Gjykata Speciale: “sui generis”, “e vetmja e llojit të saj”

Kështu e ka cilësuar Gjykatën Speciale Dina Jasini, lektore në Universitetin e Oxfordit për të Drejtën Penale Ndërkombëtare. Është, pra, rast specifik që kërkon shpjegim pse ndodhi.

Tani që njihet akuza, trupi gjykues dhe sjelljet e para të Gjykatës Speciale, bëhen më të lehta përgjigjet për pikëpyetjet që e rrethonin, dhe konstatimi i përgjigjeve më të mira.

Ju pëlqen!

1. Për pyetjen “pse u krijua Gjykata Speciale”, nuk është e mirë përgjigjja: “për shkak të presionit ndërkombëtar”. Sepse bie ndesh logjikës së shpjegimit (shkak-pasojë):

Rëndomë shpjegimi nuk bëhet nëpërmjet konstantëve, por variablave. Konstant quhet shkaku ose kushti që nuk ndryshon për shumë pasoja. Variabli është  shkaku ose kushti specifik që e prodhon një fenomen specifik, dhe pra ndryshon, varion, nga shkaku i përbashkët i fenomeneve të tjerë. Përsa që Gjykata Speciale është fenomen i veçantë, sui generis, që të shpjegohet duhet gjetur shkaku specifik i krijimit të saj, shkaku i ndryshëm, që varion, nga shkaku i zakonshëm. Siç e ilustron më së thjeshti eksperimenti, në të mbahen të pandryshueshëm (konstantë) disa kushte (variabla) dhe ndryshohet kushti (variabli) që mendohet se mund ta shkaktojë fenomenin që shpjegohet.

Kush di për marrëdhëniet ndërkombëtare, di se ndërmjet shteteve presioni është i përhershëm, konstant, që kur njihet historia e shteteve çdo shtet ka qenë dhe është nën presionin e shtetve të tjerë. Prandaj nuk mund të ofrohet si shpjegim i mirë për pasojën specifike, në këtë rast Gjykatën Speciale, sepse përherë do të kishte krijuar gjykata të tilla. Shpjegim më të mirë premton një variabël, diçka që ështe i ndryshëm në marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Ky variabël është refuzimi i pushtetarëve të Kosovës me u sjellë si shtetarë, rrjedhimisht i Kosovës si shtet në bashkësinë e shteteve.

E shkruar ose e pashkruar, vlen si rregull e sjelljes së shteteve seriozë që mbas çdo lufte të hetohen e të gjykohen veprime që mund të jenë në shkelje të ligjeve vendorë e ndërkombëtarë të luftës. Sakaq, SHBA-të mendojnë se janë të legjitimuara të mos e njohin Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, sepse duke qenë vend me traditë demokratike dhe ligjore, i hetojnë dhe i ndëshkojnë vetë rastet e krimeve të luftës të kryer nga ushtarët e saj, megjithëse luftën e SHBA-ve nuk e gjykojnë në tërësi për të padrejtë. Shteti i Kosovës refuzoi ta bëj vetë këtë hetim e gjykim. Nga ana tjetër, UNMIK dhe EULEX, përgjegjës për të, janë ankuar se po pengohen në hetime nga pushtetarët e Kosovës (nëpërmjet kërcënimit e deri te zhdukja e dëshmitarëve, prishja e provave, etj.). Kjo sjellje, e ndryshme (variable) prej sjelljes së pritshme të shteteve seriozë, shpjegon më mirë ndryshimin e sjelljes së aleatëve: edhe SHBA-të u pajtuan për krijimin e një gjykate që mund t’i shpëtojë presionit të pushtetmbajtësve të Kosovës.

Sjellja e tillë nuk është e panjohur për pushtetarët shqiptarë. Fan Nolit dhe Enver Hoxhës aleatët i kërkuan që, mbas marrjes së pushtetit në rrugë jodemokratike prej tyre, të zhvillonin zgjedhjet demokratike dhe kështu të vihej themeli i legjitim të qeverisjeve që do ta trashëgonin atë njëra mbas tjetrës. Të dy e refuzuan këtë kërkesë dhe i fajësuan aleatët e tyre të dikurshëm. Në të dy rastet aleatët anglo-amerikanë  u larguan dhe vendin e tyre e zunë “aleatët’ rusë, të cilët, nga njëra anë nuk shqetësoheshin për sjelljen demokratike të shteteve dhe, nga ana tjetër, me pushtetarët ilegjitimë shqiptar e kontrollonin më lehtë shtetin shqiptar, aq më tepër në kushtet e mbetjes së tyre pa aleatët e shqiptarëve.

