Volodymyr Zelenskiy – ky është emri që duket se do të lidhet me idenë e popullarizimit digjital dhe propagandisitik të luftës së re në Europë. Në një intervistë për “British Sky”, ai është shprehur se Putin nuk ka për të ndaluar në Ukrainë, por do të vazhdojë më tej me vende të tjera.

Deklarata nuk gjen mbështetje në në asnjë lloj rrethane objektive, pasi aktualiasht në vetëm 1 vit konflikt Rusia ka provuar dhe madje pranuar se ka probleme serioze në organizimin e vet ushtarak, me drejtimin dhe madje koordinimin e operacioneve në terren. Ndryshimet e herëpashershme të drejtuesve ushtarakë në terren, sanksionet, humbjet e mëdha dhe vetë fakti i mobilizimit të pjessshëm kur invazioni u përkufizua zyrtarisht si operacion special, provojnë se mundësitë reale të Rusisë për të përmbushur skenarin e sugjeruar nga Zelenskiy janë të kufizuara me mjete konvencionale.

Ajo që duket se qëndron pas këtyre amplifikimeve mediatike është frika e rezultateve nga një ofensivë e afërt e Rusisë e paralajmëruar për në pranverë. Kjo shpjegon nxitimin e madh për dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë, çka presupozon një përballje të egër në terren. Po kështu Ukraina ka kërkuar avionë dhe raketa me rreze të gjatë që do të thotë mundësi për të goditur territorin rus, një gatishmëri për përshkallëzim kjo që nuk lidhet vetëm me politika mbrojtjeje, por edhe me axhenda më afatgjata ndaj të cilave aktualisht Perëndimi po reziston.

I vetmi element objektiv në këtë frikë është fakti se një sukses ushtarak i Rusisë në Ukrainë së afërmi, me potencialin shpërthyes edhe nga Bjellorusia, nuk do të linte më thuajse asgjë për të negociuar për Kievin, duke krijuar po ashtu në mes të Europës një precendet që nuk trajtohet më dot nga e drejta ndërkombëtare në fuqi. Po kështu NATO vetë do të merrte një goditje serioze si organizatë e sigurimit kolektiv pasi eventualiteti për të cilin po flasim do sillte në kujtesë ngjarjet e 1956-ës në Hungari.