Enver Robelli

Edhe më shumë se Angela Merkel, Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD) është përgjegjëse për politikën mirëkuptuese e përkëdhelëse ndaj Rusisë së Vlladimir Putinit. Ish-kancelari socialdemokrat Gerhard Schröder është një argat dhe propagandist i neveritshëm i Putinit. Merr rrogë nga një firmë e Kremlinit. Adhuron presidentin serb dhe shijon shishe vere me të në Beograd. Kryeministra socialdemokratë të landeve gjermane dhe politikanë të tjerë socialdemokratë me politikat e tyre proruse kanë dëmtuar rëndë reputacionin e Gjermanisë në Europën Lindore. Nga vendet baltike deri në Poloni e pjesërisht edhe në republikën çeke besimi ndaj Gjermanisë është i ulët, dëshpërimi i madh. Në Ukrainë krerët politikë atakojnë direkt Berlinin për politikat proruse. Pas fillimit të agresionit rus kundër këtij vendi, presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski refuzoi vizitën e presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier në Kiev. Një shuplakë e merituar ndaj elitës politike gjermane që kultivon një ndjeshmëri ndaj «Rusisë së madhe» dhe shtetet mes Rusisë e Gjermanisë i shikon vetëm si «kopshte kalamajsh». Gjermania sot ndodhet mbi rrënojat e politikës së saj tmerrësisht naive, cinike, egoiste dhe jostrategjike ndaj Rusisë.

Duke pasur parasysh rolin fatal të Gjermanisë në dobësimin e Europës si pasojë e marrëdhënieve të ngushta me Rusinë dhe krijimin e varësisë nga Rusia përmes gazit, është e patolerueshme që një fondacion politik i SPD-së gjermane, i quajtur Friedrich Ebert Stiftung, i rreket punës të shkruajë një statut për «bashkësinë e komunave serbe» të Kosovës, i cili pjesërisht lexohet si një statut për krijimin e një republike serbe brenda Kosovës. Organizatat joqeveritare vërtet mund të merren me studime të ndryshme, por është skandaloze që këto organizata të përpilojnë plane për demontimin e shteteve, në këtë rast të Kosovës. Për këtë nuk kanë mandat. Prej nga e merr mandatin Friedrich Ebert Stiftung për të shkruar pamflete që saktësojnë se bashkësia e komunave serbe mund të financohet nga Serbia? Në zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë do të mund të luanin rol eventualisht të Gjelbrit gjermanë, e vetmja parti e papërlyer me naftë, gaz dhe rubla ruse. Dega e Friedrich Ebert Stiftung në Prishtinë duhet të bëhet gati për pyetje kritike nga opinioni kosovar, nëse ky opinion është i interesuar të mbrojë pak dinjitetin shtetëror dhe publik. Po ashtu është me rëndësi të dihet sa njerëz nga «shoqëria civile» kosovare e honorareve i kanë gishtat e përzier në shkrimin e shkresurinave të tilla.

Ju pëlqen!

Koment nga redaksia e MekuliPress.

MekuliPress është mediumi i vetëm i cili nuk e ka publikuar propagandën e “Friedrich Ebert Stiftung”, të cilin pamflet mediat e shumta shqipe e quanin “projekti gjerman”. 

Në këtë rast redaksia fton për reflektim të OJQ-ve dhe të ngrisin zërin kritik ndaj propagandës së Putinit në organizatat e shoqërisë civile në Kosovë dhe në Shqipëri.  

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!