Për ata që nuk e dinë ç‘është “Përkujdesja Gjithshqiptare” dhe kush është hartuesi i saj, po e tregoj shkurt historinë e këtij krijimi. “Përkujdeja Gjithshqiptare” është krijuar, domethënë, shkruar, mbas shumë vitesh studimi këmbëngulës të çdo gjëje që lidhej me të kaluarën e kombit shqiptar. Është krijuar mbas një përvoje shumë të gjatë pune kushtuar kombit dhe atdheut. E pata filluar veprimtarinë në shërbim të kombit dhe atdheut qysh 20 vjeç.  

I lashë, nënën sëmurë në shtëpi dhe tim atë, të lodhur e të plakur para kohe, duke jetuar rrugëvet, atje ku gjente një punë dhe ku e merrte një copë rrogë, sa për të mbajtur gjallë frymën dhe familjen. E lashë tim vëlla 13 vjeç, i cili kish shumë nevojë për ndihmën time, si vëlla më i madh. Veprova kështu me vetëdije të plotë, se kombi dhe atdheu kishin nevojë për sakrifica. Kombi dhe atdheu kishin dhe kanë nevojë për të gjetur edhe rrugë shpëtimi afatgjatë.

Punova pa ndërprerje, studiova pa ndërprerje, shkrova artikuj të shumtë, krijova letërsi artistike, botova rreth 15 libra. 

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Më në fund, në moshën 73 vjeç, arrita të botoj një libër të veçantë, i cili do t’u tregonte shqiptarëvet, jo vetëm të kaluarën (gjë që e kishin bërë shumë shqiptarë para meje), por edhe rrugët e së ardhshmes. Ç’duhet të bëjmë ne shqiptarët, që Kombi ynë të mos shkojë drejt shuarjes? Të mos shkojë drejt zhdukjes, sepse toka jonë, territori ku u ngjiz kombi shqiptar, po vjen përditë duke u ngushtuar dhe qindra mijë shqiptarë, të shpërndarë në krejt botën, po shkrihen si kripa në ujë!

E shkrova këtë libër duke marrë para borxh dhe duke i hyrë në hak familjes. E botova me paratë e ish-nxënësit tim Bedri Hoxhës dhe mendova se, më në fund, po fillon të hapet një rrugë vetëruajtjeje për këtë popull në shekuj të nëpërkëmbur.

Mbasi u shtyp libri, me titull “Strategjia e shqiptarëvet”, në 300 ekzemplarë, prej të cilëvet më ka mbetur në shtëpi vetëm një copë, sepse u shpërnda shumica falas, na u formulua dhe na u kristalizua ideja e domosdoshmërisë për të krijuar institucionin e “Përkujdesjes Gjithshqiptare”. Me qëllim për ta përhapur këtë ide, dha një ndihmë të pakursyer miku im i pazëvendësueshëm, atdhetari i dëshmuar në të gjitha fushat, Sheradin Berisha. Ai i publikoi online, edhe librin “Strategjia e shqiptarëvet”, edhe një varg të gjatë artikujsh që kishin për qëllim ta bënin sa më të qartë idenë: Pse është e domosdoshme të krijohet institucioni “Përkujdesja Gjithshqiptare”?.

U bënë përpjekje për ta themeluar këtë institucion tonin në Prizren, por, me gjithë vullnetin e disa dhjetëra bashkëmendimtarëvet, dështuam, sepse të kundërtët u treguan më të zotë se ne. Fakti që dështuan dy përpjekjet tona të para, tregon se dashakeqësvet të Kombit tonë u ka djegur kjo punë e jona.

Por ne nuk u ndalëm. Bëmë një përpjekje tjetër në Tiranë. Dy miqtë e mi, Ali Dedolli dhe Demir Rusi, dhanë një kontribut prej 500 mijë lekësh të vjetër (afër 400 euro) dhe me ato para hapëm procedurën e njohjes juridike të institucionit tonë, si shoqatë jofitimprurëse.

