Nga Nagip Syla

Emri Alban është i njohur që nga antikiteti dhe thuhet se për herë të parë është përmend nga gjeografi Claudius Ptolomeu, në shekullin II të erës sonë. Në përshkrimet e tij gjeografike ai shkruan për një fis Ilir me këtë emër, duke përdorur termin Albanoi me qytetin Albanopolis. Shumë studius janë të mendimit se këtu bëhet fjalë për fisin Ilir nga i cili shqiptarët morën emrin e tyre të hershëm. Gjithshtu, mendoet se ata banonin brenda trevës së banuar më parë nga fisi i parthinëve që duket të jenë i njëjti fis, me emërtim të ri të përkthyer nga parthinoi = bardhinoi = albanoi. Në pjesën qëndrore të Shqiprisë ende sot ruhen toponime që lidhen me emrin e këtij fisi si p.sh. fshati Arbana, në rrethin e Tiranës.

 

Ju pëlqen!

Gjeografi i mirënjohur, Ptolomeu, përmendet edhe nga historianë si Eqrem M. Zenelaj, Jusuf Buxhovi dhe Muharrem Abazaj, mirëpo duke shtuar se pas daljes së parë të këtij emri, ai nuk shfaqet më në dokumentet historike, për më se 10 shekuj, duke u rishfaqur përsëri në shek. XII –XIII. Sipas M. Abazaj, edhe pse dokumentimi i emrit është bërë në shek.II e.s, kjo fjalë duhet të jetë shfaqur në kohë shumë më të lashta. Ai këtë e arsyeton me atë se ilirët, si shumë popuj të lashtësisë, janë shkëputur nga një trung shumë i lashtë i përbashkët me gjuhën e tyre, të po këtij trungu amë. Këtë e vëmë re edhe në gjetjen e fjalës alban në shumë vende të tjera, me disa ndryshime të vogla, si në Itali, Angli, Skoci, në Azinë e Vogël, në Kaukaz e tj.

 

Filologu Spiro Konda, shkruan se sipas Dionis Halikarnasit, pas luftës së Trojës, trojanët së bashku me Eneun u larguan nga qyteti Ilion, që u pushtua, dhe u shpërngulën në trojet e Italisë së sotme, ku fillimisht qëndruan në Lorenton dhe më pastaj ndërtuan një vendbanim të cilin e quajtën me emrin Lavinium. Pak më pas, pasi u zhvedosen nga Laviniumi bashkë me vendasit, rrethuan një qytet më të madh të cilin e quajtën Alba, ndërsa në vitin e tridhjetë pas ndërtimit të Laviniumit, Askani, i biri i Eneut, ndërton një qytet të ri të cilin e quajti Alba-Longa, që në latinishte ka kuptimin : E bardha e gjatë. Konda është i mendimit se ky emër i ri përcaktohet me një mbiemërim në formë predikati i përbërë tani nga dy pjesë, për ta dalluar nga qyteti paraprak Alba që ndodhej në afërsi. Sipas D.Halikarnasit, banorët e Alba-Longës ishin banorët e Laviniumit dhe banorë të Albës së ndërtuar prej Eneut, që ishte një përzierje me pellazgë, arkadë, epej dhe trojanë, pastaj edhe nga elementi vendas të cilët së bashku u quajtën albanë.

 

Sikur themeluesit e Alba-Longës do të ishin latinë ata do të quheshin albensis e jo albani / albanus sepse format fisnore të latinëve mbarojnë me –ensis. Si shkak të këtij përjashtimi Konda e sheh në atë se qytetarët e Alba-Longës nuk ishin italianë-latinë, por një element i huaj nga një fis tjetër, që i formonte emrat e tijë fisnorë me një mënyrë të veten. Kështu, sipas tij qytetarët e Albës u quajtën Alban dhe gjuha e tyre albane, por në menyrë shpërdoronjëse sepse ata nuk ishin albanë, dhe me kalimin e kohës, me këtë emër, fllojnë të emërohen të gjithë popujt që flitnin të njejtën gjuhë : si Ilirët, pellazgët e Epirit etj. Kështu, për herë të parë, ndodh që emri Alban të përfshijë të gjithë shqiptarët dhe të jetë emri i tyre kombëtar. Ndërsa, për arsyen se pse ndodhi ky ndryshim i emrit, i cili u pranua nga vetë shqiptarët, Konda thotë se ka nevojë për një studim e punë të veçantë.

