Shahin Sallahu

Ekipet e mëdha të futbollit gjithmonë përpiqen të angazhojnë trajnerët më të mirë që ka tregu, gjithnjë duke tentuar që ekipi i tyre të bëhet kampion!

Trajnerët e tillë posa të marrin komandën e ekipit, premtojnë se në fund të sezonit do të dalin kampion. Shpesh herë premtimet e tilla nëse nuk i realizojnë, i lënë këta trajnerë pa punë, dmth. kontrata e tyre me përgjegjësit e ekipit shkëputet! 

Ju pëlqen!

Në trojet shqiptare e posaçërisht në Kosovë, kemi një klasë politike që premtimet e tyre për kampion në fund të sezonit nuk i kanë realizuar kurrë! Për më keq, këto premtime i kanë të përditshme, të përmuajshme, të përjetshme! Madje, në fushatat parazgjedhore, e qe tek ne nuk janë çdo 4 vite, sepse asnjë qeveri nuk e çoj deri në fund mandatin, premtimet janë sa të parealizueshme poaq edhe të turpshme! 

Kujtojmë që Hashim Thaçi, një herë si kryeministër e tash si kryetar i kontrabanduar i Kosovës, që nga viti 2012, dmth qe 8 vite ka premtuar se do të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën! 

Trajneri i ekipit për mos realizimin e premtimit, i mbledh plaçkat pas një sezoni, soji i Thaçit e merr komandën edhe të përgjegjësve të ekipit, pra edhe të atyre që gjykojnë se çfarë është e mirë e çfarë është e keqe për ekipin! 

Pothuajse të njëjtën këngë e kanë kënduar të gjithë deri te qeveria e fundit, kjo më jetëshkurtëra e Kurtit! Ndoshta ishte kaq e shkurtë sepse nuk diti të bëj premtimet e njëjta si paraardhësit e tij!? 

Haradinaj madje çështjen e liberalizimit e patë quajtur si të kryer, “liberalizimi ka ndodh pardje”! 

Megjithatë, çështje e gënjeshtrës së përditshme për liberalizimin e vizave, për mua është më e vogëla sepse liberalizimi nuk ndodh për shkak të premtimit, por përkushtimit të hapjes së perspektivës së popullit tënd dhe ngritjen e standardit jetësor e që si rrjedhojë do ta sillte automatikisht edhe lëvizjen e lirë nëpër botë!

Pse gjithë ky gëzim për rrëzimin e qeverisë Kurti? Pse u bënë të gjithë kundër tij? Përgjigjja është tejet e thjeshtë! Kurti nuk eci në vijen që e kishin gërvishtur këta tjerët mbi lëkurën e popullit që 20 vite me radhë! Por jo, as Kurti nuk bëri mrekullira, thjesht bëri atë që është dashur ta bëj çdo qeveri që e do vendin e vet, pra të kthej shtetin te qytetarët, të largoj muret e ngritura mes pushtetit e qytetarit! Se a bëri shumë apo pak, këtë nuk mund ta vlerësoj askush sepse një trajner sado i mirë që të jetë, nuk mund ta bëj kampion ekipin në gjysmë të sezonit, dhe nuk mund të bëj ekip të mirë kur gjysma e lojtarëve luajnë kundër tij!

Disa të gjithëditur, thanë se Kurti e rrëzoi vetveten, Kurti nuk guxon të bisedoj me Serbinë, Kurti është popullist etj., etj.! 

Në programin qeverisës, bisedimet me Serbinë Kurti nuk i ka pasur prioritet, edhe mirë ka bërë! Pse Kosova ta vë prioritet Serbinë, kur ka 100 probleme tjera? Kosovës do t’i duhej një stabilitet ekonomik, sistem i zhvilluar shëndetësor e arsimor, tek pastaj do të mund të bisedohet me Serbinë për çështjet e pazgjidhura! Kujtojmë që bisedimet e disavjetëshme me Serbinë, asnjë të mirë nuk ia kanë sjellur Kosovës! Edhe më qytetari i Kosovës nuk guxon të identifikohet me Pasaportë të Kosovës, edhe më nuk guxon të ngasë veturë me targa të Kosovës! 

Albin Kurti dhe qeveria e tij ndoshta ka shumë gabime, por asnjëri nga këto gabime nuk e varfëroj xhepin e qytetarit, asnjë nga këto gabime nuk e bëri servil e lypësar shtetin e Kosovës!

E tani, që nga java tjetër, ktheni gjygymat e çajit nëpër zyret e qeverisë, thirrni dajallarët e bijat nëpër zyre dhe vazhdoni avazin e vjetër! Frikën më të madhe e kam se mos pahir po kërkon Lista Serbe të ndërpriten bisedimet me Serbinë dhe fillimin e bisedimeve për bashkim kombëtar me Shqipërinë!?

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!