Dilaver Goxhaj, personalitet i njohur në krejt botën shqiptare, si njeriu që është i gatshëm të sakrifikojë edhe jetën kur e kërkon Kombi, ish-zëvendëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, vuri në dispozicion banesën e vet si seli të Pëkujdesjes dhe gjeti një notere të mirë, zonjën Gentë Brati. Por ç’mund të bëjë një notere, sado e përkushtuar të jetë, kur mbrapa murevet të burokracisë gjallojnë të pashqetësuara gjithfarë pengesash? E gjithë procedura e njohjes juridike të kësaj shoqate jofitimprurëse zgjati më shumë se 6 muaj! A mund ta përfytyrojë dikush ç’do me thënë të shpenzohen 6 muaj vetëm për të nxjerrë një dokument ligjor, një leje për një shoqatë?!

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Sekretari i Kryesisë së Përkohshme të “Përkujdesjes Gjithshqiptare”, Hamdi Hysuka, mbeti rrugëve duke u përpjekur zyrë më zyrë. Ai e ka shtëpinë afërisht 100 kilometra larg Tiranës dhe ka qenë i detyruar të udhëtojë me autobus sa herë që duhej hedhur qoftë edhe një firmë në njërën nga këto zyra.

U krye gjithë kjo punë dhe tash çfarë po ndodh?! Tash kjo nismë, për të cilën jemi të bindur se do të hapte një epokë të re në historinë e kombit tonë, po mbytet që në djep. 

Në projektin tonë, kudo ku ka qenë e nevojshme, e kemi bërë të qartë që ky institucion i yni ka nevojë për mbështetje financiare dhe ka nevojë për mbështeje e përkrahje morale e materiale nga të gjitha anët: nga shqiptarët kudo që janë, nga individë të pasur dhe të varfër, nga intelektualët, nga shoqatat kudo që veprojnë dhe të çfarëdo profili që janë, nga organet shtetërorë dhe të pushtetit lokal, në të gjithë hapësirën ku jetojnë shqiptarët. Domethënë, në atdhe dhe në të gjithë botën.

Kemi trokitur dhe po vazhdojmë të trokasim në shumë dyer (herë tjetër do t’i themi me emra), por ato nuk po na hapen. Po na përcjellin me fjalë të mira ose po heshtin, duke menduar kushedi çfarë. Por projektin tonë nuk është aspak vështirë për ta kuptuar. Mjafton t’i lexosh të rreth 600 faqet që janë publikuar tashmë që të gjitha te portali “pashtriku.org”, por edhe nëpër mjaft organe të tjerë. 

U bë Samiti i Dytë i Diasporës, i shpërndamë disa dhjetëra kartvizita me emërtimin në krye “Përkujdesja Gjithshqiptare”, por nuk kemi asnjë reagim. Askush nuk po na merr në telefon dhe s’po na lajmërohet në e-mailet tanë. Të paktën për t’u informuar: Ç’është kjo organizatë me emër kaq “bombastik”?! Kush janë këta që po dashkan të përkujdesen për të gjithë shqiptarët?! Kanë udhëtuar që nga Amerika, që nga Australia dhe nga të gjithë vendet e Evropës, në emër të kombit, për të bërë diçka për kombin dhe s’ua tërheq vëmendjen ky emërtim: “Përkujdesja Gjithshqiptare”. Askush nuk mund të thotë se ata nuk punojnë për Kombin, por çudia është: Pse nuk po i tërheq ky emërtim me kaq shumë domethënie?!

E kemi hapur një numër llogarie në njërën nga bankat këtu në Tiranë, me këto të dhëna: Titulli i llogarisë: Shoqata “Perkujdesja Gjithshqiptare”, Nipt L91323452I, Nr. i llogarisë: 0001393078. Monedha All (Leku shqiptar). Raiffeisen Bank Sha. IBAN: AL28202110060000000001393078. Me këtë numrin e fundit (IBAN) mund të dërgohen të hollat në çfarëdo monedhe.