 

Sipas historianit M. Abazaj për fjalën Alban/Arbër ende nuk është arrijt në një mendim të gjithëpranueshëm, nëse ajo në zanafillë ka qenë fjalë burimore apo është fjalë me prejardhje të huaj, ndërsa në një përfundim të tillë mund të arrihet vetëm nëse nga ana e studiuseve zbulohet se cili ka qenë kuptimi fillestar i kësaj fjale, gjë që do të jepte përgjigje edhe në pyetjen se cilës gjuhë i përket kjo fjalë. Nga njohurit për gjuhët e lashta, kur flet për tiparet kryesore të gjuhës pellazge, në radhë të parë vë në pah se ajo ka qenë një gjuhë njërrokëshe. Fjalët e saj kanë patur trajta të ngurta, pasi ajo si një gjuhë e lindur, e pa zhvilluar plotësisht, nuk ka patur mjete ndihmëse gjuhësore si: parashtesa, prapashtesa dhe mbaresa. Çdo fjalë e saj ka patur një trajtë të vetme, përmes së cilës shprehte të gjitha kuptimet gramatikore.

 

Ai nuk e sheh fjalën alban/arban si të formuar nga një rrënjë alb ose arb me prapashtesën an, por si përngjitje të dy fjalëve njërrokëshe të shqipes së vjetër (pellazgjishtes) al-ban/ar-ban, ndërsa ndryshimi tingëllor l/r tek ky emërtim ka ndodhur në përputhje me zhvillimin fonetik të gjuhës shqipe. Bashtingëllorja “l” në mjaft raste ka ndryshuar në “r”. Në gjuhët e huaja është ruajtur trajta e lashtë alban, pasi tek këto gjuhë nuk veprojnë ligjet fonetike të shqipes. Fjala ar është identike me fjalën arë të shqipes, tokë e punuar, e vënë nën kulturë, kurse fjala ban është identike me foljen ban të shqipes, por në trajtën e dialektit të gegënishtes (në toskërisht trajta bën). Kështu sipas tij, kuptimi i emërtimit del: “Arë ban“. Më tutje, ai shton se fare lehtë mund t’u ndërrohen vendet  e fjalëve dhe të thuhet “Ban arë“.

 

Studiusi francez Robert d’Angely mbështet pikpamjen se fjala Alba(n) rrjedh nga rrënja ARG e pellazgjishtes, që ka kuptimin i bardhë, dhe se termat: pellazgë, arias, etruskë, arbëreshë etj., janë sinonime dhe shënojnë në fakt po atë element rrënjë me cilësime të ndryshme. Ai nuk ka fare dyshime se fjala greke Πελαργος (Pelargos) është nje term i përbërë pelalzgjik ose shqip, por i greqizuar ose i helenizuar shumë më vonë dhe duke e zbërthyer atë pohon se ka arritur deri te forma primitive dhe origjinale e tij. Sipas tij, forma primitive pellazgjike ose shqipe: PIELLARG, ka evoluar dhe ka dhënë (kur greqishtja nisi të formohej mbi bazën e fondit pellazg ose shqip, të plotësuar me anë të shtesave të tjera të huaja), fjalën greke Pelargos (Πελαργος), e cila më vonë u bë Pelasgos (Πελασγος), duke ndryshuar r (ρ) në s (σ). Kështu, nga fjala Pelargos ai në fillim largon mbaresën greke: oς (os) dhe ajo që mbetet: Pelarg (Πελαργ), e quan transkriptim grek të pellazgjishtes ose të shqipes primitive të fjalës PIELLARG. Kjo sipas tij, në gjuhën e evoluar ose në shqipen e sotme, na jep termin piell(b)ar”dh”(ë) : duke qenë “b” një epentezë (shtesë e tingullit në mes të fjalës); “ë” një mbaresë toske, që në gegërishte mund të bjerë, dhe g=dh e anasjelltas dh=g ose γ=δ (g=d), duke pasur gjithnjë domethënien: “i lindur i bardhë” ose pinjoll (pasardhës i drejtpërdrejtë) i bardhë.

