MekuliPress sot publikon pjesën e tretë të librit informativ, publicistik, kritik, politik e historik, “Gjurmë dhe fërkem” (ose Jusuf Gërvalla dhe…), të shkruar nga gazetari, kritiku, publicisti dhe aktori politik, Ibrahim Kelmendi.

Fronti i Kuq Popullor – themelim naiv e fatkeq?

Viti 1978 ishte një vit festiv goxha euforik për të gjithë shqiptarët, se­p­se ishte 100-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Edhe unë, në ha­llin tim, kisha përgatitur dhe shumëzuar një pamflet me titullin: “Rron or rron dhe nuk vdes shqiptari!”. Si anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Stu­dentëve të Ruhr-Universität Bochum, shfrytëzova teknologjinë e minishtypshkronjes që kishte Kryesia dhe e shumëzova atë në 10 mijë kopje. Atë e kemi shpërndarë gjithandej. Në Gjermani, Zvicër, Austri, Belgjikë. Kemi bredhur shumë ditë me Hysen Gegën. Ai kishte një makinë opel karavan. Në të patëm vendosur edhe dyshekë shpuze e batanije që të flinim kurdo që lodheshim, nëse nuk do të gjenim konak të bashkatdhetarët.

Duke shpërndarë pamfletin në stacionin e trenit në Cyrih, me kap për kra­hu Rexhep Halimi (nga Shterpca) dhe me tërheq, duke me thënë: “Ec me mua të largohemi prej këtu, sepse do pisa po grupohen për të sulmuar…” I besova, sepse na foli gjaku. Shkuam në konvikt të SBB-së. Shok dhome e kishte një bashkatdhetar me emrin Ragip. U njohëm dhe u bëmë shokë. Rexha tregoi: “Kur e ke shpërndarë pamfletin, në kafe të Bahnohofit, i kam pa ca pisa që u egërsuan dhe u ngritën që andej të të zënë pritë…”. Qysh atëherë u morëm vesh që t’ia postoja atij materialet që duhej shpërndarë dhe ai do t’i shpërndante jo vetëm në Cyrih, por në shumë qytete të Zvicrës, meqë udhëtimin me tren e kishte pa pagesë (si i punësuar në atë sipërmarrje).

Në stacion të Dyzeldorf-it po e shpërndaja atë fletushkë. Një grup bashk­atdhe­tarë, pasi morën fletushkën, panë titullin dhe hartën e Li­dhjes në faqe të parë, më ftuan të pinim diçka. Më informuan se ishin nisur për në Essen, te libraria e Partisë Komuniste Gjermane, ku shite­shin edhe libra që vinin nga Tirana. Por, e anuluan shkuarjen për shkak të takimit me mua. Këtë ndodhi rastësisht ma kujtoi Haxhi Bega, kur këtyre ditëve i bëmë një vizitë bashkë me Hajdin Dakën.

Edhe Hajdin Daka me këtë rast kujtoi një “eksces” në klubin e tyre, në mars të vitit 1981 në rrethinën e Cyrihut. Qe organizuar tubim, meqë kishin ar­dhur funksionarë nga Kosova. Në tubim shkuam me pre­she­varin Hasan Kadriu. Pas Ballaban Blakës mora fjalën edhe unë dhe tubimi u prish. U krijua gjendje konfliktuale. Hajdini me kushëri­rin na marrin rrëmbimthi në mbro­jtje dhe na dërgojnë në banesë të tyre. Pastaj më sqaroi: “Të njoha në bazë të zërit dhe pamjes, meqë i ngjaje Zenelit”. Me vëllanë tim, Zenelin, Hajdini ishte njohur e shoqe­ruar kur ai kishte shërbyer në ushtrinë jugosllave në Slloveni. Hajdini kishte qenë atje punëtor.

