Lufta kundër dy viruseve me tenxhere

Flaka Surroi

Ka shumë vjet që Kosova e lufton virusin Hashim dhe ende nuk ka dalë ta çrrënjosë. Të shpresojmë se COVID-19 nuk do të na sillet, këndej pari shumë gjatë kohëPër që çohemi e protestojmë në mes të një pandemie, kur shumica e popullit është (vetë)ngujuar në shtëpi, kurrë nuk e kisha besuar. Por, po më duket se pikërisht qëndrimi në shtëpi dhe mundësia e përcjelljes së ngjarjeve nga dora e parë, e jo “me të ndime”, e ka bërë të mundur këtë reagim. Absolutisht mbresëlënës.

Kjo që e quajta The Tenxhere Movement në postimet e mia në fejsbuk, është replikë e një proteste tepër kreative dhe absolutisht paqësore të cilën e kishim bërë në Kosovën e okupuar, në kohën e orës policore të imponuar nga shteti serb më 1990.

Siç e thotë shumica, nuk e kishim besuar se do t’i ktheheshim kësaj forme të protestës pas 30 vjetësh. Atëherë qe për jetë a vdekje dhe çlirim. Tash është për shpëtim jete dhe për çlirim. Atëherë kërkonim çlirim nga okupimi. Tash kërkojmë çlirim nga dy viruse që na kanë goditur.

Ju pëlqen!

Tentim puçi

Që nga e marta, nuk dija po qe se duhej definuar dekretin e Thaçit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme si tentim puçi. Dje u binda se ishte një veprim i orkestruar dhe i koordinuar me disa njerëz të LDK-së, që në situatën kur nuk po e dimë se nga mund të na vijë virusi, të kidnapohet edhe kontrolli mbi shtetin.

Siç ka zakon, doli në një konferencë për shtyp, gjithë patetikë, për të na treguar se kurrë nuk do t’i shkonte në mendje se do të detyrohej ta nënshkruante një dekret të këtillë. E vlerësonte se ishin plotësuar kushtet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, që sipas definicionit ligjor e kushtetues, ia bartte atij të drejtën e komandimit, meqë në këtë situatë FSK-ja do t’i merrte të gjitha nën kontroll. Përfshirë edhe mjekët.

Në asnjë moment nuk e tha se cili segment i përfshirë në luftën për parandalimin e përhapjes së virusit kishte dështuar. Nuk diti të shpjegojë se përse duhej shpallur gjendjen e jashtëzakonshme – se përse ushtria e policia duheshin vënë direkt nën kontrollin e tij.

E gjitha, megjithatë, nisi me një postim të Isa Mustafës që e kërkonte një gjë të tillë nëpërmjet fejsbukut. U kuptua disa ditë më vonë, se këtë çështje nuk e kishte diskutuar fare me partnerin e koalicionit, porse kishte qenë “qëndrim personal”.

Thuajse se ky ishte sinjali i parë që Thaçi ta ndërmerrte hapin që do t’i sillte protagonizëm në këtë situatë. Merreni me mend, Thaçi në hije të Koronavirusit. E pra s’bën, dhe për këtë, duhet dalë në pikë të natës për të treguar se ky duhet marrë titimikat në dorë.

Pas tij, doli Avdullah Hoti dhe i çoi porosi Kurtit se taksa duhej të hiqej menjëherë, “ashtu siç e kërkon SHBA-ja”, thuajse tash me kufi të mbyllur gjithandej dhe me ndalim eksporti nga Serbia, ka ndonjë shans për tregti.

Në natën kur zëvendëskryeministri dhe zëdhënësi skandaloz i Qeverisë dolën për të na treguar se Qeveria nuk pajtohej me futjen e gjendjes së jashtëzakonshme, në njërin televizion kosovar doli ministri i Brendshëm për të thënë se gjendja e jashtëzakonshme duhej të shpallej. Me këtë deklaratë, Veliu thuajse donte të thoshte se policia, të cilën ai e mbikëqyr, kishte dështuar. Duke harruar se me këtë e thoshte se edhe vetë ka dështuar.