 

Në një epokë më të vonë, por që megjithatë, sipas tij, përfshinë disa mijëra vjet para erës sonë, termi Pelarg ose Piellarg, që shënonte gjithë popullsitë e racës së bardhë është thjeshtësuar, duke e hequr gjymtyrën e parë PEL ose PIELL, që do të thotë ‘lind’ dhe ruajti vetëm gjymtyrën e dytë, që është: ARG dhe që ka kuptimin ‘i bardhë’. Me kalimin e kohës kjo rrënjë ARG solli lindjen e një tufe fjalësh të prejardhura, nga të cilat kryesoret janë: ARBËN, ARBËNESHË, ARVANITIS, ARVERNE si dhe ALBANAIS, ALBANUS, ALBION, ALBA, ALBIN etj.

 

Duke u bazuar në rrënjen “arg” studiusi d’Angely, kur flet për pellazgët përdor edhe termin Arg-ët, duke tërheq vërejtjen se kjo nuk duhet ngatërruar me termin tjetër “Argeios” qe ka të bëjë vetëm me banorët e qytetit ose të fushës së Αrgοs. Por filologu Spiro Konda, në veprën e tij nuk përmend ndonjë rrënjë “arg” në kuptimin “i bardhë” përpos qytetit Argos, banorët e të cilit i quan pellazgjiot. Ai gjithashtu përmend disa studiues tjerë të huaj, të cilët e lidhin termin Arg-os, i cili është shikuar edhe si metatezë e Agros, ager, në kuptimin e fushës apo arës, por jo në kuptimin “i bardhë”.

 

Ne librin me titull Albanët, autorja Elena Kocaqi, duke përshkruar largimin e popullatës trojane pas luftës së Trojës, të udhëhequr nga Eneu, dhe vendosjes së tyre në Latium ku pastaj djali i tij Asgani ose Julu themeloi një qytet tjetër të quajtur Alba-Longa, ajo në mes tjerash shkruan : “Trojanët e kanë quajtur veten si dardanë dhe albanë dhe kjo duket tek emrat që u vunë vendeve të reja ku u vendosën, pas shpërnguljes së një pjese të popullsisë nga Troja. Kështu, Ene Dardanidi qytetin që themeloi në Itali e quajti Alba. Nipi i tij Briti, pasi u vendos në Britani e quajti një pjesë të saj Albani (Skocia, emër që e ka trashëguar kryeqyteti i New Yorkut). Pra, ka fakte që ata e mbanin veten për albanë dhe dardanë, emra që dalin te dy fiset ilire të dardanëve dhe albanëve në antikitet. Por edhe sot, të vetmit popuj që quhen albanë dhe dardanë, janë shqiptarët…“

 

Më pastaj ajo shton : “Emri alban sipas të gjitha burimeve historike dhe shkencore, do të thotë I BARDHË. Skithët që banonin në veri të Detit të Zi të cilët ishin të së njëjtës racë me iliro-trojanët, thonë në kronikat e tyre se flokët tanë bjondë na vendosën emrin Alban”. Në të gjithë fjalorët fjala albino do të thotë njeri i bardhë. Me një fjalë, emri alban me të cilin njihen shqiptarët e sotëm nga bota, ka kuptimin i bardhë.”

