Boiken Abazi

Është e qartë që fushata “rri në shtëpi” ka dimensione klasore, sektoriale dhe moshore. Sigurisht që duhet ndejtur sa më shumë në shtëpi gjatë përpjekjeve për frenimin e kësaj pandemie, por ata që janë më të varfër e kanë shumë më të vështirë të rrinë në shtëpi nëse biznesi nuk i jep leje të paguar, dhe nëse institucionet shtetërore nuk i dalin në mbështetje. Ata që punojnë me mëditje, ata ka mundësi të dalin të punojnë edhe nëse janë të infektuar vetëm për të përballuar minimumin jetik.

Ata që vazhdojnë të enden për bukën e gojës, nga njëri kosh plehrash në tjetrin, siç pashë dhe sot në TR, nuk rrinë dot në shtëpi nëse nuk kanë të hanë. Shkurt, për të varfërit qëndrimi në shtëpi është luks i papërballueshëm, nëse shteti nuk ndërhynë. Siç tregonte edhe artikulli i djeshëm në “New York Times”, ata që janë më të varfër janë më të ekspozuar ndaj këtij virusi dhe tashmë statistikat tregojnë se kanë gjasa më të shumta të vdesin prej tij.

Ju pëlqen!

Në aspektin sektorial të nevojave të emergjencës dhe atyre ekonomike, në shtëpi nuk rrinë dot as farmacistët, mjekët, personeli shëndetësor, policia, zjarrfikësit, ushtarët, punëtorët e sektorit energjitik, punëtorët e furrave të bukës dhe marketeve, një pjesë e administratës, punëtorë të mediave, e kështu me radhë…

Ndejtja në shtëpi ka kuptim për fëmijët dhe të moshuarit, nëse ka kush të kujdeset për ta kur kanë nevoja. Por për ata që janë në moshë pune (dhe nuk duhet të harrojmë që edhe shumë të mitur punojnë për mbijetesë), thirrja për të ndejtur në shtëpi, pak a shumë i drejtohet një shtrese të mesme, ose të pasur, që mund ta përballojë të qëndruarit në shtëpi, dhe që nuk kryen një punë jetike për nevojat e emergjencës.

Sa më e vogël shtresa e mesme në moshë pune, sa më e vogël ndihma nga shteti, aq më i vogël numri i njerëzve në moshë pune që e kanë luksin të rrinë në shtëpi, aq më i vogël efekti i masave.

©MekuliPress/ Dhuro sot vetëm 1 euro dhe shpëtoje MekuliPress. Ndihmo gazetarinë e pavarur nga partitë politike dhe oligarkët. FOTO: No copyright infringement is intended.