Ndodhi rrëmuja e së mërkurës, përderisa dikujt nuk i ndihej zëri fare. Thaçi ishte tërhequr në zyrën e tij dhe heshtte. Po mundem ta paramendoj kënaqësinë të cilën e ka përjetuar tek e pa se si plani i tij për shkatërrimin e këtij koalicioni, për të mbetur i vetmi institucion me funksione të plota, po realizohej.

Heshti deri dje, kur nëpërmjet fejsbukut kumtoi se nuk do ta çonte në Kuvend dekretin e tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Sepse tashmë e kishte infektuar me virusin e tij shkatërrimtar koalicionin qeverisës, që u gjend në zgrip të copëtimit.

Ka shumë vjet që Kosova e lufton virusin Hashim, dhe ende nuk ka dalë ta çrrënjosë. Të shpresojmë se COVID-19 nuk do të na sillet këndej pari shumë gjatë kohë.

Shkarkimi i atij që “nuk ia la shej”

Reagimi i Kurtit ndaj deklaratës së Veliut qe i menjëhershëm. Shkarkim. I drejtë ose jo, i ngutshëm ose jo, do të mbetet të shihet në kohë kur të jemi në gjendje të gjykojmë më qetë dhe nga distanca.

Kurti mund të jetë i papërvojë në udhëheqje me qeveri, porse naiv nuk është dhe e ka ditur se me këtë shkarkim, do ta niste ortekun në një kohë pa kohë. E sidomos duke e ditur se sa intaçor është Mustafa, është dashur ta priste një reagim ekstrem, çfarë edhe erdhi.

LDK-ja mbajti dy mbledhje dhe vendosi ta nisë mocionin për votëbesimin e Qeverisë. Këtë na e kumtoi Mustafa në konferencë për shtyp, duke thënë se arsyeja kryesore ishte që Kurti nuk po e hiqte taksën, pra për antiamerikanizëm, dhe e dyta, se ia kishte shkarkuar nënkryetarin e partisë prej postit të ministrit pa e informuar.

Mustafa tha se nuk do të jenë pjesë e një qeverisjeje ku prishen raportet me SHBA-në, për shkak se tashmë jemi duke përjetuar sanksione nga ta. E përmendi ndaljen e fondeve për MCC si dhe tërheqjen e Contour Global, një firme amerikane që supozohej se duhej ta ndërtonte termocentralin e ri, ndërkohë që do të na linte pa ujë, pa qymyr, pa rrymë dhe pa para.

Taksa dhe Contour Globali qenë dy gafat e Mustafës në konferencë. E para, ngase si pjesë e marrëveshjes për qeverisje, VV-ja dhe LDK-ja ishin marrë vesh që taksa të zëvendësohej me reciprocitet. Masë kjo që nuk u zbatua, siç qe paralajmëruar, për shkak se LDK-ja ndërroi mendje, dhe insistonte në heqjen e menjëhershme të taksës, për pasojë, edhe shkeljen e marrëveshjes së bashkëqeverisjes.

Tek e dyta, për shkak se edhe Contour Global ka qenë pjesë e marrëveshjes – dhe ideja atëherë ka qenë që kontrata të shkëputej me gjithë humbjen prej 19 milionë eurosh që do të mund ta pësonte Kosova. Në rastin e tërheqjes së kësaj firme, në fakt u shpëtuan 19 milionë që do të na nevojiten për pandemi, nëse për asgjë tjetër.

Që të nesërmen, Mustafa vendosi që të takohej me shefat e AAK-së, NISMËS dhe AKR-së, për t’u marrë vesh për mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e Qeverisë. Qëllimisht nuk e takoi kreun e PDK-së, për shkak se me gjasë, ka presion shumë të madh nga terreni që të mos lidhet sërish me partinë që ia kishte ngulur thikën në shpinë dy herë tashmë.

Dhe me këto takime, e bëri gabimin e tretë. E takoi Haradinajn – njeriun që e vuri taksën dhe i cili vazhdon të luftojë që kjo të mos hiqet. Për më tepër, e organizoi një takim javën e shkuar për ta debatuar mu këtë gjë.

E tash, sipas definicionit të LDK-së (e edhe të PDK-së dhe, natyrisht, Thaçit), nëse krejt ata që e kundërshtojnë heqjen e menjëhershme të taksës janë antiamerikanë, si bëhet që LDK-ja t’u qaset antiamerikanëve për ta mbrojtur proamerikanizmin e saj? Absurde, si e gjithë situata.