Në valën e asaj euforie festive u mor vendimi për themelimin eFrontit të Kuq Popullor në vitin 1978 (pikërisht më 5 gusht). Vendimin për the­melim e morën: Besim Rexha, Xhevat Ramabaja, Idriz Bajra dhe unë. Ndërkohë u keqkuptu­am meqë unë dy­sho­ja se Xhevat Ramabaja ishte spiun i shërbimeve jugosllave dhe gjer­mane, i ngarkuar krye­sisht që të infor­monte për Partinë Ko­muniste Gjer­mane/Marksiste-Lenini­ste dhe emi­grantët shqiptarë që kishin kontakt me atë parti „enveriste“. Gjatë aktivi­teteve të asaj Par­tie ishin njohur mes ty­re Be­sim Rexha dhe Xhevat Rama­baja, ndërsa unë u njoha me ta përmes kroatit Vinko Knezoviq, i cili vinte si mysa­fir për të dëgjuar ligjëratat e albanologut, Dr. Lazar Dodiq në Ruhr-Universitet të Bochum-it. Vinko ish­te shok me Besim Rexhën. Ai e solli gjakovarin Rexha në ligjerata të alabano­logut Dodiq. Por, Be­sim Rexha shpejt zuri të më neveriste me “ko­munizmin” e tij vulgar. Prandaj, pas 7-8 muajve, me ata të dy shkëputa veprimtarinë e organizuar në kua­dër të Frontit. Tutje mbaja vetëm një shoqërim rasti. Bashkë me Idriz Bajrën dhe disa bashkatdhetarë të tjerë në Bochum, Dyzeldorf e rrethina u përcak­tuam për veprimtari të Frontit, por pa praktikuar anëta­rësime me formu­larë, betime, lista, etj., meqë vlerësonim se nuk kishim kapacitete intele­ktuale për të pasur suksese, rrjedhimisht nuk ia vlente të rrezikoheshim kot. Ishim përçak­tuar që të mos organi­zo­nim njerëz të intere­suar në Kosovë, meqë nuk kishim pretendime për të udhë­hequr veprimta­ri politike nga emigraci­oni. Megjithatë, siç do të marrë vesh më vonë, kanë ndodhur vetor­ganizime sporadike në Kosovë, ngaqë u kanë rënë në dorë materialet informative e propagandistike të Frontit.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Kjo metodë e organizimit të lirshëm mundësoi kontaktimin dhe ndër­gjegjësimin e shumë bashkatdhetarëve, duke pasur epiqendrën në Dy­zel­dorf, konkretisht në Klubin e shqiptar të këtij qyteti, të cilin, në maj të vitit 1978 e kishin themeluar disa bashkatdhetarë të atyshëm.

Vështirësi kryesore kishim prodhimin e materialit informativ e pro­pa­gandistik, sepse në ato vite në Gjermani nuk kishte emigrantë intelek­tualë. Në Landin ku kishim epiqendrën e veprimtarisë, me shkollë të mesme ishin vetëm Hisri Reka dhe Samedin Iljazi, në Dyzeldorf; në Ruhr-Univer­sität studionte mjekësinë ish-minatori Shaban Fetaj, por ai nuk ishte i interesuar të merrej me veprimtari të ndaluar politike. Ishim bërë qindra veta, deri edhe në Suedi, Belgjikë, Zvicër etj., por nuk e kishim potencia­lin për veprim­tari propagandistike.

Këtë praktikë e gjendje e gjeti Jusufi kur erdhi në Gjermani. Prandaj edhe iu gëzuam shumë ardhjes së tij, sado që për të ishte fatkeqësi e shoqë­ruar me rreziqe e peripeci. Fatmirësisht edhe ai nuk na zhgënjeu. Tregoi gatishmëri për të na ndihmuar.

Ato konstatime që i ka bërë në letër rezultojnë të kenë qenë mbi bazë të moskuptimit për të pasur organizim ndryshe nga ai që duhet të ketë praktikuar LNÇK.

Se ishte naiv dhe fatkeq themelimi i FKP e kam thënë që në vitin 1979 në bashkëbisedim me bashkëveprimtarë të ngushtë. Atë mendim nuk e kisha për shkaqe ideologjike, as se Perëndimi nuk do të na përkrahte, por vetëm se ishte emërtim bombastik dhe ne nuk kishim përcaktim e kapacitet ta përmbushnim. Fatkeqësi qe edhe dyshimi se Xhevat Ra­ma­baja ishte spiun i shërbimeve jugo-sllave dhe gjermane. Por, rën­dom, më fatkeqësi e konsideroja skizofreninë “komuniste” të Besim Rexhës, veprim­ta­rinë e të cilit e shihja më të dëmshme se angazhimet e të dyshua­rit Xhevat Ramabaja.

