Gjuha shqipe është dokumentuar shumë vonë. Të parën kemi Formulën e Pagëzimit, që daton në vitin 1462 dhe vepra më madhore është “Meshari” i Gjon Buzukut, që daton në vitin 1555.

Përpara vendosjes përfundimtare të alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit, shqipja është shkruar në më shumë se dhjetë alfabete. Në këtë përfundim ka dalë albanologu i njohur, Robert Elsie.

Pas një pune të gjatë studimore dhe hulumtuese, albanologu i njohur ka botuar “Alfabetet shqip: të huazuar dhe të krijuar” duke u bazuar kryesisht në periudhën kohore 1750-1850, një periudhë shumë e pasur në shkrimin e gjuhës shqipe.

“Gjatë kësaj periudhe kohore, shqipja është shkruar në 10 alfabete të ndryshme, një rekord i vërtetë për gjuhët evropiane”, deklaron ai. Kryesisht këto alfabete janë një adaptim i alfabeteve latine, greke, arabe dhe cirilike.

Gjuha shqipe është dokumentuar shumë vonë. Të parën kemi Formulën e Pagëzimit, që daton në vitin 1462 dhe vepra më madhore është “Meshari” i Gjon Buzukut, që daton në vitin 1555.
Sigurisht, gjuhëtarët janë të mendimit që gjuha shqipe është shkruar më herët, por deri më sot nuk ka dokumente që ta vërtetojnë këtë fakt.

Gjatë shekullit XVIII, sipas Elsie, vihet re një larmi shkrimore dhe pikërisht në përpjekjen e madhe të intelektualëve shqiptarë kemi dhe përdorimin e kaq shumë alfabeteve. Ishin në fakt përpjekjet e mëdha të intelektualëve shqiptarë që të kishin një alfabet të vetin dhe me të të shkruanin gjuhën shqipe.

Sigurisht që ndikimet e huaja ishin të pranishme. Duke qenë se në Veri mbisundonte katolicizmi dhe qenë kishtarët ata që për nevojat e tyre duhej të shkruanin, atëherë ata krijuan alfabetet e tyre duke u mbështetur në atë latin. Në vendet ku mbizotëronte kisha ortodokse nuk mund të imagjinohej tendencë tjetër përveç përdorimit të alfabetit grek. Por dhe feja islamike do të kishte ndikimet e veta, shkruan konica.al.

Në vitet 1750-1850 dëshira për një alfabet shqiptar do të vihej re veçanërisht në Shqipërinë e Mesme dhe do kishim një nga dokumentet më të rëndësishme të kësaj treve, që është “Dorëshkrimi i Ungjijve 1761”, i cili tregon dëshminë për krijimin e një alfabeti shqiptar.

Sipas Elsie kemi alfabete të huazuara, por interes të madh shfaqin alfabetet origjinale. Ndër më të rëndësishmit është “Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve” që sipas autorit është vepër e Gregorit të Durrësit.
Ndër dy alfabetet që u krijuan në Elbasan vlen për t’u shënuar dhe alfabeti i Todrit, i krijuar nga Todhri Haxhifilipi nga Elbasani. Ky alfabet u zbulua nga albanologu Han.

Një tjetër është alfabeti i bazuar mbi kodeksin e Beratit. Një dorëshkrim me 154 faqe, hartuar mes viteve 1764 e 1798. Dorëshkrimi mban emrin e Kostë Beratit dhe sipas albanologut Elsie në faqen 194 gjejmë dy radhë shqip të shkruara me një alfabet origjinal prej 37 germash, të ndikuara nga glagolishtja.
Në fund të shekullit XVIII gjejmë dhe alfabetin e Gjirokastrës, një sistem grafik prej 22 germash, i zbuluar dhe ky prej Hanit.
Po në këtë krahinë do hasim dhe alfabetin e Vellarait me 30 germa që kanë bazë latinishten dhe greqishten.

Një alfabet shumë i rëndësishëm në këtë periudhë është dhe ai i Naum Veqilharxhit. Veqilharxhi shpiku një alfabet prej 33 germash, që e botoi në një abetare shqipe në vitin 1844.

Por vetëm në periudhën e Rilindjes Kombëtare do të kemi përpjekjen serioze për njehsimin në një alfabet që do të jetësohej në Kongresin e Manastirit dhe më pas do të merrte jetë rrugëtimi zyrtar i gjuhës shqipe. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]