Xhubleta nuk është thjesht një veshje, ajo është rit, kulturë shekullore, traditë. Të vishje një xhubletë nuk ishte thjeshtë një rutinë e përditshme dhe për këtë TI Center realizoi instalacionin “Riti i veshjes së xhubletës” e cila u ekspozua dje, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Ekspozita e instalacionit “Riti i veshjes së xhubletës” është një projekt i TI CENTER dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Muzeu Historik Kombëtar.

Xhubleta është një fund në trajtë këmbane, që vjen i valëzuar sidomos në pjesën e mbrapa. Përbëhet nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, qepur horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjerë.

Ju pëlqen!

Në shek. XVIII, xhubleta përbëhej nga shumë ngjyra, por ato që na kanë mbërritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholinë, xhoka, kërdhokla, paraniku, kallmat e shputat, etj.

Xhubleta është me prejardhje të lashtë. Paraqet ngjashmëri me veshjen e disa figurinave neolitike të gjetura në Bosnje, por edhe në vise të tjera të Mesdheut, që i përkasin mijëvjeçarit te dytë para erës sonë dhe lidhen me qytetërimet e vjetra mesdhetare.

Xhubleta e Malësisë është trashëgimi e qartë e prejardhjes ilire të kulturës tone, që malësorët e përcollën deri në vitet 1950-1960, pra përbën një nga elementët identifikues të veshjes popullore shqiptare, nëpërmjet motiveve, ku emblema për të gjitha është shqiponja./atsh/

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.