Fatkeqësisht, konjunkturalistët e konformistët kritikonin ideologjinë ko­mu­­niste dhe “enveriste”, që mbisundonin në organizimet tona klan­des­tine, me konstatimin se Perëndimi për atë shkak nuk na përkrah. Kundër këtij keqinterpretimi vazhdimisht kam ofruar argu­mentin se në emigracion ekzistonin dhjetëra organizata “demokratike” shqiptare dhe kroate, por Perëndimi nuk i përkrahte, përkundrazi, i përndiqte ve­tëm nga shkaku se ishin kundër RSFJ-së. Pra, shtetet Perëndimore, atëherë dhe tani, nuk e kishin prioritet ideologjinë, për të qenë për ose kundër një or­ganizate, por interesat pragmatike e egoiste të shteteve të tyre. Prandaj edhe e përkrahnin RSFJ-në, pavarësisht se sundohej nga një sistem monist ko­munist. Edhe sot shtetet Perëndimore dhe të tjera, ta zëmë, nuk përkrahin organizata që angazhohen kundër Kinës, edhe pse ajo sun­do­het nga një parti moniste komuniste, ngaqë këtyre shteteve u konvenon një këso Kine më shumë se një Kinë e përballur me luftëra çlirimtare të popujve të robëruar në Kinë ose edhe kundër sistemit. Ose, ta zëmë, ku ka sot asnjë shtet më fashisoid se Arabia Saudite? Meqë sundimtarët e saj janë kuislingë të ShBA-ve, tolerohen dhe nuk përkrahet asnjë organi­zatë që e rrezikon atë sistem, e të tjera. Së këndejmi vetëm injorantët bëjnë prerje të këtilla bardh e zi.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

***

Për shkak se Jusufi ishte i organizuar në LNÇKVSHJ, ne të Frontit e mo­difikuam akoma më shumë angazhimin praktik, duke mos e propa­gan­duar më atë në mënyrë eksplicite. Jusufi mori përsipër re­daktimin e gazetës “Bashkimi”, të cilën kishim filluar ta nxirrnim që në vitin 1978. Këtë praktikë e ndoqëm deri në janar të vitit 1981, kur u ven­dos që gazeta “Bashkimi”të mos botohej më, derisa të bëhet bashkimi. Tutje mbetej të veprohej sipas vendimeve të reja.

Bashkëpunimi me Jusufin ishte një shembull unikat, do të thosha, që një organizatë t’ia besojë një kuadri të një organizate tjetër redaktimin e orga­nit të saj. Ky bashkëpunim duhet kuptuar edhe si dëshirë për bashkë­­vep­rimtari e bashkim. Por, edhe Jusufi, me gatishmërinë e tij, tregoi se nuk ishte i kufizuar që të bënte punë vetëm për organi­zatën e tij. Mba­se këtë ia ka impononte atij mungesa e kontaktit me udhëhe­qësit e LNÇK…

Sa i përket shkëputjes organizative të Jusufit, ai vazhdonte ta çmonte SN si udhëheqës të Organizatës, ndërsa për të tjerë kuadro udhëheqëse nuk ishte i informuar. Ai po mërzitej për mosparaqitjen e SN, sado që ishte informuar se gjendej në Turqi. Unë bëra përpjekje ta gjeja përmes Isuf (Iberdemaj) Gyzel, kushëri i nënës sime, i përndjekur nga Kosova në Tur­­qi në vitet e 50-ta të shekullit të kaluar dhe i emigruar si turk nga Tur­qia në Gjermani (Erlangen). Ai i njihte disa shqiptarë që ishin marrë me veprimtari patriotike në Turqi. Përmes asaj linje u informova se SN nuk po merrej me ndonjë veprimtari. Po përmes asaj linje ia ki­sha për­cjell SN edhe numrin e telefonin të zyrës së Bardhoshit (Gër­vallës), që ta kon­tak­tonte Jusufin. Nga njoftimet që mora zura ta tallja Sabriun si një injorant anadollak, duke i shkaktuar pa dashje pa­këna­qësi dhe hidhë­rim Jusufit i cili, fatkeqësisht, SN e çmonte si vete­ran të vepri­m­tarisë patriotike. Madje, në mënyrë tepër naive, e madhëronte si idhull. Unë nuk ngurroja t’ia ironizoja “rrobaqe­pësin”. Kështu rrezi­koja konsideratën që Ju­su­fi kishte për angazhimin tim.

Është marrëzi e radhës se si Xh. Durmishi me qindra herë, në 20 “li­brat” e tij, e kishte potencuar emërtimin e Frontit, sikur e kishte bërë UDB-ja, duke shpërdoru­r dyshimin tim ndaj Xhevat Ramabajës dhe faktin se për emërtim të Frontit rol kryesor kishte luajtur Xhevati. Pra, përshkrimin tim të hollë­sishëm për Frontin në romanin “Atentatet” Xhaferi e kishte shpërdorur deri në atë nivel, sa ta shndërronte në fakt dyshimin tim ndaj Xhevatit. Çuditërisht, i njëjti Xhafer Durmish e angazhoi pikërisht Xhevat Ramabajën si kuadër kryesor të “krahut” të tij, nga janari 1982 deri në prill 1984, duke e kurorëzuar bashkëvep­rimin e tyre me krim të organizuar të therjes së dy bashkëveprimtarëve (Sylë Nuhaj e Haxhi Begaj) në mani­festimin e orga­nizuar në Dyzeldorf (më 7 prill 1984).

