Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një opinion për prestigjiozen britanike “The Economist”, ka folur për zhvillimet e fundit në rajon dhe më tej.

Osmani ka thënë se derisa sytë e botës janë përqendruar me të drejtë tek Ukraina, edhe Ballkani ka një tjetër kërcënim të madh që gjëmon nën sipërfaqe, duke përmendur Serbinë.

“Putin i ka kthetrat e tij të ngulitura thellë dhe fort në rajonin tonë përmes ndikimit që ushtron mbi përfaqësuesin e tij, Serbinë, e cila ka intensifikuar përpjekjet për të destabilizuar Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi”, tha ajo.

Ju pëlqen!

Tutje theksoi se marrëdhënia e Rusisë me liderët më luftarak dhe problematikë të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Aleksandar Vuçiq dhe liderin e serbëve të Bosnjës Milorad Dodik, nuk është sekret.

Sipas presidentes, niveli i mbështetjes ushtarake dhe politike që Rusia i ofron Serbisë, në veçanti, është i rëndësishëm dhe duhet të ngrejë alarmin nga Ankaraja në Londër dhe nga Berlini në Washington.

“Në vitin 2012, para se Vuçiq të vinte në pushtet, Serbia kreu dy aktivitete ushtarake me aleatin e saj lindor. Pas gati një dekade të udhëheqjes së tij, numri i këtyre llojeve të aktiviteteve është rritur në mënyrë eksponenciale. Partneriteti midis dy vendeve është kaq vendimtar për të dyja palët, dhe blerja dhe donacionet e armatimit të rëndë aq të konsiderueshëm, sa Moska ka hapur një zyrë të mbrojtjes në Beograd dhe një qendër “humanitare” në Nish që ka pikëpyetje të rëndësishme për misionin e saj të pretenduar. . Nuk është çudi që Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së ka deklaruar se Serbia ofron “mjedisin më lejues” për ndikimin rus në rajonin tonë”, u shpreh Osmani.

Tutje tha se refuzimi i drejtpërdrejtë i Serbisë për të mos vënë sanksione kundër Rusisë, nuk është befasi dhe zbulon se ku qëndron vërtetë besnikëria e Vuçiqit ndaj Putinit.

“Tani është koha për të folur qartë se ku qëndrojmë: Kosova dhe partnerët e saj në mbarë botën janë në anën e Ukrainës, ndërsa Serbia ka zgjedhur të mbajë anën e Putinit”, vazhdoi më tej.

Sipas Osmanit, gjatë viteve të fundit, pavarësisht se ka folur për një lojë të mirë për vlerat evropiane, Serbia e ka rritur bashkëpunimin e saj politik, ushtarak dhe ekonomik me Rusinë në nivele të padëshmuara më parë, madje edhe nën regjimin e Millosheviçit.

“Zhvendosja e Serbisë drejt autokracisë ka qenë gradual dhe, më e rëndësishmja, e qëllimshme. Për një kohë të gjatë e mbetur e pa kundërshtuar apo edhe e pranuar, sot Serbia paraqet një kërcënim të rëndësishëm për stabilitetin në Evropë. Kjo është tashmë e dukshme në të gjitha indekset ndërkombëtare për demokracinë, median dhe liritë. Rënia e vlerësimit të Serbisë është dëshmi e prirjes së saj gjithnjë e më autokratike”, deklaroi Osmani.

Presidentja foli edhe për çështjen e targave, si problem i më hershëm mes dy shteteve, duke i quajtur veprime të pajustifikuara e të vazhdueshme të Serbisë për stagnim dhe mos zgjidhje afatgjate të kësaj çështjeje.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.