“Gjuetari i balonave” nga Khaled Hosseini tregon historinë tronditëse dhe prekëse të transformimit të Amirit nga fëmijëria në moshën madhore gjatë tranzicionit të Afganistanit nga monarki në revolucion. Historia e tij është e paharrueshme dhe unë e kam pëlqyer si librin, edhe filmin. Tashmë ky libër është një bestseller në New York dhe unë jua rekomandoj pa asnjë mëdyshje.

Një nga gjërat që më pëlqen në librat e Khaled Hosseinit, është sfondi kulturor që ai përfshin në veprat e tij. Unë nuk njoh shumë mbi jetën dhe rutinën e një personi në Afganistan, por faktet dhe të dhënat që autori na sjell në veprat e tij, na e bëjnë ta përjetojmë në lëkurën tonë jetesën e atij vendi dhe vuajtjet që përjetohen në përditshmërinë atje.

“Gjuetari i balonave” është një nga librat që mua më ka mbetur gjatë në kujtesë dhe duke parë edhe klasifikimet botërore, si dhe pëlqimin që shumë lexues e kanë shprehur online për këtë roman, vendosa t’i dedikoja këtë shkrim për të nxitur këdo ta lexonte kryeveprën e Khaled Hosseinit. Arsyet janë të shumta.

– “Mund të duket e padrejtë, por ajo që ndodh për disa ditë, ndonjëherë edhe në një ditë të vetme, mund të ndryshojë rrjedhën e gjithë jetës”.

– “Shprehja “Për ty, edhe 1000 herë të tjera””.

-“Ka vetëm një mëkat : vjedhja. Kur ti thua një gënjeshtër, ti i vjedh dikujt të drejtën të njohë të vërtetën”.

– “Heshtja është paqe. Qetësi. Heshtje do të thotë të ulësh volumin negativ të jetës”.

Arsyeja se pse duhet ta lexosh “Gjuetarin e balonave” janë pikërisht këto thënie brilante. Ai roman është për këdo që do të lexojë diçka të bukur që do t’i mbetet gjatë në kujtesë; për këdo që mund ta kuptojë se sa i bukur mund të jetë shkrimi.

“Gjuetari i balonave është një libër shumë i pëlqyer, por edhe shumë i bukur. Jo më kot e pëlqejnë thuajse të gjithë ata që e lexojnë dhe unë besoj se edhe ti duhet ta lexosh këtë roman për këto arsye :

– Sepse është i shkruar mirë, pavarësisht shumë pjesëve dramatike që të trondisin.

– Flet për familjen dhe besnikërinë në një mënyrë gjithëpërfshirëse. Përshkrimi i bërë për personat nga Afganistani nuk ka se si të mos prekë.

Historia është e thjeshtë, nuk është komplekse, por të nxit kureshtjen për ta mbyllur të gjithë librin sa më parë, për çdo faqe që kalon. Është pikërisht sekuenca e ngjarjeve dhe përshkrimi i secilës prej tyre që të mbajnë të mbërthyer në faqet e romanit, derisa i jep fund dhe pastaj mërzitesh sepse e di që do të kalojë kohë, derisa të lexosh një libër po aq të bukur…

Pas romanit “Gjuetari i balonave”, mendoja se po të lexoja një vepër tjetër të Khaled Hosseinit, do të zhgënjehesha sepse nuk ka mundësi që një autor të shkruajë po aq bukur dy ose më shumë vepra të tij.

Njëra mbetet gjithmonë kryevepër, por nuk është kështu. Unë lexova “1000 diej vezullues” dhe “Dhe mallet oshtinë” dhe më kanë dhuruar plot emocione. Nuk jam zhgënjyer nga ky autor, por me shumë bindje e pranoj se “Gjuetari i balonave” mbetet vepra më e mirë për mua nga ky autor./bota.al