[Jusuf Gërvalla:]

“…Megjithëqë vështirësitë për të marrë kontakt me mua, duke u nisur nga karakteri i hapët i kufirit jugosllav me Perëndimin, i konsideroja vështirësi relative, prandaj nuk kam kuptuar pse për disa muaj rresht s’më vinte fjalë as zë prej teje.

[Letër Sabri Novosellës, 14 prill 1981][1]

[Koment:]

Fatkeqësi e llojit të vet mund të konsiderohet pritja e poetit dhe pu­blicistit JG, madje me kaq mallëngjim e adhurim, që t’i paraqitej rro­baqepësi SN, për ta udhëhequr!

[Bardhosh Gërvalla:]

Herrn Nijazi Saracoglu, Mahmut Pasa Çadesi 82, TR- ISTAMBUL, Türkei 

I dashur Shoku Nijazi, 

dje, pasi e mora lidhjen telefonike me ju, isha shumë i gëzuar, se­pse kanë kaluar më se 15 muaj që po presim ndonjë lajm nga shoku Bashkim Prishtina [Sabri Novosella – shënim i XhD], për të cilin Ju mund të dini, rastësisht, se ku po qën­dron…

Me Shabanin [Shaban Yldrim, Bayerstr. 5, 8000 Munchen – shën i Xh. D.] u njo­hëm para dy javësh në panairin e artizanatit, ku bënte pjesë edhe Shqipëria. Ai edhe na dha adresën dhe telefonin tuaj. Kishte me qenë mirë sikur edhe Bashkimi të na shkruajë sa më parë. (…)

Bardhosh Gërvalla

[Habichthëhe 40, D-7101 Untergruppenbach, W. Germany.

Tel. i punës në qytetin Ludwigsburg 07141/26091][2]

[Koment:]

Edhe kjo letër e Bardhoshit, e ripublikuar nga XhD, është dë­sh­mi se SN nuk po i paraqitej Jusufit, edhe pse njoftimet dhe mundësia për kon­taktim i kishin shkuar që në muajt e parë të vitit 1980. Në një libër të tij Sabriu ishte arsyetuar duke dezinformuar se diplomatët e Shqi­përisë nuk ia kishin ofruar mundësitë e kontaktimit me Jusufin!

[Jusuf Gërvalla:]

Gjëja më e rëndësishme lidhur me “Lajmëtarin” është se, duke qe­në krejt i vetmu­ar, nuk e mora dot guximin ta emëroja atë si organ të LNÇKVSH. Kjo është e vetmja arsye pse në të nuk flitet e brohoritet në emër të Lëvizjes sonë. Mjafton ta përmend faktin se dy materialet e Lëvizjes, që i botova në numrin 3, i lëshova me njëqind dru­ajtje, ngase nuk isha në gjendje të gjykoja vetë dhe të fitoj bindjen e plotë se a bëja mirë apo keq.”

[Letër Sabri Novosellës, 13 maj 1981][3]

[Koment:]

Edhe ky fragment i letrës së Jusufit, i datës 13 maj 1981, dësh­mon se ai dhe SN nuk kishin kurrfarë kontakti gjatë 16 muajve të qëndri­mit të tyre në ekzil. Megjithatë, fatkeqësisht, Jusufi vazhdonte të ruante disiplinën organizative, duke pritur që t’i paraqitej “rrobaqepësi”, nga i cili priste detyra konkrete.

Se përse po priste JG që të “udhëhiqej” nga rrobaqepësi anadollak, nuk e kam kuptuar atëherë, akoma më hiç pastaj ose, për të qenë më i hapur, jam duke dyshuar se SN ka qenë argat i Ibush Kllokoçit të UDB-së, ndërsa JG viktimë e kapur nga SN.

A janë autentike letrat dhe “raporti” i JG?

Që të alarmohem për të përgatitur me ngut librin shkaqe kryesore u bënë irri­timet dhe shqetësimet që më shkaktuan sidomos letra që JG ia paskësh dër­guar SN, më 14 prill 1981 dhe “raporti”, dërguar po ashtu SN, në korrik 1981. Përmbajtja e tyre me ka nxitur të dyshoj nëse janë ose jo autentike. Por, t’i shohësh vetë dezinformimet që paskësh bërë Xhafer Durmishi, s’ka se si të të mos ngjallen dyshimet në drejtim të konstatimit.

