Nick Danforth – German Marshall Fund

Brenda një viti nga nënshkrimi i Traktatit të Sèvres, fuqitë evropiane filluan të dyshojnë se kishin kafshuar më shumë sesa mund të përtypnin. Të vendosur për t’i rezistuar pushtimit të huaj, oficerët osmanë si Mustafa Kemal Ataturk riorganizuan atë që mbetej nga ushtria osmane dhe, pas disa vitesh luftime të dëshpëruara, dëbuan ushtritë e huaja duke kërkuar të zbatonin kushtet e traktatit. Përfundimi ishte Turqia që ne njohim sot, kufijtë e rinj të së cilës u vendosën zyrtarisht në Traktatin e Lozanës në 1923.

Sèvres është harruar kryesisht në Perëndim, por ka një trashëgimi të fuqishme në Turqi, ku ka ndihmuar në nxitjen e një forme të paranojës nacionaliste që disa studiues e kanë quajtur “sindromi Sèvres”. Sèvres sigurisht mund të luajë rol në ndjeshmërinë e Turqisë ndaj separatizmit kurd, si edhe besimi se gjenocidi armen – i përdorur gjerësisht nga diplomatët evropianë për të justifikuar planet e tyre për Anadollin në vitin 1920 – ka qenë gjithnjë një komplot anti-turk dhe jo një çështje e së vërtetës historike. Për më tepër, lufta themelore e Turqisë me pushtimin kolonial e la gjurmën e saj në një formë të vazhdueshme të nacionalizmit antiimperial, të drejtuar së pari kundër Britanisë, gjatë Luftës së Ftohtë kundër Rusisë, dhe tani, mjaft shpesh, kundër Shteteve të Bashkuara.

Ju pëlqen!

Por trashëgimia e Sèvres shtrihet përtej Turqisë dhe kjo është pikërisht arsyeja pse ne duhet ta përfshijmë këtë traktat së bashku me Sykes-Picot** në historinë tonë të Lindjes së Mesme. Do të na ndihmojë të sfidojmë nocionin e përhapur se problemet e rajonit filluan me evropianët që i vizatuan kufijtë në një hartë boshe.

Nuk ka dyshim se evropianët ishin të kënaqur me krijimin e kufijve që përputheshin me interesat e tyre, sa herë që mund t’ia dilnin të bënin këtë. Por dështimi i Sèvres dëshmon se në disa raste ata nuk ia dolën. Kur shtetarët evropianë u përpoqën të rivizatonin hartën e Anadollit, përpjekjet e tyre u mposhtën me forcë. Në Lindjen e Mesme, përkundrazi, evropianët arritën të imponojnë kufij, sepse kishin fuqinë ushtarake për të vënë poshtë ata që u rezistonin. Sikur nacionalisti sirian Yusuf al-Azma, një tjetër oficer me mustaqe i ushtrisë osmane, të përsëriste suksesin ushtarak të Ataturkut dhe të mposhtte francezët në Betejën e Maysalun, planet evropiane për Levantin do të kishin shkuar njësoj si  Sèvresi.

Në kufijtë do të ishin ndryshe, a do ta kishte bërë kjo Lindjen e Mesme më të qëndrueshme, ose mbase më pak të prirur për dhunë sektare? Jo domosdoshmërisht. Por, të parit e historisë përmes thjerrëzave të traktatit të Sèvres sugjeron një pikë më të thellë në lidhje me marrëdhënien shkak-pasojë mes rivënies europiane të kufijve dhe paqëndrueshmërisë së Lindjes së Mesme: rajonet që përfunduan me kufij të imponuar nga Evropa prireshin të ishin shumë ose të çorganizuara për t’i rezistuar me sukses pushtimit kolonial. Turqia nuk u bë më e shëndetshme dhe më demokratike sesa Siria apo Iraku sepse pati fatin e mirë të përfitonte kufijtë e duhur. Përkundrazi, faktorët që i mundësuan Turqisë të kundërshtonte planet evropiane dhe të vizatonte kufijtë e saj – përfshirë një ushtri dhe infrastrukturë ekonomike të trashëguar nga Perandoria Osmane – ishin disa prej atyre që i bënë të mundur Turqisë të ndërtojë një komb-shtet të fortë e të centralizuar të stilit evropian.

Sigurisht, shumë nacionalistë kurdë mund të pretendojnë se kufijtë e Turqisë aktualisht janë të gabuar. Në të vërtetë, disa përmendin mungesën e shtetit kurd si një krisje fati në kufijtë pas-otomanë të rajonit. Por kur imperialistët evropianë u përpoqën të krijonin një shtet kurd në Sèvres, shumë kurdë luftuan krah Ataturkut për të përmirësuar traktatin. Kjo të rikujton atë se besnikëria politike mundet edhe të tejkalojë identitetin kombëtar në mënyrat që ne do të ishte mirë të fillonim t’i kuptonim sot.

