Gati 6 muaj pas sulmit me thikë, shkrimtari Selman Rushdie vjen me një vepër të re artistike. I titulluar “Qyteti i Fitores”, libri tregon historinë e një vajze jetime që sfidon një botë patriarkale për të sunduar një qytet të tërë.

I shkruar para sulmit që gati i mori jetën autorit me origjinë indiane, romani është një përkthim i një historie epike të shkruar fillimisht në sanskritisht ku ngjarjet vendosen në shekullin e XIV.

Për revistën New Yorker të botuar këtë javë, ai është shprehur se dëshiron që ngjarja e rëndë që ndodhi muaj më parë të mos e lënë në hije romanin.

“Gjithmonë kam menduar se librat e mi janë më interesantë se jeta ime. Fatkeqësisht, bota duket se nuk pajtohet”, tha ai për revistën.

Sulmi me thikë kundër shkrimtarit ndodhi gjatë një aktiviteti kulturor në Nju Jork dhe shkaktoi reagime të shumta.

Prej vitesh ai u përball me kërcënime me vdekje për shkak të librit të botuar në vitin 1988, ”Vargje Satanike”, i cili zemëroi mjaft myslimanë. / Klan News /