The flags of Germany and France are seen in front of the the Chancellery, before the meeting between German Chancellor Angela Merkel and French President Emmanuel Macron in Berlin, Germany May 15, 2017. REUTERS/Pawel Kopczynski - RC1BF335E170
 

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas, dhe homologu i tij francez, Jean-Yves Le Drian, kanë kërkuar që të rifillojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian.

Ambasada Gjermane, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se situata e pazgjidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një faktor destabilizues për tërë Ballkanin Perëndimor dhe, sipas Gjermanisë dhe Francës, kjo pengon zhvillimin ekonomik dhe politik.

“Së bashku me Serbinë dhe Kosovën, ne jemi të vendosur për të zgjidhur të gjitha pengesat e mbetura. Situata e pazgjidhur midis të dy vendeve mbetet një faktor destabilizues për tërë Ballkanin Perëndimor dhe si e tillë, edhe një çështje evropiane e sigurisë. Ajo pengon zhvillimin e nevojshëm ekonomik dhe pengon përparimin politik”, thuhet në njoftim.

Ju pëlqen!

Dyshja evropiane thotë se janë të gatshme që ta mbështesin Përfaqësuesin Special evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

“Shtetet anëtare të BE-së emëruan një nga diplomatët më të aftë të Evropës, Mirosllav Lajçak, si Përfaqësues Special për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe për çështje të tjera rajonale. Franca dhe Gjermania janë të gatshme ta mbështesin atë dhe ekipin e tij me të gjithë potencialin tonë politik, diplomatik dhe ekonomik”, thuhet më tej në postim.

 

Mass dhe Drian kanë thënë se pasi që Lajçaku ka marrë detyrën e tij, tani është koha që dialogu të rinis dhe se sipas tyre, qëllimi i tij është që të arrihet marrëveshja midis Beogradit dhe Serbisë e cila do të kontribuojë në stabilitetin rajonal.

“Në prill të vitit 2019, kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron ftuan udhëheqësit e rajonit në një samit në Berlin. Tani që Mirosllav Lajçak ka marrë detyrën, është koha që dialogu të rinis. Qëllimi duhet të jetë arritja e një marrëveshje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese midis Beogradit dhe Prishtinës që zgjidh të gjitha çështjet e hapura dhe kontribuon në stabilitetin rajonal. Presidenti Macron ka shprehur gatishmërinë e tij për të mbajtur një samit të dytë në Paris. Sidoqoftë, gatishmëria për dialog është një parakusht për këtë”, kanë thënë ata.

Po ashtu të dy kryediplomatët evropianë kanë mirëpritur vendimin e kryeministrit Kurti për të suspenduar tarifat 100 për qind për mallrat nga Serbia, si dhe Bosnja dhe Hercegovina.

“Është inkurajuese të shihet se si Kosova dhe Serbia kanë trajtuar koronavirusin. Ne gjithashtu mirëpresim vendimin e kryeministrit Kurti për të pezulluar tarifat 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ne gjithashtu presim që Serbia të bëjë pjesën e saj të përpjekjeve”, kanë thënë Mass dhe Drian.

Tutje kryediplomtatët Mass dhe Drian thonë se nuk është koha për manovrim politik dhe se sipas tyre marrja parasysh e kërkesave të qytetarëve nënkupton trajtimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Nuk është koha për manovrime politike. Kriza e tanishme do të rrisë tensionet sociale dhe pakënaqësinë politike. Marrja e kërkesave të qytetarëve seriozisht nënkupton forcimin e institucioneve, trajtimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe zhvillimin e mundësive ekonomike për të gjithë. Kjo është rruga përpara që ju sugjerojmë – ne do të jemi pranë jush”, kanë përfunduar ata.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.