tentuar që të kursejnë shtatëzanën sa më tepër. Është ditë edhe më herët, edhe pse gjyshet tona nuk kanë ditur të sqarojnë se cilat çrregullimet fiziologjike që ndodhin me kortizolin. Por e kanë ditur se duhet të mbrohet shtatëzëna. Në fakt duke u mbrojtur shtatëzëna, u mbrojt edhe fëmiu i cili është në barkun e nënës. Gjatë zhvillimit deri në- lindje, fëmiu i përjeton bashkë me nënën, traumat të cilat nëna i përjeton. Për shkak se ndryshimi i cili ndodhë, patjetër përmes gjakut të nënës, shkon edhe te foshnja”, tregon Rexhepi.

Këto trauma, Rexhepi thotë se nuk përcillen vetëm te fëmiu i dhunuesit, por te të gjithë fëmijët, nëna e të cilëve ka përjetuar traumën e dhunimit seksual.

Neuropsikiatri tregon se fëmijët mund të kenë ndryshime metabolike të sjelljes, por edhe të shëndetit mendor.

“Për rastet që veç ka ndodhur dhunimi duhet t’iu ofrojmë një përkrahje shumë të madhe… po flasim për nënat që të ulin nivelin e stresit. Tek fëmiu pasi të lindin duhet të jetë një kuptim, sepse normalisht do të jenë më të ndjeshëm se fëmijët e nënave të tjera, edhe mos me i akuzu. Kështu që të dy parët kërkojnë një mbështetje shumë të madhe, një përkrahje shumë të madhe. Duke filluar prej familjes, aty është fillimi, e pastaj edhe ne si shoqëri edhe pse ne ende nuk jemi në atë nivelin me i pranu këto edhe me i mbështet”, shton ai.

Vasfije Krasniqi-Goodman ka kërkuar nga institucionet që të mos dalin me numra, por që të ofrojnë mundësi për trajtimin e duhur të këtyre fëmijëve.

Ndryshe, ky është studimi i parë i grave që përjetojnë trauma seksuale dhe që rezulton në çrregullim të stresit post-traumatik, duke sugjeruar transmetimin ndër-brezore të traumës në formën e ndryshimeve epigjenetike te fëmijët.

Në Kosovë janë rreth 20 mijë gra e burra të cilët janë dhunuar seksualisht nga pushtuesi kriminel serbë, e për këtë asnjëri nga këta të fundit nuk është dënuar.

Pjesë e aparatit të Millosheviqit që kanë kryer krime dhe gjenocid në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kroaci, ishte edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ish kryeministri e tani ministër i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq./KP

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!