Nuk ishte dhe aq shumë e fshehur. Letra e humbur, ku Galileo Galilei kundërshtonte teorinë e Kishës, se Dielli rrotullohet rreth Tokës, u gjet në një bibliotekë në Londër. Në posedim të “Royal Society” për rreth 250 vjet, por që i kishte shpëtuar syrit të historianëve, u zbulua nga studiuesi italian Salvatore Ricciardo.

Letra e vitit 1613, e gjatë shtatë faqe, në fund e firmosur G.G., i ishte drejtuar mikut Benedetto Castelli, matematikan i universitetit të Pizës, ku Galileo flet për herë të parë se kërkimi shkencor duhet të jetë i lirë nga doktrina teologjike.

Teksti iu dorëzua Inkuzicionit më 7 shkurt 1615 nga frati dominikan Niccolò Lorini dhe kopja e asaj letre ruhet tani në arkivat e Vatikanit. Një javë më vonë, Galileo i shkroi mikut Piero Dini, duke i sugjeruar se versioni i dërguar nga Lorini te Inkuzicioni ishte ndryshuar. Galileo i bashkëngjiti edhe një version të zbutur të letrës që i dërgoi Castelli-t, duke e prezantuar si versionin origjinal, dhe i kërkoi që t’ia dërgonte teologëve në Vatikan.

Ju pëlqen!

Duke i shkruar Dinit, Galileo, që në vitin 1633, pas publikimit të “Dialogu mbi sistemet e mëdha të botës” u dënua për herezi, ankohej për ligësinë dhe injorancën e armiqve të tij dhe shprehej i shqetësuar se “Inkuzicioni mund të binte pre e mashtrimit të mbuluar me mantelin e zellit dhe bamirësisë”.

Por, si shkoi vërtet? Galileo iu shfry vërtet mikut Castelli kundër presioneve dhe ndërhyrjeve të Kishës, apo dikush dërgoi një letër false te Inkuzicioni kundër shkencëtarit?

Gjithçka nisi më 13 dhjetor 1613, kur Castelli u thirr para gjykatës. Dyshimet për ortodoksinë e ideve të Galileos kishin nisur të depërtonin dhe nxënësi dhe miku Castelli, që jepte matematikë në universitetin e Pizës, u përpoq të qetësonte ankthet e Cosimo II dhe të dukeshës nënë, Cristina di Lorena. Duke parë rëndësinë dhe seriozitetin e situatës, njoftoi mësuesin e tij. Galileo iu përgjigj me letrën që sapo u gjet, por që e rishkroi rreth dy vjet më pas me korrigjimet e gjetura.

Dokumenti i gjetur nga Ricciardo tregon se shkencëtari i korrigjoi dhe zbuti fjalët e tij, për të evituar zemërimin e Inkuzicionit. Teksti është plot me korrigjime, me modifikime domethënëse, siç bën të ditur revista “Nature”, që publikoi paraprakisht për këtë zbulim.

Në një pikë, p.sh., fjala “fals” që i atribuohet disa afirmimeve të biblës është zëvendësuar me “shfaqet ndryshe nga e vërteta”. Por, pas modifikimeve dhe fshirjeve, teksti origjinal rezulton të jetë ai i dërguar nga Lorini te Inkuzicioni.

Ricciardo, së bashku me mbikëqyrësin e tij Franco Giudice dhe historianin e universitetit të Kaliarit, Michele Camerota, verifikuan origjinalitetin e letrës, duke krahasuar disa fjalë me të tjera të shkruara nga Galileo në të njëjtën periudhë. Zbulimi është përshkruar në një artikull që pritet të publikohet nga revista “Notes and Records”, e “Royal Society”.

E. Qose

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.