Në zonën ku banon, të gjithë e thërrasin “gjeniu i matematikës”. Ai mund të shumëzojë, pjestojë, mbledhë dhe zbresë lehtësisht një numër me numra dy, tre dhe katërshifrorë, pa patur nevojë për një makinë llogaritëse. Ndërsa ti e pyet, ai e ka gjetur përgjigjen. Numrat janë bota e tij, pasioni i tij. Ermisi nga Thumana spikati që i vogël për dhuntitë në shkencat ekzakte, duke befasuar edhe mësuesit.

“Që në klasë të parë kuptova se matematika është lënda ime e preferuar. Deri në ato momente nuk e dija se kisha aftësi të mblidhja dhe zbrisja. Më kanë ndihmuar shumë edhe mësuesit. Me kalimin e kohës, ushtrimet e librit më dukeshin shumë të thjeshta,”- na tregon 13-vjeçari, për talentin e të cilit mësuam gjatë trajnimit “Festojmë Familjen”.

Bashkë me 27 prindër dhe fëmijë, Ermisi ishte pjesë e një kampi dyditor me fokus ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme në familje, në kuadër të projektit “Përmirësimi i aftësive të familjeve për të përballuar situata emergjente”, i zbatuar nga World Vision Albania në bashkinë Krujë.

Ju pëlqen!

“Jam shumë i lidhur me mamin, por pjesëmarrja në programin Festojmë Familjen e ka thelluar edhe më tej marrëdhënien tonë. Më pëlqeu shumë koha e kaluar me familjen në kampin e familjes. Tani ndjej një perkushtim më të madh nga mamaja ndaj meje dhe vëllait,” – na tregon 13 vjeçari nga Thumana.

Ermisi e kalon kohën e lirë duke lexuar gjeometri, trigonometri dhe çdo gjë që ka të bëjë me botën e matematikës. Jetesa në periferi të Thumanës dhe mungesa e vëmendjes së duhur, nuk e kanë penguar adoleshentin të zhvillojë më tej talentin e tij.

“Jetesa në fshat të penalizon. Nuk jam përfshirë në konkurse dhe olimpiada. Më pëlqen të mësoj në mënyrë të pavarur, duke shfrytëzuar librat që kam në dispozicion, apo edhe videot në youtube. Sa më shumë rritem, aq më shumë kuptoj se kam nevojë për libra dhe mundësi të reja për zhvilluar aftësitë e mia,”- thekson djaloshi.

Për Luljetën, fakti që një nga djemtë e saj është i talentuar në matematikë, është sa krenari edhe gëzim, po aq edhe një përgjegjësi e shtuar. Familja jeton vetëm me të ardhurat që siguron babai i Ermisit, i cili punon kryesisht në ndërtim, ndërsa Luljeta angazhohet në bujqësi.

“Me duket e pabesueshme që djali ka kaq shumë talent në matematikë. Kemi vështirësi, por do bëj gjithçka që të siguroj të ardhura që djali të ketë mundësi të zhvillojë më tej talentin e tij,” – shprehet Luljeta, ndërsa nuk i mban dot lotët teksa na tregon për daljen e parë të televizive të Ermisit. Një nga televizionet kombëtare i ka kushtuar një emision të veçantë talentit të 13 vjeçarit dhe për Luljetën ky ishte një moment krenarie.

Luljeta na tregon gjithashtu se kampi dyditor në kuadër të programit “Festojmë Familjen” e ka rimodeluar marrëdhënien e saj me 2 fëmijët.

“Nuk do ta harroj kurrë këtë kohë. Nga gëzimi, natën e parë të kampit kam fjetur me dy fëmijët të përqafuar. Trajnimet do përpiqem t’i zbatoj në familjen time. Kam mësuar se duhet të bashkëbisedoj më shumë dhe të kaloj kohë cilësore me fëmijët dhe bashkëshortin. Kjo e forcon familjen,” – thotë Luljeta, ndërsa shton se synimi i saj është që të bëjë çfarë është e mundur që Ermisi të shkëlqejë me talentin e tij.

Pjesëmarrja në trajnimin “Festojmë Familjen” ka lënë ndikim të fuqishëm edhe tek Ermisi. 13-vjeçari shprehet se para se të jetë një gjeni në matematikë, do përpiqet që të jetë një gjeni me prindërit dhe vëllain e tij.

“Kam mësuar shumë gjëra këto dy ditë. Mbi të gjitha kam mësuar sa pa mbështetje nuk mund të zhvillojmë talentet tona. Kam mësuar se para se të jem një gjeni në matematikë, dua të jem një gjeni në marrëdhëniet me familjen time,” e mbyll mesazhin e tij djaloshi i talentuar.

Përmes projektit “Përmirësimi i aftësive të familjeve për të përballuar situata emergjente”, 115 familje në bashkinë Krujë, në njesitë administrative Fushë-Krujë, Thumanë dhe Bubq janë mbështetur të hedhin bazat e një ekonomie të qendrueshme familjare.

Gjithashtu, në kuadër të këtij projekti janë organizuar disa trajnime me fokus ndërtimin e praktikave të shëndetshme të prindërimit dhe të aftësive të nevojshme për të përballuar më mirë situatat e emergjencës në të ardhmen. Përmes këtyre trajnimeve, prindërit kanë patur mundësi të shkëmbejnë mendime dhe eksperienca me njëri-tjetrin, si dhe të njihen me disa teknika që mund t’u vijnë në ndihmë për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme me fëmijët dhe bashkëshortët.

Ky ndërhyrje është marrë në kuadër të “Përgjigje e Mbrojtje Sociale ndaj Tërmeteve” (ESPR), një projekt i zbatuar nga UNDP Albania dhe financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Qeveria e Finlandës dhe Qeveria e Norvegjisë. Projekti mbështet Qeverinë Shqiptare dhe tre bashki të prekura nga tërmeti, në procesin e dizenjimit dhe përkthimit të politikave që synojnë në ndërmarrjen e veprimeve të duhura lokale për të siguruar që burrat, gratë, vajzat dhe djemtë që jetojnë në varfëri, ose situata të cënueshme, që ndërthuren me kushtet pas tërmetit, të kenë akses në shërbime sociale të integruara dhe cilësore.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!