[Xhafer Durmishi:]

Është shumë me rëndësi dhe e domosdoshme të tregohet e vërteta për letrat origjinale të Jusuf Gërvallës, ndër to edhe Raporti i korrikut 1981 dërguar Degës së LNÇKVSHJ “Hasan Prishtina” në Turqi, si dokumente burimore kryesore të veprimtarisë së Jusu­fit. Letrat origjinale të Jusufit dërguar Sabri Novosellës i ka bartur me vete Sabriu pas largimit nga Turqia, i cili, duke mos pasur vend­banim stabil në Zvicër dhe në Evropë, ato ia ka lënë për t’i ruajtur veprimtarit Haxhi Berisha, i lindur në Prapaqan të Deça­nit, aso­kohe, me banim të përkohshëm në Arbon të Zvicrës. Vlen të thekso­het se këto letra origjinale të Jusuf Gërvallës, në vitin 1987, Haxhi Berisha ia ka ofruar si materi­al të dorës së parë publicistit Kadri Rexha, kohë kur ai e shkruan librin “Fati i luleve”.

Kur Haxhi Berisha u detyrua të largohet nga Zvicra dhe të kërkojë azil në Suedi, bib­li­otekën, së bashku me letrat e Jusufit dërguar Sabriut, si dhe gjëra të tjera persona­le i ka lënë te Demë Mustafaj me banim në Sulgen (TG), Zvicër. Pasi Haxhi Berisha sta­bilizohet në Suedi, me leje të përhershme të qëndrimit e me banesë, Demë Mustafaj ia kthen Haxhiut të gjitha letrat origjinale të Jusufit për Sabri Novosellën. Në ndërkohë, e di se Haxhiu ka pasur kontakte shoqërore me Sabri Novosellën.

Pra, kjo është rruga e shtatë letrave origjinale të Jusufit, kopja e pa­rë, dërguar Sabri Novosellës në Turqi, nga 14 prilli 1981 deri më 14 janar 1982.Origjinalin e letrës (kop­jen e parë) Jusufi vazhd­imisht ia ka dërgua Sabri Novosellës, ndërsa kopjen e dytë të ori­gji­nalit Jusufi e ka ndalë, si dëshmi, për vete. Odiesejada e kop­jes së dytë e këtyre letrave ka një fat e rrugë krejtësisht tjetër nga ai i pari.[4]

[Koment:]

Kjo lloj “bredhjeje” e “letrave” dhe “raportit”, dër­guar udhë­he­që­sit të tij SN, tani që i lexova për herë të parë me irrituan dhe shqe­tësuan veçmas. Deri para pak ditësh nuk e kisha këtë informacion, meqë për­çmoja ato që po shkruanin e publikonin Faridin Tafallari dhe Xhafer Durmishi, ndaj edhe nuk i le­xoja. Madje më patën neveritur kur shfle­tova një libër të Faridinit, të cilin e konsideroja si një gjysmanalfabet, dhe “librin” elektronik të Xhafer Durmishit “Lëvizja e Jusuf Gërva­llës” (ndoshta me mbi njëmijë faqe, të cilin tani e kishte ripunuar e reduktuar në 621 faqe), me ripërsëritje të neveritshme.

Tashti seriozisht po dy­shoj për disa letra dhe një “raport ”të Jusufit dër­guar SN. Arsyet e dyshimit do t’i konkretizoj në vazhdim.

Uroj të angazhohet edhe Kadri Rexha, meqë një pjesë të këtyre letrave, “kopjen e parë”, i paskësh pasur në dispozicion që në vitin 1987 (ia pas­kësh dhënë Haxhi Berisha)! Kadriu them se është në gjendje të vërtetojë auten­ticite­tin e letrave edhe në bazë të stilit, meqë është njo­hës i mirë i frazës dhe frymës së Jusufit.

Mënyra se si e paraqet Xhaferi “bredhjen” e atyre letrave dhe të “rapo­r­tit”, duke e ripërsëritur përcaktorin “origjinale”, ma përforcon dyshi­min se ai vetë do të ketë bërë falsifikime, ose ka njohuri për falsi­fikimin nga ndonjë usta tjetër. Pastaj është shpërdorur F. Tafallari si publikues i pa­rë të cilit, si punëtor, do t’i besohej se nuk ka ditur të falsifikojë.

 [Shefqet Jashari-Strofci:]

Ta zëmë rastin kur është futur në kryesinë e ngushtë Jusuf Gërvalla. Unë nuk kam ditur si quhet, çfarë profesioni ka, ku punon dhe jeton dhe ku ka lindur. Sabriu ka thënë se e njoh një kohë të gjatë, është atdhetarë i mirëfilltë, d.m.th. i painfektuar nga ideologjia e djallit të mallkuar bolshevik.