Kush e kupton drejt këtë nismë tonën, kush e kupton ashtu si duhet kuptuar, i lutemi ta japë kontributin e vet në këta numra llogarie bankare që i shënuam këtu sipër! Individët që e kanë një biznes, të madh apo të vogël, e kanë mundësinë të na e dërgojnë një sasi të hollash pa e cënuar aspak buxhetin e vet. Individët që nuk kanë mundësi të japin ndonjë shumë më të madhe, mund të bashkohen në grupe dhe të na e dërgojnë kontributin e tyre si grup, duke shënuar emrat e secilit kontribues dhe shumën që ka dhënë secili. Shoqatat, ndërkaq, e kanë më të lehtë ta japin kontributin e vet, sepse ato veprojnë të organizuara. Na duhet të theksojmë që “Përkujdeja Gjithshqiptare” do të veprojë gjithmonë nëpërmjet bankavet dhe asnjëherë “me para në dorë”, pa i dokumentuar me shkrim. Të gjithë kontribuesit që do të dërgojnë para në këta numra llogarie, duhet doemos të marrin dëshminë përkatëse nga banka, në mënyrë që, me anë të asaj dëshmie, të mund t’i kërkojnë llogari Kryesisë së “Përkujdesjes Gjithshqiptare”, ku dhe si janë shpenzuar ato të holla. Ndërkohë, ne si Kryesi, u garantojmë të gjithë kontribuesvet që çdo qindarkë të shpenzuar do ta pasqyrojmë në mënyrë krejt transparente dhe, sapo të arrijmë të kemi gazetën tonë, në faqet e asaj gazete do të jepen rregullisht, si emrat e kontribuesvet, ashtu edhe të dhënat mbi shpenzimet.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Përfundimisht, në qoftë se opinioni atdhetar shqiptar nuk do të reagojë pozitivisht ndaj kësaj organizate që ne jo më kot e kemi quajtur “Përkujdesja Gjithshqiptare”, në qoftë se shqiptarët nuk do ta mbështesin me të gjitha mënyrat këtë nismë, ne do të jemi të detyruar të deklarojmë me dhimbje që kjo kjo nismë e jona, krijuar me synim për të vepruar në mbrojtje të Kombit tonë jo për dhjetë apo 20 vjet, por shekull mbas shekulli, po vdes që në djep dhe Kombi ynë do të mbetet edhe më tej në mëshirën e spontanitetit.

Ka qenë një kohë kur etniteti ynë shtrihej që nga Sllovenia e sotme dhe nga Hungaria e sotme, deri në Azinë e Vogël, dhe s’është më, pikërisht sepse të parët tanë nuk e patën krijuar një institucion kulturor të kohezionimit. Ka qenë një kohë më e afërt, kur Kombi ynë shtrihej nga Nishi deri në Gjirin e Artës dhe tash shikojeni sa është ngushtuar!

Është hera e parë që kombi shqiptar po tenton të krijojë një institucion të vetin afatgjatë të kohezionimit. Nëse edhe kjo tentativë vritet që në djep, Kombi ynë nuk mund të presë tjetër, veçse ngushtime të mëtejshëm nga të gjitha anët!

Unë tash jam 82 vjeç. Do të duhej të paktën dy punë të arrinim t’i kryenim sa jam ende gjallë: 

1. Të krijonim diku të paktën nja tri a katër Fjalëmira të Gjuhësh Shqipe, sa për të parë praktikisht cili do të ishte funksioni i tyre. 

2. Ta vendosnim Kryesinë e “Përkujdesjes Gjithshqiptare” në Prizren, atje ku i takon të jetë dhe ku është përcaktuar që në fillim në projektin tonë. A do të arrijmë t’i kryejmë këto punë para se unë, krijuesi i kësaj platforme, të largohem fizikisht nga kjo jetë?! Kjo tashmë nuk varet prej meje.

                       Tiranë, 14 mars 2019 /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët. Këta nuk e kontrollojnë e as nuk e financojnë gazetarinë tonë kritike. Ndihmoje sot MekuliPress - Mbështete median e pavarur