Mbasi u shtyp me dhunë qeveritare kryengritja e Shqipërisë së mesme nga Esad Pasha Toptani, krerët e kësaj kryengritje u arritën të burgoseshin fillimisht dhe më pas, të hetoheshin dhe të dënoheshin.

Nga historia e shkruar, dimë që Haxhi Qamili, Myftiu i Tiranës, Musa Qazimi dhe ndonjë tjetër u dënuan nga gjyqi politik me varje, kryetar i gjykatës ishte Xhelal Zogu, nga Mati, vëllai i Ahmet Zogut.

Interesante është hetimi që iu bë këtyre figurave nga hetuesi i asaj kohe Hysen Myshketa, i cili zbardh ato çka të dënuarit shfaqën në hetuesi.

Myftiu i Tiranës, Musa Qazimi, i cili njihej dhe si truri i kësaj kryngritje, nuk pranoi asnjë akuzë për nxitjen e kryengritjes, ndërsa Haxhi Qamili, të cilin, historia e tregon si injorant, në hetuesi mbajti qëndrim të drejtë sipas Hysen Myshketës dhe i pranoi të gjitha akuzat ndaj tij.

Më poshtë, diçka nga ajo që Haxhi Qamili, do deklaronte në hetuesi:

Te sjellurit e Haxhi Qamilit lidhur ne Durres, perpara pallatit ku banonte Esad Pasha me 12 korrik 1915 

 

“Të gjitha ç’ka thanë për mue i kam bamun, vrasjet, djegëjet, burgimet etj.. por të gjitha jo me qëllime të këqija.

Kujtojshe se do t’i bajshe mirë vendit.

Un kam veprue drejt për drejtë, i shtynum prej mendjes e prej zemrës s’eme, pa u urdhënue e kall prej ndonjë tjetri.

Myftiu me shokë nuk më urdhërojshin, por m’i pëlqejshin veprat.

Tashti e kuptova se e meritoj varjen.

Gjakun ia kam fal Pashës (Esadit) dhe juve vetëm ankim kundra atij njëriu, që nuk kam me projtë edhe n’atë jetë përpara Zotit, mbasi ai kur më lidhi në treg të Shijakut në një dru, dhe më ekspozoj përpara publikut në vend të ujit më ka dhanë një gotë shurrë.

Kët ofezë nuk kam me e harrue edhe mbas vdekjes, mbasi asht një gja që nuk e bajshin edhe anmiqt”.

Nga: Aleksandër Cangonja