 

Në studimin e tij për pellazgët, S. Konda, duke zbërthyer fjalën Pelasg, formuloi “Teorinë kozmogonike të Pellazgëve”, që jep kuptimin “i lindur prej dheut”. Teoria kozmogonike është: Dhe mëmë e të gjithave, Demeter pasuridhënëse (Diod. Siqeljoti, Vell. I, Libr. I, 12,4), ku Dhe mëmë” është vetëm një ndajshtim i fjalësDemetere cila fjalë është sintezë e dy fjalëve , të fjalës de dhe fjalës meter. “De” është fjalë pellasgjike, që do të thotë tokë (dhe), ndërsa “meter” do të thotë mëmë (nënë) prej nga rrjedh (de meter) = dhe nënë (Perëndesha nënë e dheut, e cila është quajtur edhe De-a, prej nga në mënyrë korrelative  ka lind edhe De-u me kuptimin dheu në gjininë mashkullore të “dheut” si At). Në bazë të metodës së tij nga folja e vjetër pel, që sot në gjuhën shqipe thuhet pjell, kemi fjalën bazë për shpjegimin dhe etimologjinë e fjalës Pelasg. Për ta bërë shpjegimin më të kuptueshëm ai pastaj merr parasyshë foljen pa-vetore sanskrite: “as mi” që në fillim ka pasë trajtat as ose a prej nga në shqipen e sotme kemi foljen jam (në vetën e parë njejës). Ndërsa në vetën e tretë shumës, nga folja “as nti” prej nga ka rrjedh “an” dhe ne gjuhën e sotme shqipe:  jan. Elementi i tretë në fjalën “Pellasg” është g që është dhanorja e vepruesit te fjalës ga (ge) ϒα (ϒη)= dheu , e cila këtu mund të ishte edhe da domethënë pellazgjike de. Në bazë të kësaj fjala Pel-as-g merr kuptimin: “pjell jam (prej) dhe (ut)”  -> “i lindur prej dheut”.

 

Edhe sipas historianes Fatbardha Demi : “të gjitha emërtimet që njihen historikisht për shqipetarët dhe paraardhësit e tyre Pellazgo-Ilirët, lidhen me Mitin e KRIJIMIT : Pellazg – të lindur prej dheut;  Ar+ban/Ar+bër; i banun/i bërë nga Ar-a/dheu; Ilir/Yll-ir  shpreh origjinen nga Zoti/Ylli. Ylli = Drita Hyjnore.

 

  1. Konda, jep edhe disa shembuj të emrave të përbërë nga elemente të njejta gjuhësore me ato të emrit Pelasg. Kështu ai përmend emrin Aspelia si emër të vjetër të ishullit të Qipros, duke pohuar se As-pel-ia vjen nga As-pel-g-ia duke presupozuar emrin Aspelgos si një sintezë apo trajtë tjetër e fjalës Pelasgos. Sipas tij në fjalën Aspelia, tingulli g, e cila ishte dhanorja e vepronjësit të fjalës ga (ge) γα (γη) që do të thotë dheu, ka rënë. Në fund ai shton se Aspelgos është baras me As-pel-g-os = “jam lindur prej dheut” ashtu sikur është Pellasg baras me Pel-as-g-os = “lindur jam prej dheut”.

 

Konda, në mes shembujsh tjerë, jep edhe një shembull të fjalës Plak, për të cilën thotë se rrjedh nga fjala Pelagon e përmendur për herë të parë nga Homeri. Për ta vërtetuar këtë, ai thotë se së pari duhet hequr sufiksin on (ων) duke ruajtur trupin Pelag. Nga rrokja e parë ka rënë tingulli e për shkak të theksimit të fortë të tingullit a, duke formuar fjalën Plag nga e cila g-ja fundore ka kalu në fundoren k të fjalës Plak.

 

Sipas tij, atje ku ndërmjet dy fjalëve ekziston identitet tingujsh dhe kuptimi, sado larg që mund të jenë nga pikpamja e trajtës dhe e kohës, ndërmjet atyre fjalëve ekziston edhe një afëri gjaku dhe gjuhe, domethënë afëri race dhe fisi.

 

Studiusit Luftulla dhe Liljana Peza, duke studiuar gjuhët e lashta të Ballkanit dhe Anadollit dhe famljen pellazgjike të gjuhëve, mbështetur në burime historike, arkeologjike dhe gjuhësore, japin disa fjalorë të shkurtër me fjalë të ndryshme në këto gjuhë, të cilat, sipas tyre, ofrojnë lidhje të forta me gjuhën shqipe dhe kanë pothuajse fjalor të njejt. Kështu, nëse kërkojmë nëpër tabela për fjalën “bardh” ose “i bardhë”, ato i gjejmë si “Alpa” në hitishte, si “Bal” në thrakishte dhe si “barth” në pellazgjishte në kuptimin e shqipes “i bardhë”,  ndërsa në ilirishte si “Bardi” në kuptimin e shqipes “Bardh”.

 

Kështu, në mënyrë të ngjashme me S. Konda, mund të kërkojmë nëse edhe fjala bardh mund të përbëhet nga elemente të njëjta gjuhësore me ato të emrit Pelasg, duke presupozuar se fjala Bal  vjen nga Pel-as-g, ku tingulli g ka rënë, si dhanore e vepronjësit të fjalës ga (ge) γα (γη), e që do të thotë dheu. Këtu fjala Bal ka mund të këtë dal nga fjala Pel, me shndërrimin P=B dhe e=a, që janë zëvendësime të rëndomta. Fjala as, sipas S.Konda është folje pa-vetore sanskrite: “as mi” që në fillim ka pasë trajtat as ose a prej nga në shqipen e sotme kemi foljen jam (në vetën e parë njejës). Prandaj, edhe këtu fjala Bal-a / Bal-as ngjason shumë me fjalën Pel-as-g, duke dhënë kuptimin “i bardhë jam”.

 

Në mënyrë të ngjashme mund të kërkojmë nëse edhe fjala Alban mund të përbëhet nga elemente të njëjta gjuhësore me ato të emrit Pelasg . Kështu, sikur në rastin e emrit Aspelia supozojmë se termi Alp me rotacizëm rrjedh nga fjala Pel, ku “e” është zësvendësuar me “a. Pastaj me kalimin e “p” në “b” nga Alp kemi Alb (me rotacizëm Bal dhe anasjelltas). Nga fjala “a”, “as”, siq u tha më lart, kemi foljen jam, ndërsa nga folja “as nti” prej nga ka rrjedh “an”, kemi foljen jan. Trajta e shkurtër “an”, me rotacizëm bëhet “ar”  që në shqipe prap ka kuptimin: jan. Kështu, tani mund të themi se fjalët Alb-a = Alb-as = Pel-as (-g) dhe Alb-an = Al-bar = Ar-bar = Arbër = Pel-ar (-g), ku l=r dhe n=r, ndërsa, siq u tha më lart, tingulli g ka rënë,.

 

Në fjalorët elektronik, italisht-anglisht, për fjalën Alba thuhet se rrjedh nga fjala latine Albus që do të thotë “i bardhë”, ndërsa në ate të Kembrixhit, në kuptimin e dritës: ag-u, lindja e diellit, agimi, ndërsa në kuptimin figurativ: fillimi, agimi i civilizimit, që mund të thuhet edhe lindje e civilizimit.

 

Nëse kemi parasyshë se tingulli “a” shpesh kalon në “u”, atëhere nga Albas do të kemi  Albus = Pel-as (-g), që siq u tha më lart, ka domethënien “i bardhë”. Kështu, edhe në këtë rast, siq do të thoshte Konda, “atje ku ndërmjet dy fjalëve ekziston identitet tingujsh dhe kuptimi, sado larg që mund të jenë nga pikpamja e trajtës dhe e kohës, ndërmjet atyre fjalëve ekziston edhe një afëri gjaku dhe gjuhe, domethënë afëri race dhe fisi”.

 

Ndërsa në rastin tjetër ku Alban = Arbër = Arbën = Pel-ar (-g), ku l=r dhe n=r, ndërsa tingulli g ka rënë, edhe në këtë rast, siq do të thoshte Konda, ai që thot : Pelasg = i lindur prej dheut, mund të thotë shumë mirë edhe : Alban = Arbër = Arbën = i lindur prej dheut.