2. Shpjegim edhe më i keq është përgjigjja: “po mos ta krijonim vetë Gjykatën Speciale, do ta krijonte Këshilli  i Sigurimit i OKB-së, më sakt Rusia dhe Kina, aleatë të Serbisë”.

Dihet se vetëm Rusia dhe Kina nuk do të mund ta krijonin asnjë gjykatë për Kosovën nëpërmjet KS të OKB-së për shkak të vetos së aleatëve tanë të dikurshëm: SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, etj. E kundërta, mundësia e krijimit të GJS nga KS i OKB shpjegohet me ndryshimin (variablin) e qëndrimit të aleatëve tanë të dikurshëm për të mos e ndaluar në KS të OKB-së krijimin e një gjykate të atillë. Vetë ndryshimi i qëndrimit të aleatëve shpjegohet me sjelljen e ndryshme (variabël) nga ç’pritej të pushtetarvë të Kosovës.

Kështu, zinxhiri i shpjegimit shkakor shkon: nga sjellja e pushtetarëve të Kosovës, te ndryshimi i qëndrimit të aleatëve, te krijimi i GJS. Thënë ndryshe, fillimi i lëvizjes së zinxhirit shkakor për krijimin e GJS është sjellja e pushtetarëve të Kosovës. Jo e kundërta. Në fund, sjellja e pushtetarëve të Kosovës, raportimet e UNMIK-ut, të EULEX-it, etj., i forconin argumentet në favor të kërkesës së Serbisë, Rusisë e të Kinës për një GJS dhe e dobësonin vullnetin e aleatëve tanë me i mbrojtë ato sjellje me çdo çmimin. Në këtë rast çmimi ishte dobësimi i prestigjit të tyre ndërkombëtar dhe zëvendësimi i tij me indiferencën si mbrojtës të funksionimit të drejtësisë që implikojnë ligjet e luftës (së drejtë a të padrejtë). Çmim që duhej ta paguanin për hirë ruajtjes së pushtetit e të pasurimit të pushtetarëve të Kosovës, por jo për hirë të vlerave që SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, etj., i kanë bindje të tyre dhe jo vetëm lojë.

3. Mbas faktit, tani duket se nuk qëndron as përgjigjja: “do të ishte më keq nëse GJS do ta krijonte KS i OKB-së (kupto Rusia dhe Kina), sepse do të akuzohej lufta jonë e drejtë”.

Tani që është publikuar, e dimë se akuza, njëlloj sikur të ishte krijuar nga Rusia dhe Kina, nën emërtimin “ndërmarrje e përbashkët kriminale” (NPK), e ka akuzuar luftën tonë të drejtë (UÇK-në). Së paku ky mbetet kuptimi më i besueshëm i emërtimi NPK, derisa të mos jetë provuar e kundërta: brenda UÇK-së, si ndërmarrje a sipërmarrje e përbashkët  çlirimtare, ka ekzistuar edhe një organizatë tjetër me qëllime dhe veprime të saj që përbëjnë krime lufte. Sigurisht për ekzistencën e kësaj organizate akuza duhet të paraqesë fakte e prova, si programi dhe statuti i saj, nëse ka pasur të atillë, ose së paku për strukturat e saj të identifikueshme, për organizimin, organet drejtuese, hierarkinë, etj. Se NPK ende barazohet me UÇK-në lihet të kuptohet edhe nga identiteti i të njëjtëve drejtues të UÇK-së me identitetin e drejtuesve të supozuar të NPK-së së supozuar: sipas akuzës aktuale të dy organizatat kanë pasur të njëjtit drejtues, çka e bën të pamundur të dallohen si dy organizata të kundërta, njëra çlirimtare, tjetra kriminale.  Pra, fakti që “e krijuam vetë” nuk ka prodhuar ndonjë gjykatë të ndryshme nga “po ta kishin krijuar Kina dhe Rusia”: shmangien e akuzës ndaj UÇK-së, dhe në vend të saj gjykimin vetëm të individëve të UÇK-së.

