Për arsye të ndryshme, historike e gjeografike, qyteti i Gjakovës ka një lidhje unike shpirtërore me Kombëtaren Shqiptare të futbollit.

Përpos faktit që sa herë që luan Kombëtarja kuqezi, shumë tifozë nga Gjakova ia mësyejnë nënës Shqipëri për të parë ndeshjet, ky qytet i ka dhënë gjithmonë futbollistë të shquar Kombëtares, përcjellë Gazeta Olle.

Të hënën, kapiten i Kombëtares Shqiptare ishte një tjetër djal qyteti nga Gjakova.

Bëhet fjalë për Amir Abrashin, i cili për herë të parë barti shiritin e kapitenit nga fillimi i ndeshjes, në sfidën kualifikuese për Kampionatin Evropian ndaj Moldavisë, të fituar 4:0.

Ai bëri një paraqitje pozitive, duke qenë mes më të mirëve te Shqipëria.

Abrashi është futbollisti i tretë nga Gjakova që bëhet kapiten i Shqipërisë në dy dekadat e fundit.

Para mesfushorit luftarak, kapiten legjendar i Shqipërisë ishte Lorik Cana.

Mbrojtësi gjakovar njihet si lideri i skuadrës që shkroi historinë në librat e futbollit mbarë-shqiptar, duke u kualifikuar në Kampionatin Evropian më 2016.

Pas Evropianit Cana ishte pensionuar, duke lënë një boshllëk të madh në ekipin Kombëtar.

E para Canës e Abrashit, kapiten ishte një tjetër futbollist i njohur që po ashtu rrënjët i ka nga një familje e vjetër e qytetit në Gjakovë.

Ishte Besnik Hasi, mbrojtës e mesfushor defanziv te kuqezinjtë.

Ai ishte pjesë e Shqipërisë që nga vitit 2000 deri më 2007.

Hasi vazhdoi karrierën si trajner, për t’u përmendur shpesh herë më pas si përzgjedhës ideal për Kombëtaren, një ide që ende nuk është konkretizuar.

Aktualisht përpos Abrashit, pjesë e Shqipërisë janë edhe Burim Kukeli dhe Eros Grezda, po ashtu nga qyteti i Gjakovës.

Mesfushori Kukeli ishte ndër lojtarët kryesorë të kampanjës kualifikuese e më pas edhe finaleve të Kampionatit Evropian, por më pas pati një rënie për shkak të dëmtimeve të shumta.

Ndërkohë, Grezda ka hasur në vështirësi të shumta në vitin e fundit për shkak të sjelljeve jo të mira, ani pse deri vonë konsiderohej si futbollisti më premtues i kuqezinjve.

Të pesë futbollistët, Hasi, Cana, Abrashi, Kukeli dhe Grezda, të prirë nga lojtari tjetër i qytetit, Naim Kryeziu, që në shekullin e kaluar kishte luajtur për Shqipërinë, ishin protagonistë të një koreografie gjigante që tifozët e Vëllaznimit e kishin shfaqur në fillim të vitit të kaluar në ndeshjen ndaj Prishtinës në Gjakovë (0:0). /Gazeta Olle/