Gjermania filloi sot presidencën e radhës të Bashkimit Europian përballë sfidave historike, siç është ndikimi i koronavirusit, me shpresë që kancelarja gjermane, Angela Merkel të përfundojë me hyrjen e saj në Panteonin europian. Kancelarja dhe ekipi i saj ishin përgatitur që prej disa muajsh për këtë datë, e para për Berlinin që prej vitit 2007 dhe një prej rasteve të fundit për drejtuesen gjermane të shkelqejë në skenën ndërkombëtare para tërheqjes së saj nga skena politike, programuar në fund të vitit 2021.

Brexit, klima, imigracioni… Punët nuk do të mungojnë gjatë këtyre gjashtë muajve të presidencës. Por koronavirusi i ka fshirë të gjithë skenarët. “Gjithmonë nën kërcënimin e një vale të dytë të COVID-19, Bashkimi Europian po përballet me sfida ekonomike që nuk i kemi njohur kurrë që prej dekadash, madje kurrë më parë”, nënvizoi kancelarja gjermane gjatë takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron.