Albin Kurti tashmë pritet të jetë kryeministri i ri i Kosovës pasi fitorja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, i jep të drejtën atij për të qenë kandidati në këtë post. Kujtojmë që Kurti ka artikuluar gjithmonë kauzëne bashkimit kombëtar me Shqipërinë dhe Kosovën.Në ndryshim nga Kurti, tjetër duket sjellja e kryeministrit Edi Rama ndaj kësaj kauze. Rama e ngriti dollinë të enjten, duke bërë “amin” për tendencën e shpërfaqur dhe të kërkuar të liderit serb për të qenë “zoti” i ri i Ballkanit, për të qenë njëshi i qarkullimit të ideve dhe i parasë në Ballkanin, ende të brishtë nga pasojat e lustrave ekspansioniste serbe e të vet Vuçiqit dhe për ta vënë monopolin e këmbimit tregtar në Ballkan nga shteti, i cili prin me produkte bujqësoro-industriale.Për këtë ka folur edhe Albin Kurti. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje tha se nuk e dinë se kryeministri Edi Rama është konsultuar me ndonjë politikan kosovar për marrëveshjen e “Shengenit Ballkanik”. Ai pohoi se këtë çështje do ta trajtojë në takimin e parë që do të mbajë me kryeministrin Rama.

“Nuk e di nëse Rama është konsultuar me dikë në Kosovë për këtë hap që ka marrë, mirëpo kjo është një ndër çështjet që do ta ngre në takimin e parë me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, qoftë kjo si fitues i zgjedhjeve, apo edhe si kryeministër i Republikës së Kosovës.” – tha Kurti.

Kreu i LVV theksoi më tej se Tirana zyrtare nuk duhet të ketë qëndrim ndryshe nga Kosova, sa i përket Beogradit. Sipas Kurtit, çdo rrugë e Tiranës për në Beograd kalon nëpër Prishtinë dhe Kosova është e vërteta e Serbisë.

“Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të të njëjtit komb dhe Tirana Zyrtare nuk do duhej të kishte tjetër politikë karshi Beogradit dhe të jetë ajo e ndryshme prej Prishtinës. Çfarë do rrugë e Tiranës për në Beograd kalon nëpër Prishtinë dhe Kosova është e vërteta e Serbisë, shqiptarët janë e vërteta e Serbisë. Nuk mund të kemi dy politika të ndryshme të jashtme karshi Serbisë. Në përgjithësi besoj që nuk kemi nevojë fare për dy politika të jashtme, por aq më tepër kjo vlen karshi Serbisë, e cila ka përplot krime nga e kaluara dhe kurrfarë pendese në të tashmen, që do të na ndihmonte për pajtim në të ardhmen. ” – përfundoi Kurti.