[Drita, Trelleborg, Suedi, nr 15, 1997, f. 15][5]

[Koment:]

Ja si fabrikohen “faktet historike” përmes dezinformimit ordi­ner, për hir të zbukurimit të së kaluarës! JG nuk ka qenë anëtar i kry­e­sisë së LNÇK… (sepse një kryesi e tillë as që ka ekzistuar), madje, sipas pohi­meve të Jusufit dhe të Xhafer Durmishit, vetëm në korrik të vitit 1981, SN i ka “zgjedhur” JG dhe XhD që të jenë anëtarë të “komitetit qen­dror” (i cili gjithashtu nuk ka ekzistuar fare, pos si gjetje fiktive).

[Xhafer Durmishi:]

Unë mendoj se të paktën Shefqet Jashari-Strofcin duhet ta lëmë të qetë duke shpre­su­ar që të paktën në atë dynja nuk do të përsërit akuzat kundër djajve të mallkuar bolshe­vik, apo ndoshta në rastin më fatlum qysh gjatë kësaj dynjaje të rrejshme do t’ua jep hallallin. Sikur të ishte gjallë Jusufi me siguri kundër Shefqetit dhe luftës së tij për ta ruajtur të pastër Strofullin e Lëvizjes së tij, do t’i përdorte vargjet: “O bilbil ta bëra benë, në ta gjetsha dot folenë…” Se sa organike e të pandara kanë qenë lidhjet e Lëvizjes së Jusufit me OMLK-në e komunistëve për meritën e komunistëve na duket shumë qartë.[6]

[Jusuf Gërvalla:]

Kështu e pata kuptuar më në fund edhe zgjedhjen e Shpendit [Xhafer Durmishit-shën im] dhe timen në KQ [Komitetin Qendror-shën im].[7]

[Koment:]

Xhafer Durmishi, për ta demantuar bashkëveprim­tarin e “kra­hut” të tij, Shefqet Jasharin-Strofcin, sjell citimin e letrës së Jusufit, ku rezul­ton se Jusufin dhe Xhafer Durmishin i ka “anëtarësuar” SN në “ko­mi­tetit qendror”, njëherësh, në korrik të vitit 1981. Këtij “fakti” me të dre­j­të i gëzohet XhD, meqë është “dëshmi” e barazimit virtual të përgjegjësi­së organiza­tive të tij dhe të Jusufit. Por XhD, i cili rëndom është i vëmen­d­­shëm për t’u kap pas imtësive, bëhet sikur harron të bëjë koment kritik për të tillë “zgjedhje” të tij dhe të Jusufit në “ko­mitet qendror” nga SN. Sikundër do të shohim ky nuk ishte as i pari dhe as rasti i fundit që SN qeraste edhe të tjerë “kuadro” me “anëta­rësime” në “komitet qendror”!

[Ramadan Pllana:]

Deri më tani, historikisht, është vërtetuar se në këtë Komitet (Ko­mi­tetin Qendror të LNÇKVSHJ-shën. Xh.D.) kanë qenë të anga­zhuar Metush Krasniqi, Sabri Novo­sella, Shefqet Jashari, Jusuf Gërvalla dhe, unë, Ramadan Pllana.[8]

[Koment:]

Ramadan Pllana nuk duhet besuar se ishte anëtar i “komi­tetit qendror”, por e ka të vështirë ta pranojë realitetin e hedhur – mani­pulimin nga SN dhe Sh. Jashari-Strovci. Të paktën nga shkrimet e tij nuk rezulton të ketë pohuar se ka qenë pjesëmarrës aktiv në ndonjë mbledhje të “komitetit qendror”.

[Shefqet Jashari:]

Dihet se ti (Ramadan Pllana) me Sabri Novosellën nuk keni pasur kontakte të drejt­përdrejta dhe ai nuk ka ditur për ty më shumë se sa që unë i kam treguar. Për ty Sabriu, Metushi e nëpërmjet tyre ndoshta edhe Jusufi kanë ditur aq sa unë i kam informuar për ty.”

[Letër Ramadan Pllanës, 27 prill 2009][9]

[Koment:]

Ja një “dëshmi” se “komiteti qendror” nuk ka ekzistuar në të vërtet, pos si emërtim fiktiv me të cilin SN i ka mashtruar dhe manipu­luar të tjerët, duke i graduar me anëtarësi në atë farë komiteti!