 

Studiusi d’Angely është i mendimit se emri Alban vjen që prej kohësh që s’mbahen mend, nga ai popull që jetonte kudo ku mund të kishte lindur raca e bardhë. Në këtë kontekst ai përmend albanët e Kaukazit, për të cilët thotë se kanë prejardhjen nga pellazgët të cilët kanë migruar aty para ekspeditës së parë drejt Indisë, shumë kohë para ekspeditës së Aleksandrit të Madh, të cilën e konsideron si ekspeditë të dytë. Më tej ai shton : “Shpjegimi i mësipërm për ekzistencën e albanëve të Kaukazit pajton së fundi gjithë mendimet e tjera, që kanë shprehur shkrimtarët e vjetër për ta. Kështu, Dionisi i Halikarnasit (A, 45) dhe Justini (42,3) na transmetojnë traditën, sipas së cilës Albania e Kaukazit u kolonizua nga banorët e qytetit italik të Albës, të cilët emigruan nën drejtimin e Herakliut…”

 

Sipas Geoffrey nga Monmouth në “Historia e Mbretërve të Britanisë” të shekullit të 12-të, stërnipi i Eneut, Briti, i cili u dëbua nga Alba longa, sipas legjendës u udhëzua nga perëndesha Diana të shkoj në një ishull të cilin e rrethonte deti perëndimor, ku ishte destinar për të ngritur një Trojë të dytë. Sipas tij, ishulli atëherë është quajtur Albion, por pastaj Briti e quajti me emrin e tij : Britani, sepse kështu dëshironte të përjetësonte kujtesën e emrit të tij. Poashtu, sipas tij dhe “historianëve” të tjerë mesjetarë britanikë, Londra ishte quajtur “Trinovantum” sepse ishte “Troja e Re”, duke besuar kështu që edhe Britanikët ishin Trojanë. Mirepo, ka të ngjarë që ky emër të jetë një keqkuptim mesjetar i një emri fisnor lokal, i kombinuar me dëshirën për të qenë pjesë e kulturës klasike. Në legjendë, Trinovantum bëhet Caer Lludd / Carlud, pastaj ndryshohet në Lundein, dhe pastaj në Londër. Megjithatë, thuhet se edhe kjo është false, pasi që ishin romakët ata që e quajtën qytetin Londinium, domethënia e të cilit ende është subjekt i shumë debateve.

 

Tani, po të krahasojmë fjalët “Trojë e dytë” me “Londinium” duke ndar fjalën e dytë në rrokje dhe duke hequr prapashtesën latine –um, fitojmë : Lon-di-ni. Këtu menjiherë vërehet rrokja “di” që në shqipe ka kuptimin “dy” dhe nëse këtë e lidhim me shprehjen “Trojë e dytë”  atëherë rrokja “Lon” mund të na asocoj në emrin tjetër për Trojën : Ilion, ku tingujt “I/i” kanë rënë. Kështu nga “Trojë e dytë” ose “Ilion i dytë” fitojmë “Ilion di” = “Lon di”. Ndërsa, rrokja e fundit “ni” ka mund të rrjedhë nga “ri” që do të thotë “i ri”, duke shndërruar “r” në “n”. Kështu “Lon-di-ri” në kuptimin “Ilion i dytë i ri”, mund të ketë qenë emri fillestar i Londrës, i cili pastaj u latinizua në “Lon-di-ni-um”. Edhe në ditët tona në anglishte dhe gjermanishte thuhet London, në Italishte dhe shqipe thuhet Londra, ndërsa në frëngjishte dhe spanishte thuhet Londres, ku “r” dhe “n” janë të zëvendësuara.