4. Mbas publikimit të akuzës kemi informacion të ri dhe mbi të gjitha, situatë të re: është akuzuar, ose së paku është lënë të kuptohet, por ama qartë, prirja e prokurorit për të gjykuar UÇK-në. Në këtë situatë nuk vlen më “shko Hashim”, si individ, sepse tashmë nën akuzë nuk janë vetëm individët, sepse prokurori tashmë e ka çuar aty vetë UÇK-në. Në këto situatë, barra e mbrojtjes së luftës së drejtë nuk u lihet individëve të akuzuar drejtpërdrejtë, por duhet marrë përsipër nga vetë shteti i Kosovës. Sepse: UÇK është në themel të shtetit të pavarur të Kosovës. Shteti i Kosovës duhet të mbrojë si të drejtë themelimin e vet. Përndryshe, është parim fillestar i së drejtës se çdo akt i mëpasëm (krijimi i institucioneve si Kuvendi, Qevera, etj.), është i padrejtë nëse është vazhdim i një akti të parë të padrejtë. Akti i themelimit të shtetit të Kosovës është konsideruar i drejtë nga GJND, dhe shteti i Kosovës duhet të mbrojë këtë të drejtë të fituar të veten para një gjykate tjetër në të cilën prokurori priret ta errësojë e ta vë në dyshim.

5. “Organizimi i mbrojetjes nga shteti” i Kosovës të të akuzuarve nuk përbën ndërhyrje, as kundërvënie ndaj drejtësisë, përsa mbetet brenda kufijve të sigurimit të një procesi të drejtë gjyqësor. Në kuptimin “proces i drejtë dhe i ndershëm gjyqësor” përmbahet edhe mbrojtja (avokatia) e të akuzuarve. Mbrojtja ndaj akuzës, të përfaqësuar nga prokurori, është pjesë e së drejtës. Kur të akuzuarit i lexohet si e drejtë me pasë avokat, dhe nëse nuk mund ta sigurojë vetë një të tillë ia siguron shteti, nuk përbën as ndërhyerje të shtetit në procesin e gjykimit e të drejtësisë, as refuzim nga shteti të pranimit të drejtësisë, por është element dhe kontribut për realizimin e tyre.

Qëllimi i gjykatës është drejtësia. Përtej, a) pagesës së avokatëve, shteti mund të kontribojë në shumë mënyra të tjera për një proces të drejtë e të ndershëm gjyqësor. Ndër të tjera: b) duke vënë në dispozicion të avokatëve zyrtarë specialistë të fushave të ndryshme, në njëfarë kuptimi “staf ndihmës”, sepse avokatët zyrtarë nuk kanë as stafin, as mjetet dhe as kohën që ka pasur prokuroria për hetimin  e fakteve dhe të provave, si dhe për të paraqitur fakte e prova që mund të jenë lënë jashtë akuzës, por që janë të rëndësishme për drejtësinë; c) nëpërmjet avokatëve zyrtarë, specialistët e së drejtës, të mbështetur nga shteti, mund të kontribojnë për saktësimin e termave, nga ato me nënkuptime të paqartë në të denjë për një vendim të drejtë; e zëmë, nëse në akuzë fjala është për krime lufte të kryer nga një entitet i organizuar, apo për krime të kryer nga individë përgjatë luftës; si e identifion një ndërmarrrje kriminale si entitet real, etj.

Veprimtari të tilla të organizuara nga shteti e ndihmojnë procesin e drejtë gjyqësor dhe drejtësinë përgjithësisht. Sepse qëllimi i gjykatës nuk është thjesht të dënojë, por të vendosë drejtësi. Gjykata, as drejtësia nuk është e mbyllur ndaj gjithçkaje jashtë saj: jashtë saj ndodhen faktet e provat, ngjarjet që gjykohen, individët apo institucionet që bëhen objekt ose subjekt krijues i saj, etj./Hysamedin Feraj/

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.