[Xhafer Durmishi:]

Nga faktet e painfektuara të Shefqet Jasharit rrjedh se Ramadan Pllana nuk e ka njo­hur Jusuf Gërvallën në asnjë mënyrë e as për­mes profesionit, pasi këtë punë nuk e ka ditur as vetë Shefqet Ja­shari (lidhja e vetme e Ramadan Pllanës me udhëheqjen e Lëvizjes që duket edhe më mirë nën pikën 2 më poshtë). Nga letra e Jusufit rrjedh se Jusufi është pranuar në Komitetin Qendror të LNÇK­VSHJ pas 17 korrikut 1981, në të njëjtin moment apo me të njëjtin vendim së bashku me Shpendin (Xh. Durmishit), përmes Sabri Novosellës.[10]

[Koment:]

Xhafer Durmishi do ta citojë këtë rresh të kësaj letre shumë he­rë, meqë sikur ka drojë se mos po i harrohen vlerat e tij – gradimi virtual në pozicionin më të lartë të organizatës. Por, që të mos hetohet, bën sikur po u kundërvihet Shefqetit dhe Ramadanin, të cilët po ashtu preten­dojnë se i përkisnin KQ të LNÇKVSHJ.

[Shefqet Jashari-Strofci:]

I dashur Xhafer [Durmishi], e lexova me vëmendje dhe interesim të veçantë shkrimin tënd: ‘‘Fla­ka e pashuar e Lëvizjes në Unter­gruppenbach’’. Ishte një punim shumë i rëndësi­shëm për t’i rrëzu­ar për toke gënjeshtrat dhe shpifjet e vjedhësve (hajnave) të histo­risë. Të përgëzoj për këtë punë të vlefshme dhe të çmuar për His­torinë tonë më të re. I Ma­dhi Zot të ruajt nga djalli i mallkuar dhe nga djajtë-njeri dhe të dhashtë vullnet, forcë dhe energji për t’i luftuar manipuluesit e shumtë, që po bëjnë përpjekje për shtrem­bni­min e ngjarjeve të rëndësishme të Historisë tonë kombëtare, si dhe mohimin e persona­li­teteve që ndikuan fuqishëm në ato ngjarje… [më 20 janar 2011][11]

[Koment:]

Meqë shoku shokun po e lavdëron, edhe pse shpeshherë kun­dër­shto­hen, patjetër na duhet t’i besojmë korrektësisë që ofron Xh.D.

[Ramadan Pllana:]

LPRK-ja, më vonë LPK-ja, si vazhdimësi e Lëvizjes gjithpopullore, në udhëheqësinë e vet, kishte anëtarët më konsekuentë të OMLK-së, LNÇKVSHJ-së, e të shumë grupeve të tjera, që kishin vepruar pa u ndalë kundër okupatorit serbo-sllav. Mirëpo, De facto: LNÇ­KVSHJ-ja, u shua si subjekt me vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gër­va­llës dhe të Kadri Zekës. (…) Kurse, de jure: Aktiviteti i LNÇK­V­SHJ-së u shua një muaj pas atentatit makabër që u bë në Shtutgart më 17 janar të vitit 1982. Pra, një muaj, pas rënies hero­ike të dë­shmorëve të lartpërmendur, më 17 shkurt të vitit 1982. Në Turqi, Sabri Novosella, në emër të LNÇKVSHJ-së, dhe Abdullah Prapa­shtica, në emër të PKMLSHJ-së, pa e përfillur OMLK-në, me të cilën, Jusufi e Kadriu, i kishin bashkuar aktivitetet nga viti ‘81, në prezencën paternaliste të diplomatit të shtetit shqiptar në Turqi, Bujar Hoxhës, shpallin të formuar Lëvizjen për Republikën Socia­liste Shqiptare në Jugosllavi [LRSSHJ].”[12]

[Xhafer Durmishi:]

Përkundër fjalëve të Ramadan Pllanës LNÇKVSHJ nuk është shu­ar me vrasjen e Jusufit e Bardhoshit. Vrasja e Kadriut nuk mund të shtrohet në relacion me LNÇKVSHJ pasi ai ka qenë i një organi­zate tjetër dhe në punët e të cilave nuk më takon të përzihem qoftë edhe në rolin e avokatit. Shokët e Jusufit dhe Bardhit pas vrasjes së tyre, kanë:

– organizuar demonstratë në Shtutgart më 23 janar 1982,

– organizuar varrimin madhështor më 5 shkurt 1982, i cili gjith­ashtu ka qenë një veprim shumë më i madh se një demonstratë e zakonshme,

– bashkorganizuar demonstratë më 3 prill 1982 në Bon,

– vazhduar e përjetësuar Zërin e Kosovës, si Zë i Jusufit, në mars, i cili ka jehuar deri sa është larguar edhe ushtari i fundit i Serbisë nga Kosova,

– kanë organizuar demonstratë në Vjenë, më 24 prill 1982 […]