 

Nëse shohim në Albion Wikipedia, aty thuhet se ky është një emër alternativ për Britaninë e Madhe qe ndonjëherë përdoret në menyrë poetike dhe përgjithësisht për t’iu referuar ishullit, por që sot është fjalë më pak e zakonshme se ‘Britania’ . Emri për Skocinë në shumicën e gjuhëve keltike lidhet me Albion: Alba në Galike Skoceze, Albain (gjenitivi Alban) në Irlandisht, Nalbin në Manx dhe Alban në Uellsisht dhe Cornish. Këta emra më vonë u latinizuan si Albania dhe anglicizuan si Albany, të cilët dikur ishin emra alternativë për Skocinë. Më tej, në mes tjerash thuhet se ky emër mund të ketë lidhje edhe me toponimet e tjera europiane dhe mesdhetare si Alpet, Albania (Shqipëria) ose perëndia e lumit Alfeu (me origjinë ‘e bardhë’). Sipas tyre, ka dy etimologji të mundshme: ose nga fjala proto-indo-europiane * albʰo – ‘e bardhë’ (Greqishtja e lashtë ἀλφός, latinisht albus), ose nga * alb – ‘kodër’. Prejadhja nga fjala  ‘i bardhë’ mendohet të jetë ndoshta në lidhje me brigjet e bardha jugore të ishullit – të dukshme nga Europa kontinentale dhe një pikë referimi në pikën më të ngushtë të kalimit.

 

Sipas filologut S.Konda toponomitë tregojnë emërtimet e vendeve por edhe gjuhën që flisnin banorët e tyre dhe në lidhje me këtë shton se “ner shqiptarët, është zakon, kur ndodhen në vend të huaj, të mbajnë si llagap emrin e katundit të tyre”. Kështu, nëse tani presupozojmë se edhe të shpërngulurit nga Troja në Itali kanë dasht ta ruajnë emrin e qytetit Ilion, duke e quajtur vendbanimin e ri “Alba Longa”, mund të vërejmë termin “Lon” në kuadër të fjalës “Lon-ga” sikur në rastin e “Lon-di-ni” që presupozojmë se rrjedh poashtu nga emri “Ilion”, pasi tingujt “I/i” kanë rënë. Pjesa tjetër “ga” (ge/de), ashtu si thotë Konda, mund të thotë dheu, toka. Por, mbaresa “ga” mund të ketë rrjedh ndoshta edhe nga fjala gardh, të cilën studiusit Peza, në fjalorthet e tyre i japin si gard në dakishte ose nga fjala qytet, si gordion në frigjishte, që me siguri rrjedhin nga fjala gur e pellazgjishtes. Këtu vlenë të përkujtojmë atë që thotë D. Halikarnasi: “… rrethuan një qytet më të madh … që len të kuptohet se Alba Longa ka qenë e “fortifikuar”. Kështu duke presupozuar formën fillestare të kombinuar nga përngjitja “Alba + Ilion + gard” në kuptimin “Fortesa Ilion e Albanëve”, me vonë duke u latinizuar merr formën “Alba-Lon-ga” në kuptimin “e bardhë e gjatë”.

 

Studiusja Afërdita Zaja, flet per veprën e studiusit dhe gjuhëtarit Petro Zheji « Shqipja dhe Sanskritishtja » i cili për fjalën Arbana, duke marrë parasysh se bana në shqip do të thotë bane-së (tek Arbëreshët: banë-a), jep zbërthimin Ar+bana si bana (e) Ar-it, ku Ar-i është parimi suprem, sikundër El-i (Ylli), sikundër At-i. Atëherë pra, duke qenë kështu, sipas tij edhe fjala shqip Arbëni do të thotë pikërisht : bana e Arit, banesa e Arit. Ai më tej shton se edhe fjalët latinisht: urbanus (urban); urbis (qytet) etj., atje dalin. Tek trajta ur e latinishtes kemi reflektimin e ar të shqipes në ur. Sipas Zhejit, ar-i tek popujt e lashtë ka simbolizuar Parimin Suprem, po edhe atë Zanafillor, e pra dhe atë më Absolutin, më Superlativin, më të mirin, më të nderuarin, më të lashtin e më të mbramin etj., etj. E tërë kjo simbolikë është konkretizuar në gjuhë. Por në disa sisteme gjuhësore trajta ar është reflektuar edhe në ur, edhe në er, edhe në or, edhe në ir e kështu me radhë. Nga ana tjetër, sipas tij, kombinimi i zanoreve (a, u, o, e, i …) dhe bashtingëllores R dhe kombinimi i zanoreve (a, u, y, o, e, i …) dhe bashtingëllores L, nga pikëpamja semantike janë identike sepse shprehin të njejtën gjë. Për këtë ai merr disa shembuj : anglisht, star = yll; shqip, istër = yll; italisht, stella = yll, të cilat nëpërmjet shqipes i zbërthen në këtë mënyrë: star = st + ar = asht ar; istër = ist + ër = isht ar; stella = st + ella = asht yll.

