Nga Gëzim Mekuli

Për ti ikur dhunës mediatike do të duhej që shteti të mos investojë aq shumë në «asfalt» dhe në «çmimin Nobel». Në vend të kësaj do të ishte mirë të investohej në arsim; e më së shumti (ndoshta) në gazetari. E them këtë sepse ka shumë gazetarë që kanë vullnet e dëshirë të mësojnë më shumë mbi shkencat e mediave, retorikës, filmit dhe komunikimit sesa për guraleca e për asfalt.

Pse e them këtë?

Ju pëlqen!

Po luftohet gjithandej nëpër botë. Shohim se ka diçka të re në këto luftëra: lufta ka ndryshuar. Luftëtarët (dikush i quan edhe terroristë), tanimë nuk po pajisen vetëm me kallashnikovë, eksploziv dhe granata. Këta, gjithmonë, me vete kanë edhe video-kamerat dhe Iphona-t. Dhe, natyrisht internetin! Po ashtu, këta luftëtarë, vazhdimisht kujdesen që dukja e tyre, mjekrrat dhe armët e tyre të jenë në plan të parë, dhe të shkëlqejnë para kamerave. Që të kuptohet sa më shumë dhe të shihet sa më bukur e sa më qartë, lufta “duhet” t’i përshtatet botës bashkëkohore mediatike. Sepse, siç e kam thënë edhe më parë, ne jetojmë në shoqëri vizuale e jo demokratike.
Ne mbajmë mënd aksionin terrorist në SHBA. Ikona e shekullit 21 është fotografia televizive që paraqet sulmin dhe rrënimin e kullave binjake në New York. A ishte rastësi që terroristët na e imponuan këtë fotografi? A kishin njohuri terroristët për fuqinë e Televizionit dhe Fotografisë? Edhe xhirimet në Siri, që po i publikojnë mediat tona, janë trishtuese dhe panikëkrijuese. Janë frikëprodhuese sepse ne shqiptarët kemi përjetuar luftën. Dhe frikësohemi, se kjo e keqe mund t’u ndodhë edhe fëmijëve tanë. Por kjo nuk është e tëra; Botës i duhen treguar dhe servuar fotografitë, dhe aksionet duhet të zgjasin shumë, sa që empatia të ketë kohën saj e të përforcohet në mendjen e konsumuesit.

Video-xhirimet e shqiptarëve nga Siria dhe gazetaria shqipe
Gazetaria shqipe, përsëri, «ra në kurth» të strategjisë së vullnetarëve shqiptarë në Siri. Dhe jo vetëm të tyre, por gazetaria jonë «ra në gropë» edhe të agjentëve të sigurimit serb (UDB-së). E keni parë, se si vullnetarët shqiptarë, qofshin këta nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia, përpos kallashnikovit në duar, me vete kanë edhe kamerat për të xhiruar e filmuar. Këta e dinë, se për të pasur sukses dhe ndikim në hapsirat shqiptare, duhen përdorur edhe mediat. Dhe, këta edhe po ia dalin. Bile me shumë sukses: video-xhirimet e tyre prej disa sekondave, ku këta shkëlqejnë me kallashnikov dhe paraqiten duke mbajtur «fjalime» për opinion shqiptar, (fjalime në gjuhën shqipe), që po i lançojnë në «Youtube». Dhe menjëherë plasë sherri. Përsëri shtrohet pyetja: A janë të sigurtë gazetarët nëse burimi është i lirë? A janë këta person me poste të rëndësisë se veçantë në vendet nga këta vijnë, apo njerëz të rëndomtë? Siq duket, këta vullnetarë «i dinë» edhe dëshirat dhe etikën e gazetarisë shqipe si dhe nivelin e shkollimit të tyre. Shumë nga këto xhirime e aksione, në realitet, janë tentime për tu “shprehur”. Qëllimi i tyre është, para së gjithash, që të depërtojnë tek unë dhe tek ti; pra në media. Shtrohet përsëri pyetja; nëse gazetaria jonë duhet të lejojë, të publikojë fjalime, xhirime e “shprehje” të tilla? Dhe përsëri këtu, pashmangshëm përsëri pyetja e madhe; A ishte dhe a është joprofesionale që të ftohen në studio agjentët e Serbisë në mediat shqipe, para se këta ti ftojë prokuroria e shtetit? Sepse duke u bazuar nga e kaluara e tyre e keqe, fundi i fundit, ne nuk e dimë nëse këta janë të detyruar të flasin nën dhunë e presion psiqik.

Mediat duhet të dinë se nuk duhet lejuar transportimi i ideve të vullnetarëve dhe njerëzve të sigurimit serb. Duhet hulumtuar nëse këta njerëz funksionojnë si “stativë mikrofoni” të forcave të caktuara politike e ideologjike. Një debat i shëndoshë e i fuqishëm duhet të zhvillohet se si liria e shprehjes duhet të administrohet, duke mos qenë kjo në shërbim të infiltrimit të sigurimeve dhe ideologjive të huaja terroriste e ekspansioniste.
Në Norvegji, vend i prekur nga dukuri të tilla, ka kohë që ky debat është duke u ankoruar dhe u fuqizuar. Le të kujtojmë propozimin e vjetër të zonjës Thatcher: “Ti refuzohet dhe ti ndalohet terroristëve oksigjeni publik”.
Edhe ish kryeredaktori i “The Guardian”, P. Preston pyet: nëse porosia e keqe është një armë histerike dhe potencial për shkatërrime masive, atëherë si mund ta bëjmë këtë të parrezikshme? Tani pyes nëse ju kujtohet xhirimi nga Siria i një vullnetari shqiptar? Mua po. Ai fliste me frikë, ulte sytë poshtë në tokë, dhe «si me zor» fliste para kameras. Shikojeni xhirimin tek gazetat shqipe online, aty e keni dhe do bindeni. Unë mendoj se porosia e keqe, e që përdoret si armë e mjet për të shkatërruar, duhet ndaluar. Dikush do e quante censurë, por unë do e quaja «mbrojtje» dhe «shëndet» për shoqërinë. Ne kemi një rregull që është në balancë me etikën tradicionale të gazetarisë; Nëse burimi nuk është i lirë, atherë kjo edhe nuk guxon të publikohet e të duket se ai apo ajo flet me dëshirë.

Hapi i parë në drejtim të një qëndrimi të pavarur redaksional do të ishte një vendim që do kristalizonte se «lajmi» është në kundërshtim me etikën e mirë gazetareske. Sepse nuk është e shëndetshme dhe etike të publikojmë xhirime të fabrikuara. Redaksia mund të përdorë materialin si «brum» për gazetarinë vetanake, por ne nuk duhet lejuar që UDB-ashët dhe «ekstremistët» të jenë kameramanët dhe redaktorët tanë. Këta le të flasin e le të dërgojnë xhirimet dhe fotografitë familjes dhe miqve të tyre, por ju lutem, jo në hapsirën publike.
Gazetaria e mirë nuk duhet lejuar, që mediat të na lëvizin atje ku destabilizuesit e shtetit dhe ekstremistët dëshirojnë dhe synojnë. Këtë porosi duhet ta kuptojnë edhe agjentët e Serbisë (UDB) dhe ekstremistët, të cilët, po kanë mundësinë të imponojnë ideologjitë dhe politikat e tyre në axhendën e mediave shqipe.

/Shkrim nga viti 2014, publikuar në ca mediat të Tiranës dhe të Prishtinës/

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike! FOTO: No copyright infringement is intended.