Grup parlamentar me kujtesë të shkurtër

Kështu, të enjten pasdite u mblodh GP i LDK-së dhe mbeti në mbledhje tri orë. Merreni me mend, tri orë debate, për të vendosur në fund se do t’i mbledhin nënshkrimet për mocion. Në gjithë këtë kiamet, tash çohen dhe e bëjnë mocionin për ta rrëzuar veten nga pushteti. Siç kishte bërë PDK-ja dy herë.

Më pikëlluesja në gjithë këtë muhabet është se kishte qenë pikërisht GP i LDK-së, me disa përjashtime, që e kishte votuar Thaçin për kryetar shteti me insistimin e Mustafës. Dhe tash, përsëri GP i LDK-së me kompozicion të ndryshuar, merr nismën për ta rrëzuar veten nga pushteti. Krejt kjo, falë një loje të përpunuar dhe ekzekutuar në formë të përkryer nga Thaçi dhe njerëzit e fortë të LDK-së, që nuk kanë garuar në zgjedhjet e shkuara, porse e kanë mbajtur pushtetin në hije, duke i ngufatur të rinjtë që mund ta sjellin ndryshimin aq të nevojshëm në këtë parti.

Mocioni, që nga çasti kur dorëzohet, i ka deri në pesë ditë për të hyrë në procedurë parlamentare. Pra, teknikisht, plenarja do të mund të mbahej të mërkurën, më 25 mars dhe kjo në kushtet kur:

  • ndalohet mbledhja e më shumë vetëve në një hapësirë ku nuk mund të sigurohet “distanca sociale” prej 2-3 metrash;
  • në plenare duhet siguruar që mocioni të shqyrtohet me debat parlamentar, pra, do të duhej të zgjaste me sahat të tërë;
  • e vetmja mënyrë që këta deputetë të mblidheshin me një vend, është po qe se do të visheshin me teshat speciale dhe do të bartnin maska speciale. Pra, 120 palë tesha për deputetë dhe kushedi sa palë të tjera për stafin e Kuvendit – në kushtet kur secila prej këtyre pajisjeve duhet ruhet për nevojat e mjekëve që përditë i janë ekspozuar COVID-it.

E në fund, pyetet njeri për çka e gjithë kjo punë? Për teket e Hashim Thaçit, ideatorit të gjendjes së jashtëzakonshme prej së cilës hoqi dorë.

E kur ai mundi të hiqte dorë, sepse nuk e pati asnjë argument (ngase puna e shkëlqyer, sidomos e ministrave Arben Vitia dhe Lumir Abdixhiku, nuk i dha hapësirë as madje për të gjetur shkas për gjendje të jashtëzakonshme), njësoj mund të heqin dorë edhe deputetët. Lehtë e kanë: vetëm i tërheqin nënshkrimet dhe s’ka mocion.

Duhen të gjenden shtatë vetë në mesin e nënshkruesve që e besojnë se Kosova ka më shumë vlerë sesa sedra e dy-tre individëve dhe interesat e tyre.

Dy dekadat e fundit duket se na i kanë shterur nervat dhe durimin. Tenxheret e dy netëve të fundit do të duhej të merreshin shumë seriozisht. Sepse, paradoksalisht, në kohë të virusit e kuptuam se të gjithë jemi njësoj: pavarësisht a i ri apo i vjetër, i pasur apo i varfër, hajn apo i ndershëm – virusi mund të na godasë të gjithëve pa pyet fare. Dhe nuk kemi nga të shkojmë që t’i ikim – sepse është përhapur gjithkund.

Prandaj edhe duhet luftuar, ani pse lufta jonë është më e rëndë. Për shkak se ne duhet t’i luftojmë dy viruse. E këtë e besoj do ta bëjmë, qoftë edhe me tenxhere. Sepse do të vijë dita kur do t’ua vëmë kapakun atyre.

flaka@koha.net

Burimi: https://www.koha.net/veshtrime/214230/lufta-kunder-dy-viruseve-me-tenxhere/

 

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike! FOTO: No copyright infringement is intended.