Përkundër të gjitha këtyre megjithatë nga deklarimet e Ramadan Pllanës mund të nxirret një konkluzion. Me fjalët e tij ai ka kërkuar që me gjithë këtë punë e gjithë këtë vitalitet që e kanë treguar shokët e Jusufit, pikërisht për meritën e Jusufit, ai nuk është i inte­resuar të identifikohet me te, megjithëse e ka pasur një lloj të drejte morale ta bëjë këtë. Por ky është problem për te. Ai është i lirë dhe me fjalët e veta ka deklaruar se nuk është i interesuar të identi­fikohet me asnjë punë që shokët e Jusufit e kanë bërë pas vrasjes së tij, si në Shtutgart apo nga ata prej të cilëve janë angazhuar e kanë marrë kontakt me Kështjellën e tij në Untergruppenbach, prej skajeve të Globit, me vendos­mërinë më të madhe për ta vazhduar qëndresën.[13]

[Xhafer Durmishi:]

Letrat që ia ka shkrua dora e Jusuf Gërvallës, si anëtarë i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ) dhe për llogari e për luftën e pavdekshme të kësaj Lëvizjeje, janë bërë publike. Jusufi ka shkruar pak letra, por rëndësia dhe vlera e tyre besoj se është klasike.

Nga letrat e publikuara,

– 1 i drejtohet Enver Hoxhës (19 gusht 1980)

– 3 Ibrahim Kelmendit, (e para në pranverë 1980, e dyta në nëntor 1980 dhe e

treta më 15 janar 1982)

– 2 letra Kadri Zekës, (e para më 7 dhjetor 1981 e dyta më 15 janar 1982)

– 4 letra Nuhi Sylejmanit (anëtarit të LNÇKVSHJ)

– 3 letra Faridin Tafallarit (anëtarit të LNÇKVSHJ)

– 7 letra Sabri Novosellës (kuadrit udhëheqës të LNÇKVSH), para të cilit Jusufi, për­veç punëve të furishme me iniciativë të tij, ka raportuar dhe ka marrë udhëzime të cilat ai vetë dhe me përkrahjen e shokëve i ka vu në jetë].

Këto shtatë letra të dërguara Sabri Novosellës-Maxhunit, janë dokumente të rëndësi­shme sa i përket punës së Jusufit si luftëtar e ideolog por edhe fakte që hedhin dritë mbi çështjet e brendshme të LNÇKVSHJ dhe raportet e saj të jashtme me organizatat tjera. Letrat janë të shkruara nga 14 prilli 1981 deri më 14 janar 1982…[14]

[Koment:]

Është për keqardhje fakti se këto kundërshti mes dy kua­drove udhëhe­qëse të LNÇKVSHJ, të të njëjtit rang (Ramadani i „anë­tarë­su­ar“ më herët në “komitet qendror”, Xhaferi në korrik të vitit 1981), si­kur është edhe një dëshmi që i paraqet të dy si viktima të Sabri Novosellës, i cili ka simuluar këtë organizatë për t’i „peshkuar“ të interesuarit për ve­primtari çlirimtare.

Xhafër Durmishi na ofron informacion për angazhimet konkrete të Ju­su­fit, duke i veçuar e potencuar letrat që ai duhet t’ia ketë dërguar SN, si të një rëndësie të veçantë. Ndoshta do të jemi në gjendje të sqarojmë se përse, pikërisht ato letra, kanë rëndësi aq të veçantë! Këtu informo­het për një letër që Jusufi i ka dërguar Enver Hoxhës, por më vonë ofrohen tek­stet e dy letrave dërguar EH, ose edhe spekulohet për 7 letra dërguar SN, ndërkohë që i kanë publikuar 10.

Se sa letra kemi këmbyer JG dhe unë nuk e di. Nuk duhet të kenë qenë shumë, meqë takoheshim shpesh, pra­ndaj edhe nuk kishim nevojë për komunikim përmes letrave. Pastaj, përflitej se shërbimet gjermane i kontrollonin shkresat e individëve të seleksionuar.
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress


[1] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 229

[2] https://de.scribd.com/doc/196144081/Shoket-dhe-Jusuf-Gervalla ; f. 5, f. 11

[3] Xh. Durmishi, SHOKËT DHE JUSUF GËRVALLA, f. 11;

https://de.scribd.com/doc/196144081/Shoket-dhe-Jusuf-Gervalla

[4] Po aty, f. 23;

[5] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 189

[6] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 189

[7] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 453

[8] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 453

[9] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 453

[10] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 454

[11] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 457

[12] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 456

[13] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 456-457

[14] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 458

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët. Këta nuk e kontrollojnë e as nuk e financojnë gazetarinë tonë kritike. Ndihmoje sot MekuliPress - Mbështete median e pavarur