 

Zbërthimi i fjalës Arbana si bana e Arit, nga ana e P. Zhejit, ku Ar-i është parimi suprem, sikundër El-i (Ylli), sikundër At-i, mund të thuhet se është në pajtim me zberthimin e fjales Pelasg nga ana e S. Konda, me teorinë kozmogonike të pellazgeve:i lindur prej dheut”, dhe anasjelltas, duke patur parasyshe se këtu “dheu” simbolizon Perëndeshen nënë të dheut, e cila është quajtur edhe De-a, prej nga në mënyrë korrelative  ka lind edhe De-u, me kuptimin dheu në gjininë mashkullore të “dheut” si At. Edhe në këtë rast, siq do të thoshte Konda, ai që thot : Pelasg = “i lindur prej dheut”, mund të thotë shumë mirë edhe : Arbana = Arban = “ i lindur prej dheut”.

 

Historianja Fatbardha Demi, duke theksuar fjalët e studiusit Petro Zheji « Shqipja dhe Sanskritishtja » shton se  : “ gjuha e cila e shpjegon kuptimin gjuhësor të fjalëve në gjuhët e tjera, që ato vetë nuk e arrijnë ta bëjnë, është më e lashta.”

 

Është e qartë se në këtë mënyrë, mund të hidhet edhe dritë edhe hije në kërkimin e origjinës së fjalëve dhe emrave të lashtësisë. Gjithsesi, në fund, shpjegimin duhet lënë studiuesve profesionistë bashkëkohorë, të cilët gjithnjë e më shumë po sjellin fakte dhe argumente të cilat mund të provojnë vazhdimsinë etno-gjuhësore të pellazgëve, albanëve dhe shqiptarëve.

 

Literatura e shfrytëzuar:

  1. Spiro Konda, Shqiptarët dhe problemi pellazgjik, Tiranë 1964
  2. Robert d’Angely, Enigma, Tirane 1998
  3. Elena Kocaqi, Albanët, Botuesi EMAL 2012
  4. Jusuf Buxhovi, KOSOVA (Antika, Mesjeta) Libri i parë, Prishtinë 2012
  5. Aferdita Zaja, Vizioni mistik i universit dhe Norvegjishtja, Tirane 2015
  6. Fatbardha Demi, Sellenizmi – besimi që sundon botën, Tirane 2016
  7. Elena Kocaqi, Shqipja çelsi i gjuhëve indoevropiane, Botuesi EMAL
  8. Eqrem M. Zenelaj, Pellazgët Ilirët Shqptarët, Prishtinë 2017
  9. Luftulla dhe Liliana Peza, Gjuhët e lashta të Ballkanit dhe Anadollit dhe familja pellazgjike e gjuhëve, Tirane 2018
  10. Muharrem Abazaj, Gjuha e lashtë shqipe (Pellazgjishtja), Tirane 2018
  11. Elena Kocaqi, Lufta e Trojës, Tiranë 2018
  12. Eqrem M. Zenelaj, Lufta e Trojës, Prishtinë 2019
  13. Ash te RPSSh, Instituti i Gjuhësise dhe Letërsise, Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Tirane 1980, Ribotim RILINDJA, Prishtinë 1981
  14. Albanët – Wikipedia
  15. Albion – Wikipedia
  16. Trinovantum – Wikipedia
  17. Trinovantum — the evolution of a legend – ScienceDirect
©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.