Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, ka bërë të ditur se nga ky vit mësimi i gjuhës shqipe do të organizohet edhe zyrtarisht në të gjitha shkollat publike në Macerata të Italisë.

Ai gjatë një takimi me drejtorin e shkollës “Enrico Fermi”, Ermanno Bracalente, me rastin e festës vjetore që organizohet nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Itali, ka biseduar për kontributin e tyre të çmuar për kultivimin e gjuhës shqipe, ruajtjen e traditës të të rinjve në mërgatë.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

“Për të dëshmuar se mësuesit tanë kanë një angazhim me vlerë dhe një mision fisnik në shërbim të të rinjve, në shërbim të atdheut, e që respektohen edhe institucionalisht, ishte edhe pjesëmarrja e nënkryetares së qytetit të Maceratës,  Stefania Monteverde, të cilën në emër të shtetit të Kosovës, e falënderova për gjithë mbështetjen e gjithë akterëve të këtij qyteti në dhënien në shfrytëzim të hapësirave të nevojshme dhe krijimin e kushteve tjera përcjellëse për zhvillimin e mësimit shqip në atë zonë”, shkruan Bytyqi në Facebook.

Gjithashtu, moment tjetër i mirë ishte edhe prania në këtë organizim dhe takimi me profesorin e nderuar arbëresh, njëherësh një ndër piktorët më të mirë në Itali, Silvio Craia (Kraja), që ka krijuar vepra të shumta artistike duke mbledhur artistët më të mirë italianë në ekspozitat e tij, fitues i shumë çmimeve në pikturë, e gjithashtu themelues i Muzeut Qytetar të Maceratës.

Një takim të rëndësishëm, ministri Bytyqi pati edhe me rektorin e Universitetit të Camerinos në Itali, Claudio Pettinari, me të cilin u dakorduan që shumë shpejt të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi, ku ky universitet shtetëror me 7 shekuj histori, i themeluar në vitin 1336, do të ndajë 10 bursa për studentët nga Kosova, ku 5 do të jenë për studime bazike dhe 5 tjera për studime master dhe kryesisht në shkenca ekzakte./MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët. Këta nuk e kontrollojnë e as nuk e financojnë gazetarinë tonë kritike. Ndihmoje sot MekuliPress - Mbështete median e pavarur