Të flasësh kështu në këmbë është mirë edhe për shkak se shihemi më mirë, por edhe kemi thënë që do të jemi një qeveri në këmbë, pra, që nuk do të rri ulur siç është përfytyrimi i zakonshëm për ekzekutivin e vendit.

I nderuari rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Marjan Dema,
I nderuari organizator, Prof. Dashamir Bërxulli,
E nderuara Shefe e Zyres së Bashkimit Evropian në Kosovë, znj. Apostolova,
E nderuara ministre e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Hykmete Bajrami,
I nderuari ambasador i Austrisë, z. Weidinger,
E nderuara ambasadore e Francës, znj. Butel,
I nderuari zëvendësambasador italian, z. Corradini,
Zonja dhe zotërinj,
Profesorë të dashur,

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

Është kënaqësi dhe privilegj të jem këtu me ju sot, në këtë moment të arritjes historike të Universitetit të Prishtinës.

Historia e zhvillimit të Universitetit të Prishtinës është e lidhur ngushtë me historinë e popullit tonë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Një periudhë e ndryshimeve të mëdha nëpër të cilën fati i Universitetit ishte i lidhur ngushtë me fatin e popullit, sepse Universiteti i dha dijen e nevojshme një gjenerate e cila do të definonte të ardhmen e vendit e për pasojë edhe të vet Universitetit.

Kështu, më shumë edhe se vend i dijes, Universiteti ishte vend i rezistencës, vend ku çlirohej vullneti i ndrydhur; vendi ku akumulohej energjia për t’u përballur me padrejtësinë.

Sa më shumë që rritej presioni nga regjimi i atëhershëm për ndalimin e studimeve tona, aq më shumë kërkonim liri për të studiuar, e sa më shumë që studionim aq më shumë e ndjenim mungesën e lirisë.

Kështu, masat e dhunshme të qershorit të vitit 1991 për të ndaluar mësimin në gjuhën shqipe do të sfidoheshin me shkollat-shtëpi, me shtëpitë-shkolla, me Universitete nëpër shtëpi, ashtu siç më 1997 do të sfidohej i gjithë regjimi shtypës.

Në gusht të vitit 1991, Gani Bajrami kishte dërguar një letër organeve të dhunshme të Fakultetit të Makinerisë në Prishtinë, duke përfunduar me fjalët: “Mos harroni se për fatin e një populli pa vullnetin e tij mund të vendoset me forcë vetëm për një kohë dhe jo edhe për gjithë ”. Bajrami ishte inxhinier i diplomuar dhe asistent. Kështu edhe ndodhi, e kështu ndodhë sepse vullneti i popullit nuk imponohet.

Sot kur kremtojmë 50-vjetorin e Universitetit të Prishtinës, aq sa e kujtojmë me shumë nderim themelimin, po aq edhe rifillimin. Sepse, rifillimi i Universitetit të Prishtinës, në vitin 1991 nuk ishte më pak i vështirë sesa ai i themelimit në vitin 1970.

E në këtë vit të reflektimit e festimit të Universitetit për këtë gjysmëshekulli, është mirë të kujtojmë e nderojmë një nga figurat kyçe të tij, i cili refuzoi nënshtrimin dhe imponimin e të tjerëve mbi Universitetin. Atë, i cili i dha shumë vendit e pa të cilin Universiteti nuk do të ishte i tillë. Në këtë vit, më 16 prill, profesor Ejup Statovcit do t’i shënohet 80 vjetori i lindjes, e ne si institucione e kemi për obligim që ta nderojmë figurën e tij ashtu siç ai e meriton. Urtësia e mësimet e tij të shumta na udhëzojnë ende në vështirësitë tona që nuk janë të pakta.

Në vitin 1997 unë isha student i Fakultetit të Elektroteknikës, njëjtë sikurse shumë studentë tjerë me të cilët ishim të vetëdijshëm për padrejtësinë e kohës në të cilën po jetonim, për zërin e brendshëm që thërriste secilin nga ne për ndryshim dhe për detyrën që ndjenim ndaj vendit. Ne bëmë atë që ishim, studentin, porsi pararendësit tanë të rinj në vitin 1968, 1981. e në vitet 1989, ‘90 e ‘91. Në këtë kuptim, sa herë që rikthehem tek profesorët, unë e mësoj atë që e di, se kam dalur nga Universiteti, po Universiteti nuk ka dalur asnjëherë prej meje.

Të nderuar të pranishëm,

Liria ka kuptim vetëm kur ka drejtësi. Liria pa drejtësi është robërim i llojit tjetër. Nëse deri dje padrejtësia qëndronte në mohimin e lirisë nga jashtë, sot padrejtësia qëndron në keqpërdorimin e lirisë nga brenda.
Pasurimi i pakicës në kurriz të shumicës, varfëria e pabarazia shoqërore, sistemi gjyqësor joefikas dhe mungesa e shanseve të barabarta i humbin kuptimin lirisë dhe krijojnë padrejtësi të vazhdueshme përbrenda nesh.

Kjo është sfida e shoqërisë tonë sot, sfidë të cilën Universiteti i Prishtinës duhet ta adresojë e ta përmbushë në gjysmën e dytë të shekullit të tij.

Pra, nuk gaboj nëse them që teksa në gjysmën e parë të shekullit të tij Universiteti ka përgatitur gjeneratat që i kanë shërbyer vendit për çlirim, në gjysmën e dytë Universiteti duhet të përgatitë gjeneratat për zhvillim. Kjo është sfida jonë e përbashkët.

Nëse më herët diploma që merrje të përcaktonte vendin e punës, sot vendet e punës e përcaktojnë edhe diplomën që duhet të marrim. Ky ndryshim që ka ndodhur në fushën e arsimit e të punësimit duhet të reflektohet në Universitetin e Prishtinës si prijës i Arsimit të Lartë Publik, si një vend në të cilin edhe prodhohet dija, përveçse konsumohet ajo.

Shteti e ka për detyrë të krijojë dhe ofrojë kushtet dhe mundësitë e barabarta, kurse Universiteti duhet të garantojë cilësinë në arsim dhe garën për dije dhe dijen si vlerë.
Pra, le t’i ndajmë detyrat dhe përgjegjësitë dhe jam i sigurt që suksesi është i garantuar.

Ne, në këtë mandat do të rrisim investimet dhe do të bëjmë reformat në arsim, por së pari duhet të dimë ku jemi. Besoj që të gjithë pajtohemi se për momentin gjërat nuk janë aq mirë, se ka nevojë për ndryshim, ka nevojë për reformë e cila e përgatitë Universitetin për t’u përballur me sfidat e kohës tonë.

Koha është tash dhe ky është momenti që kemi pritur. Kurrë nuk ka pasur qeveri më të interesuar, e më të përkushtuar për zhvillimin e arsimit, që është parakusht për zhvillimin e vendit.

Urime të nderuar profesorë, për arritjet që keni bërë dhe suksese për vitet që vijnë.
Urime 50-vjetorin, edhe shumë 50-vjetorë të tjerë!

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!