Gazetarët shqiptarë po e rehabilitojnë politikën zyrtare serbe të vitit 1989

Prill 1, 2019 Të nderuar gazetarë e gazetare,

Jemi në muajt e përvjetorëve të të të rënëve në luftë për çlirimin e Kosovës. Janë ditë e momente të vështira, të sketërshme e të rënda, jo vetëm për familjarët, miqtë dhe kombin por edhe për vet ne gazetarët.
Të nderuar kolegë,
Publiku është produkt i krijuar nga fjala, shprehja, shkrimi, fotografia dhe fjalimi. Secili nga ne mendon, pak a shumë, në mënyrë të vetëdijshme për publikun, të cilit i drejtohemi. 

Përse e kam fjalën?
Shteti serb, shteti zyrtar serb, Beogradi zyrtar e ka ideuar, e ka menduar, organizuar dhe e ka planifikuar në përpikëri si strategjinë e tij luftarake ashtu dhe vrasjet në Kosovë, prej vitit 1878. Kjo gjë, tanimë dihet, apo jo? Por këtu kemi një problem të madh, jo vetëm profesional nga fusha e gazetarisë, por edhe politik, social dhe historik. Në lidhje me këtë, përsëri, mendoj t’iu rikujtoj disa gjëra, që ju gjithsesi edhe i dini, duke menduar se nuk po m’i merrni për keq.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Gjatë përshkrimit të operacioneve vrastare serbe në Kosovë, kam vënë re shpesh here që shumë kolegë gazetarë e gazetare, ndoshta në nguti e sipër, përdorim fjalë si p.sh: 
1. “paramilitarë”, 
2. “paraushtarakë”, 
3. “kriminelë serbë”, 
4. “të droguar”, 
5. nën ndikimin e alkohoolit, 
6. “kriminelë të dalë nga burgjet serbe”, etj., etj.

Mirëpo, duhet ta kemi të qartë se çfarë gabimi bëjmë me përdorimin e këtyre fjalëve. E them kët gjë pasi, duke përdorur ne këto terma jemi ne, gazetarët e gazetaret, që ndihmojmë në pastrimin juridik, politik, ekonomik e moral të shtetit serb. Mundet që të lindin shumë pyetje për çka po shkruaj, por gjithsesi mendoj se mund të ketë një përgjigje. 

Përdorimi i fjalës dhe i gjuhës ka konotacione politike, përpos asaj komunikative. Ndërtimi i fjalisë, i filmit, fotografisë dhe përdorimi i shprehjeve të zgjedhura nuk është i pafajshëm dhe i rastësishëm. Nuk është i rastësishëm sepse, nëse ne ia dalim ta bindim dikë se pikëpamjet tona rreth një teme, apo një çështjeje dhe rreth një problemi janë të drejta, kjo do të thotë se ne kemi ndikuar në një farë mase në mendimin e këtij lexuesi përmes ndihmës së gjuhës dhe fotografisë. Mirëpo, e vërteta mbi botën nuk është çdo herë objektive dhe e qëndrueshme, por kjo ndikohet dhe formësohet nga dikush. E ky dikushi jemi ne, gazetarët!
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Çfarë dua të them?
Duke mënjanuar nga publikja fjalën “ushtri serbe”, “policia serbe” e “njësitë speciale serbe” etj., ne gazetarët dhe gazetaret, në mënyrë të vetëdijshme, apo të pavetëdishme, po bëjmë rehabilitimin e politikave zyrtare të Serbisë karshi vrasjeve dhe dëbimeve masive që ky shtet kryejti ndaj shqiptarëve në Kosovë. 
Duke përdorur fjalët: 1. “paramilitarë”, 2. paraushtarakë”, 3. “kriminelë serbë”, 3. “të droguar”, 4. nën ndikimin e alkohoolit dhe 5. ” kriminelë nga burgjet serbe” etj., ne, mediat në gjuhën shqipe, dashje pa dashje krijojmë një realitet tjetër politik, juridik e ushtarak në Kosovën e sulmuar nga Serbia. Kështu ne, pra njerëzit e lapsit e të kamerës, po krijojmë një “fotografi, një pamje tjetër” për politikat e shtetit serb, një të vërtetë tjetër ushtarake dhe politike jo reale; se nuk janë politikat zyrtare serbe ato që kanë bërë vrasje, masakrime dhe dëbime të një kombi në Kosovë, por ishin “vetëm bandat, organizatat e njërëzit” që ishin jashtë kontrollit të politikave zyrtare dhe të diplomacisë serbe.

E përsëris se përdorimi i shprehjeve, fjalëve dhe gjuhës në përgjithësi nuk është i padjallëzuar dhe i rastësishëm. Do të ishte mirë që mediat e pavaruara shqipe, gazetarët dhe gazetaret shqiptare të jenë me kritikë, më të lexueshëm, me syçelë dhe me largëpamës në përdorimin e fjalëve dhe shprehjeve rreth përshkrimit të ngjarjeve, e në veçanti gjatë përshkrimit të krimeve të shtetit serb ndaj shqiptarëve autoktonë në Kosovë.

Faleminderit!
Gëzim Mekuli, Oslo. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]