Shteti kurd, i parashikuar në Traktatin e Sèvres, do të kishte qenë, nën kontrollin e britanikëve. Ndërsa kjo u bë një apel për disa nacionalistët kurdë, të tjerë e panë si problematike këtë formë të “pavarësisë” të mbizotëruar nga britanikët. Kështu që ata u bashkuan për të luftuar “Lëvizjen Kombëtare Turke”. Veçanërisht midis kurdëve fetarë, sundimi i vazhdueshëm turk ose osman dukej më i preferuar sesa kolonizimi i krishterë. Kurdë të tjerë, për arsye më praktike, u ankuan se me të marrë drejtimin britanikët do të mbështesin në mënyrë të pashmangshme armenët e shpërndarë së fundmi, që kërkonin të ktheheshin në rajon. Më vonë, disa u penduan për vendimin e tyre kur u bë e qartë se shteti për të cilin ata kishin luftuar ta krijonin do të ishte dukshëm më shumë turk – dhe më pak fetar – sesa parashikohej. Por të tjerët, nën shkallë të ndryshme të shtrëngimit, vendosën të pranonin  identitetin që u ofronte shteti i ri.

Shumë nacionalistë turq mbeten të frikësuar nga mënyra sesi shteti i tyre u shkatërrua nga Sèvres, ndërsa shumë nacionalistë kurdë ende e imagjinojnë shtetin që mund të kishin arritur. Në të njëjtën kohë, qeveria e sotme turke shfytëzon virtytet e tolerancës osmane dhe multikulturalizmit, ndërsa udhëheqësi i separatizmit kurd, Abdullah Oçalanm, siç duket pasi ka lexuar në burg sociologun Benedict Anderson, pretendon se ka zbuluar se të gjitha kombet janë thjesht ndërtime shoqërore. Partia në pushtet, AKP dhe HDP-ja pro-kurde e kaluan pjesën më të madhe të dekadës së fundit duke garuar në përpjekjen për të bindur votuesit kurdë që një votë për partinë e tyre ishte një votë për paqen – garë që do të thotë, cila parti është e aftë të zgjidhë konfliktin e gjatë me Turqinë duke krijuar një shtet më të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Me pak fjalë, ndërsa shumë amerikanë ende debatojnë për natyrën “artificiale” të shteteve të bëra evropiane në Lindjen e Mesme, Turqia po kalon me mjeshtëri një obsesion shekullor, duke dëshmuar se është “i vërtetë”.

Është e panevojshme të thuhet se, përsëritja vala e re e dhunës që Turqia ka parë javët e funditnë  disa raste kërcënon këta elementë të brishtë të një konsensusi post-kombëtar. Ndërsa AKP kërkon arrestimin e drejtuesve politikë kurdë dhe guerilasve kurdë që qëllojnë oficerët e policisë, nacionalistët nga të dy palët po kthehen në pozicione të njohura, kontradiktore. Për 95 vjet, Turqia korri përfitimet politike dhe ekonomike të fitores së saj mbi Traktatin e Sèvres. Por ndërtimi i këtij suksesi tani kërkon krijimin e një modeli politik më fleksibël, që ndihmon në zhvillimin e betejave pa u dhënë rëndësinë e dikurshme kufijve dhe identitetit kombëtar.

*Traktati i Sèvres, i nënshkruar  në vitin 1920, u krijua për të likuiduar Perandorinë Osmane dhe shfuqizuar virtualisht sovranitetin turk. Traktati iu imponua Perandorisë Osmane nga Aleatët e Luftës së Parë Botërore. Traktati u nënshkrua në 10 gusht 1920, në një dhomë që shërbente si ekspozitë në fabrikën e porcelanit në Sèvres, Francë. 

**Marrëveshja Sykes-Picot  ishte një traktat i fshehtë i vitit 1916 midis Britanisë së Madhe dhe Francës, me pëlqimin e Perandorisë Ruse dhe Italisë, për të përcaktuar sferat e tyre të ndikimit dhe kontrollit, të pajtuara reciprokisht, në një ndarje eventuale të Perandorisë Osmane. Marrëveshja u bazua në premisën se marrëveshja trepalëshe do të arrinte të mposhtte Perandorinë Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore dhe të formonte një pjesë të një serie marrëveshjesh sekrete që mendonin për ndarjen e saj. Marrëveshjet u firmosën midis 23 nëntorit 1915 dhe 3 janarit 1916 dhe u ratifikuan nga qeveritë përkatëse në maj të atij viti.

Burimi: Foreign Policy

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike! FOTO: No copyright infringement is intended.