Sot në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës në prezencë të një numri të madh të të interesuarve u përurua në mënyrë solemne libri i gjeneralit Kudusi Lama “Rexhep Qosja-filozof, ideolog dhe politikan i çështjes kombëtare” i botuar në qershor të këtij viti nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Librin e prezantuan recensentët e librit dr.Shyqri Galica e dr.Fadil Grajçevci te cilët e vlerësuan larte personalitetin dhe veprën shkencore, letrare e kombëtare te akademik Qosjes. Ne këtë tubim folën edhe dr.Hysen Matoshi dhe zt.Qemal Mingjozi, ambasador i RSH ne Kosovë, :si edhe autori i librit Kudusi Lama dhe protagonisti i librit akademik Rexhep Qosja i cili iu falenderu autorit per punen e perkushtuar ne realizimin e librit si dhe të prinishmeve ne perurim te librit per respektin e treguar.

Janë shkruar shumë libra dhe janë bërë shumë studime për figurën poliedrike të Rexhep Qosjes, si romancier, historian i letërsisë, kritik letrar, dramaturg e eseist, por rrallë është trajtuar në ndonjë libër si intelektual i angazhuar, si ideolog, filozof dhe politikan i çështjes kombëtare shqiptare.

Gjeneral Kudusi Lama, si një prej autorëve me kontribute të pakontestueshme në fushën e mendimit shqiptar, në këtë studim ka marr në shqyrtim krejt veprën letrare, shkencore dhe publicistike të Rexhep Qosjes dhe me një guxim shkencor shpalos profilin e munguar të Rexhep Qosjes si ideolog, filozof dhe politikan i çështjes kombëtare shqiptare.

Ju pëlqen!

Në analizën e gjatë shkencore Lama nxjerr si përfundim se Rexhep Qosja është arkitekti kryesor i filozofisë dhe i ideologjisë së qëndresës kombëtare shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Sipas tij, me idetë politike që i shpalosi në orët më bujshme dhe dramatike të zhvillimeve kombëtare, sikurse edhe me kundërshtitë të cilat jo rrallë padrejtësisht u keqkuptuan, Rexhep Qosja u bë busulla historike përmes së cilës mori drejtim fati politik dhe historik i popullit shqiptar.

Të vërtetat e guximshme që shpalos ky studim i Kudusi Lamës, jepen me përgjegjësi shkencore, etike dhe intelektuale; artikulohen me një gjuhë të thjeshtë dhe bindëse dhe realizohen bazuar në një hulumtim gjithëpërfshirës shkencor.

Gjenerali mirënjohur i luftës së Kosovës, Kudusi Lama, është autor i disa librave nga fusha e studimeve ushtarake dhe të sigurisë, por ai, gjithashtu, ka botuar edhe disa libra publicistikë dhe të mendimit politik. Karrierën profesionale e ka ndërtuar si oficer në Ushtrinë e Shqipërisë deri në gradën e gjeneralit.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.